Nga Alba Malltezi
Atë që Edi Rama po realizon me Romën, me Giorgia Melonin, shqiptarët e kishin vizatuar më parë, duke u mbërthyer me thonj e muskuj në anijet që i çuan në Itali. Sot e 30 vite të shkuara.
Atë që Edi Rama nuk po e realizon dot me Athinën, gjithashtu shqiptarët e kanë vizatuar 30 vite më parë, me trastat në shpinë, me ëndrrat në kokë e me vuajtjet që janë të gdhendura në malet e pyjet që ndajnë Shqipërinë me Greqinë.
Por në realizimin e ëndrrave, politika është shkopi magjik që lidh ose ndan, që ndërton ose shkatërron, që harmonizon ose krijon konflikte nëse mbërthehet në pjesën më regresiste të shoqërisë. Dhe për këtë jemi dëshmitarë.
Ka një shpjegim interesant për hapat gjigandë që Rama-Meloni po bëjnë në marrdhëniet mes dy vendeve; pavarësisht kampeve të ndryshme ideologjike, dy liderat, Rama si i majtë dhe Meloni si e djathtë, kanë qëlluar konstruktivo-progresistë me kontakte të drejtpërdrejta, gjë që e majta italiane ka harruar ta bëjë që pas epokës së majtistëve prodianë. Për të mësuar për Ramën dhe Shqipërinë, sot e majta italiane vjen në Tiranë dhe pyet Berishën; gazetarët e rreshtuar të saj pyesin mediat familjare të Berishës. Asnjë më shumë e më pak. Njësoj sikur për të mësuar për Melonin ne të shkojmë dhe të pyesim vetëm komunistët e Italisë dhe gazetarët që e përfaqësojnë.
Për të mësuar për Shqipërinë, konservatorët e Mitsotakis gjithashtu mbështeten te Bejleri e te berishistët. Duket se Berisha dhe të tijët janë “lakmuesi” që nxjerrin zbuluar dhe bashkojnë të majtët italianë dhe konservatorët e Mitsotakis në lidhjet me raportet e pashëndetshme me Shqipërinë. E kemi dalluar këtë edhe në oborrin e shtëpisë sonë, ku papritur “progresisti” Albin Kurti, doli hapur dhe shpalli si të preferuarit e tij në Tiranë, Berishën dhe gjithësa ndodhet si botëkuptim berishist në kryeqytetin shqiptar. Se si shkuan punët, të gjithë e pamë. Shpresojmë që Albin Kurti të ketë kuptuar një mësim.
Ndërsa marrëdhëniet me Italinë vazhdojnë kënaqshëm, ashtu siç shqiptarët e kanë dashur dhe e meritojnë pas 30 vitesh punë dhe sakrifica në vendin fqinj, me Greqinë, disa çështje të rëndësishme nuk ecin. Mbahet ende pa kuptim Ligji i Luftës, askush nuk guxon të prekë çështjen çame edhe pse shqiptarët (çame, orodoksë e muslimanë) janë integruar më së miri në jetën dhe ekonominë e vendit fqinj duke kontribuuar konkretisht, duke votuar, duke ndikuar në numrin e popullsisë e duke zgjedhur bashkë me grekët të qënit europianistë.
Për të njohur Ramën dhe Shqipërinë, Mitsotakis, dhe askush tjetër, nuk ka nevojë të kalojë përmes pasqyrës së shtrembër të Berishës dhe manipulatorëve të tij. Ashtu si Meloni, të ketë besim në komunikimet e drejtpërdrejta dhe gjithëpërfshirëse, dhe, nëse nuk e ka atë dëshirë apo guxim, të bëjë ndërmjetës komunitetin ortodoks në Shqipëri, një realitet i ringjallur me jetën dhe punën e një Greko-shqiptari si Janullatos dhe të trashëguar nga një erudit i ekuilibruar dhe që ka pasion harmoninë fetare dhe progresin në Shqipëri: Fortlumturi Joani, nuk është Fredi Bejleri.
Politika realizon ëndrrat e një populli vetëm nëse dëgjon rrahjet e drejtpërdrejta të zemrës së tij. Nuk ka nevojë për ndërmjetës, nuk ka nevojë për manipulatorë. Rama-Meloni është shembulli më i mirë.



