Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma, ka hedhur akuza të rënda te marten ndaj Lulzim Bashës.
Në një reagim në Facebook, Duma mes rreshtave thotë se kandidati i Rrogozhinës është zgjedhur pa marrë mendimin e saj si drejtuese politike e këtij qarku si dhe e akuzon Bashën edhe për aferën e Portit të Durrësit, që sipas Dumës, Basha refuzoi ta denoncojë “në mënyrë kategorike!”.
“Kandidati i Librës që e vure shef shtabi dhe i gjithë shtabi të kërkoi për tre jave me radhë të vije në Durrës dhe të denoncoje aferën e Portit të Durrësit – e refuzove në mënyrë kategorike”, shkruan deputetja e PD-së.
Duma gjithashtu akuzon kreun e PD-së se përmes zyrës së shtypit të partisë po shpërndan informacione të pavërteta kundër saj.
“Lulzim, nuk është mburrje, po të isha si ti do ta kisha thënë me të madhe që zona ku jam deputete është e vetmja ku Partia Demokratike doli forcë e dytë.
Por nuk e them dot as këtë si vlerë se me dhimbsen demokratët, që kudo ku shkoja me thoshin ‘aman ç’ju lidh me atë’”, shprehet Duma.
Deputetja, që deri dje ishte një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Bashës ka ironizuar edhe deklaratën e tij se nuk ka humbur asnjë betejë.
“Lulzim pas hirit të betejave të pahumbura nuk lulëzojnë dot as shkurret e fitimeve me sakrificat e njerëzve”, përfundon Duma.
Reagimi i Dumës erdhi pasi kandidati i PD për kryetar bashkie në Rrogozhinë, Ferdinand Saraçi, e akuzoi atë se shkoi në fushatë për të bërë foto.