Nga Migena Aleksi
Nisur nga aksioni i fundit i SPAK për call-center – at ku u shfaqën në media pamje nga dy kulla në Tiranë bëra një vëzhgim mbi çmimet.
Më rezulton se aty po ndodh diçka që nuk ka më lidhje as me tregun as me logjikën.
Në një qytet me trafik të paralizuar, me infrastrukturë të mbingarkuar, me ndërtime pa frymë urbane, çmimi i apartamenteve në kullat e zonës së qendrës (Sheshi, Blloku, RTSH) ka shkuar deri në 6 mijë euro metri katror.
Nuk po flasim për pallate ikonike, apo projekte të menduara, por për kulla të ngjeshura mes godinave të tjera pa lidhje urbane.
Në të njëjtën kohë, në Itali, familja e famshme Benetton nxjerr në shitje një vilë luksoze në Treviso, në një qytet të rregullt, elegant, me histori, me lumenj, gjelbërim dhe qetësi.
Çmimi? Rreth 5,600 euro metri katror.
Çfarë të mendosh kur një apartament në Tiranën kaotike shkon deri në 6,000 €/m² kurse një vilë aristokratike në Itali kushton 5,600 €/m²?
Nuk po e shkruaj këtë shënim thjesht për krahasim. Kjo është diagnostikë sociale.
Në Treviso blen hapësirë, qetësi, arkitekturë të menduar, cilësi ndërtimi, mjedis jetese, vlerë reale afatgjatë. Etj etj
Në Tiranë me të njëjtin çmim blen zhurmë, trafik, mungesë absolute parkimesh, pasiguri urbane. Në fund blen edhe një iluzion investimi sepse kurrë nuk i dihet cfarë ndodh aty.
Nëse nuk është kështu, le të ma thotë dikush që e përjeton ndryshe por për mua Tirana është qartësisht një treg i fryrë artificialisht nga spekulimi.
Dakord ka ndryshime, ka gjallëri, por çmimet aty nuk justifikohen as nga rrogat, as nga prodhimi, as nga cilësia e jetesës. Atëherë si mundet që një vilë e superinvestuar e një prej familjeve më të pasura të Europës kushton më pak se një apartament në një kullë pa shpirt në Tiranë?
Nuk e di si bëhet normalizimi i këtij absurdi. Nuk është fusha ime e dijeve. Por kam dy pyetje për ata që kuptojnë më shumë nga ky treg:
– Pse janë rritur kaq shumë çmimet?
– Kush do ta paguajë faturën kur flluska të plasë?
P.S. – Për vilën e Beneton mund të lexoni duke klikuar KËTU kurse çmimet e kullave në Tiranë i keni gjithandej në faqet e kompanive ndërtuese dhe në njoftime shitjesh në rrjetet sociale.



