22.5 C
Tirana
E shtunë, 10 Maj, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Kur një rrugë, të rikthen në kohë

    Nga Jona Dervishi

    Ditën e djeshme u bëra mukajet (thënë popullorçe) për herë të parë në jetën  time, të shkoja në Plan të Bardhë të Qarkut të Dibrës, fshatit ku lindi stërgjyshi im, një fshat i vogël e i braktisur thuajse prej dekadash, për shkak të mungesës së ujit dhe emigrimit. Një fshat i vogël ku Zoti, nuk ia kurseu bukurinë natyrore.

    Ndonëse stërgjyshi im emigroi drejt Stambollit në moshën 15 vjeçare, kur u rikthye në Shqipëri pas shumë vitesh, me bashkëshorten e tij (stërgjyshen time, turke) paçka se u vendos me familjen e tij të krijuar në Tiranë, kurrë nuk rreshti së dashuri vendlindjen e tij, e në përshkrimet e tij (sipas tim eti) tregonte gjithnjë plot nostalgji për luginën e gjelbër e të bukur, ku kish kaluar fëmijërinë…

    Kjo retrospektivë më vlejti ta përshkruaj, sepse sot, isha e emocionuar teksa në përurimin e një prej akseve të rrugës së Arbrit, përshkohej pikërisht mbi Plan të Bardhë. Ndjeva freskinë e erës, që dikur kanë ndjerë dhe etërit e mi.

    Pashë bukurinë e rrallë natyrore mes maleve, të skalitur, që unë jam e sigurt se, stërgjyshi im i ka parë çdo mëngjes që ka hapur sytë, me kuriozitetin e ëndërrimet se çdo të kishte vallë, përtej tyre.

    Por sot, një ëndërr e bërë realitet, afrim në distancë, shpresë, qytetërim. Vetëm 50 minuta nga kryeqyteti, distancë që motit, do të kishte marrë 4 orë rruge të plota… përpos dhe vështiresisë, jo vetëm të distancës, por edhe infrastrukturës problematike. Kënaqësi e veçantë që e provon me doemos, pasi bëhesh prind dhe kupton rëndësinë e gjakut dhe prejardhjes.

    Një falenderim për ata që sot e bënë të mundur që Shqipëria të bashkohet, e të mund të vizitojmë çdo fshat, luginë e qytet, pa patur “barriera” as në kohë, as në rrugët gjarpëruese e tejet të vështira, që hasnim dikur.

    Me shpresën e madhe se një ditë infrastruktura e Shqipërisë do të jetë në nivele të larta, njësoj si vendet e tjera anëtare të BE-së, unë besoj dhe besoj fort…

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit