Nga Migena Aleksi
Deklaratat e kësaj fundjave të kryeministrit Rama, të bëra në krah të Komisioneres së Zgjerimit të BE-së, sollën ndoshta sinjalin më të qartë se tensioni mes Ekzekutivit dhe Drejtësisë ka hyrë në një fazë të re.
Asnjëherë më parë kreu i qeverisë nuk e kishte sulmuar SPAK-un dhe GJKKO-n me një tonalitet kaq të zhveshur, duke i etiketuar si institucione “fëmijënore” dhe vendimet e tyre “brutale” e “anti-demokratike”.
Kjo nuk është më retorikë e thjeshtë politike. Kjo është doktrinë politike që synon ta portretizojë mazhorancën si viktimë të “teprimeve” të drejtësisë.
Me këtë narrativë, qeveria tenton t’i thotë opinionit publik se goditja ndaj një figure të lartë të kabinetit nuk është rezultat i akuzave për manipulim tenderash, por produkt i një devijimi institucional. Pra këtu, nuk paskemi korrupsion dhe përgjegjësi qeveritare, por një lloj teprimi gjyqësor, një ndërhyrje në Ekzekutiv.
E them me keqardhje por kjo përpjekje për ta kthyer një hetim penal në një akt kundër pushtetit politik, e turpëron Kryeministrin dhe nuk ka të bëjë fare me imazhin publik që ai ka ndërtuar për veten.
Në një shtet që aspiron të funksionojë normalisht, pezullimi nga detyra i një zyrtari të lartë gjatë një hetimi nuk është as fyerje, as brutalisht anti-demokratik. Është një masë e përkohshme, e paracaktuar nga ligji, që ekziston pikërisht për të shmangur ndërhyrjet në proces. Fakti që kjo masë prek një zëvendëskryeministre nuk e bën më pak të ligjshme, e bën ndoshta më të rëndësishme.
A ka GJKKO të drejtë ligjore të pezullojë një të pandehur? Kuadri ligjor i strukturave të posaçme të drejtësisë së re thotë po. Megjithatë, qeveria kërkon status të veçantë për veten dhe ka vendosur që kësaj pyetje duhet t’i përgjigjet Gjykata Kushtetuese.
Kjo do mjaftonte. Kaq mund të deklaronte Kryeministri. Të tjerat nuk janë argument juridik, me keqardhje duhet thënë se në rrethanat e sotme duken thjesht sinjale paniku.
Është e kuptueshme që kryeministri të mbrojë një bashkëpunëtore të ngushtë dhe një figurë kyçe të qeverisë. Por të akuzosh një institucion të reformës në drejtësi se po rrezikon demokracinë, është një hap përtej debatit politik. Në thelb mesazhi është: Kur drejtësia prek qeverinë, drejtësia është problem (!).
Reforma në drejtësi nuk është projekt i SPAK-ut, as i GJKKO-së. Është një mekanizëm shtetëror i ngritur pikërisht për të mos u ndalur përpara zinxhirit të pushtetit siç ka ndodhur më parë.
Nëse ky mekanizëm duhet frenuar sapo prek “lartësinë” e qeverisë, atëherë nuk kemi më reformë. Kemi një tjetër dekor. Kjo Shqipëri ka tepër dekore. Ajo që i mungon ende është funksionimi i institucioneve dhe ndarja reale e pushteteve.



