Ditën e sotme, Vesa Luma ka publikuar një story në Instagram, ku shfaq një lajm mbi këngëtarin e ndjerë, Shpat Kasapin. Sipas titullit, një këngëtar bullgar ka vjedhur këngën “Valle Kosovare” të këngëtarit, dhe Vesa menjëherë ka reaguar.
Në shkrimin e shkurtër dedikuar lajmit, ajo nuk flet vetëm mbi këtë situatë, por edhe thumbon Tayna-n, duke përmendur 250 eurot që ajo i dha si shpërblim këngëtares Alida Hisku.

Dy ditë më parë, gjatë një interviste në emisionin “Mes’dritë” në Vizion Plus, këngëtarja Alida Hisku foli për rikthimin e një prej këngëve të saj përmes Tayna-s.
Kënga për të cilën bëhet fjalë është “Thana”, e realizuar falë një bashkëpunimi që Tayna pati me këngëtaren Alida Hisku. Pjesë e kësaj kënge është zëri dhe disa vargje nga kënga “Vajzat e fshatit tim”, kënduar nga Alida Hisku. Gjatë intervistës që zhvilloi, kjo e fundit ndau më shumë detaje mbi mënyrën se si ishte arritur marrëveshja mes tyre.

Sipas saj, Tayna e kishte telefonuar për t’i komunikuar idenë që kishte, si edhe për t’i propozuar bashkëpunimin.
“Edhe më merr në telefon Tayna edhe më thotë: ‘Alida, dua të bëj këngën tënde dhe do të marr një pjesë nga zëri yt.’ M’u duk… e pashë në dy aspekte. Si konkurrencë unë nuk shikoj asnjë lloj këngëtareje, sepse, thashë edhe një herë, unë jam e një brezi tjetër. Unë marr qëllimin, nuk marr interesat personale.”
Ajo u shpreh se qëllimi i vetëm që kishte, ishte që një këngë shqiptare të shkonte te publiku i Kosovës, siç u shpreh edhe vetë, suksesi nuk i interesonte aspak. Më pas, ajo tha se Tayna i kërkoi numrin e telefonit të kompozitorit të këngës, Enver Shëngjergjit, dhe tekstshkrueses Zhuliana Jorganxhi. Më vonë, pas dy javësh, Tayna i kishte dërguar 250 euro, pretendoi këngëtarja.



