24.5 C
Tirana
E martë, 22 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Kush e kërcënon Edi Ramën?

    Nga Bedri Islami

    Asnjëherë kryeministri i Shqipërisë, që për më tepër ka edhe shumicën parlamentare, nuk ka qenë më i kërcënuar në jetën e tij sesa ndodh sot me Edi Ramën.

    Është diçka jashtë së zakonshmes në një botë pluraliste, në një vend normal me jetë normale, anëtar i aleancave të fuqishme ndërkombëtare; në fund të fundit është diçka që mendja e zakonshme e njeriut nuk e përtyp dot.

    Edi Rama, vetëm në ditët e fundit është kërcënuar publikisht disa herë rradhazi nga shefi faktik i opozitës, Berisha, nga ndihmësit e tij më të afërt, Paloka dhe Noka, deri me varje në litar, kokëposhtë, pas pushkatimit, si ka ndodhur me liderin fashist Duçe. Është kërcënuar se do të përfundojë në ujrat e lumit Lana. Nga ish-shefi i qeverisë dhe kryetari ‘de fakto’ i opozitës, Berisha është kërcënuar se do të tërhiqet zvarrë deri në fundin e tij.

    Nga gazetarë-analistë, shumë afër dhe të mirëpaguar nga opozita, është kërcënuar se askush nuk do e dijë fundin e tij. Nga ish-presidenti Metaj, që tani akuzohet edhe si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, kërcënohet se do të thyhet më dysh.

    Në fund, edhe nga media të ndryshme, u kërcënua se nëse nuk e lëshon drejtimin e qeverisë, do të rrijë jo vetëm pa dhëmbë, por edhe pa b..thë.

    Trupa e pedagogëve të universitetit kërcënon me grevë urie, ç’ka do të ndodhte për herë të parë që nga dita e krijimit të universitetit, së shpejti kërcënimet do të jenë edhe nga struktura të tjera, që të gjitha së bashku, përbëjnë atë që quhet korpusi opozitar.

    Në çdo vend të botës, pa asnjë dyshim, kërcënime të tilla kaq makabre, do të ishin thelbësisht të dënueshme dhe ashpërsisht të ballafaquara me ligjet e shtetit.
    Në të vërtetë ky, Rama, është ndër ato shefa qeveritarë që është rrahur shtazërisht kur ishte gazetar, pikërisht nga këto që e kërcënojnë sot brutalisht; është kërcënuar me vdekje dhe me fjalimin më të bukur mortor kur ishte lideri i opozitës, pikërisht nga Berisha; janë nxitur turma njerëzish për të bërë linçimin e tij, jo thjeshtë politik, por edhe fizik.

    Këto të gjitha dihen. Berisha ka kërkuar dikur një pushkë snajper për të qëlluar nga frëngjia e kryeministrisë, mbi armikun e shpallur të tij.

    Edhe pse këto kërcënime vijnë nga një njeri që e njeh frikën më shumë se kushdo tjetër në politikën shqiptare, – (zakonisht frikacaku të vret pas shpinës, si ndodhi më 21 janar) – ato nxitin pikërisht atë që kërkojnë “shqupasit patriotë”: krijimin e ndjenjës së ankthit, të frikës dhe të tërheqjes së shefit të qeverisë.

    A është vërtetë keq-qeverisja arsyeja e vërtetë e këtyre kërcënimeve rrugaçe dhe delirante?

    Jam i bindur se asnjëherë më parë dhe asnjëherë më pas nuk ka ndodhur e as nuk do të ndodhë një krisje e tillë delirante në radhët e një partie politike, si kjo në PD, një parti e cila synonte të ishte thellësisht europiane dhe moderne, por që gjithë ish-kryetarët e saj i ka shpallur armiq, që nga Meksi, Hajdari, Selami, Shehu e Basha.

    Në vend të opozitës mentare, si do të duhej të ishte, qëndron një turmë linçuesish politikë e jo vetëm politikë, që paskan ngritur një kauzë pikërisht në vendin ku desh u vranë me njëri-tjetrin. Do shkojnë më 12 nëntor, dhunshëm përballë zyrave, nga të cilat kanë kërcënuar mizorisht se janë të gatshëm të vrasin edhe 30 apo 300 të tjerë. Një parti mitingashësh, ku arsyeja është zevendësuar me dhunën, ku mendimi i ka lënë vendin harbutërisë, dhe mjerisht, përmes së cilës përçohen sot thirrjet kobzeza për shkatërrimin e vendit.

    Ultimatumi politik për largimin e dhunshëm të qeverisë, i shoqëruar me kërcënimin për varje në litar e tërheqje zvarrë, si dy alternativat e vetme për zgjidhjen e çështjes së ngritur mjeshtërisht me artificin politik të frikës, nuk lënë shteg  dialogu. Dhe sado të ketë përpjekje nga larg të forcave të tjera politike për të qenë të arsyeshme, ata janë ende nën hijen e kësaj.

    Klima e krijuar ka një drejtim: largimin e Edi Ramës, krijimin e një qeverie teknike, rrëzimin e të drejtës për të qeverisur, largimin e Vettingut nga jeta dhe ndëshkimi i drejtë, krijimin e një mjedisi të lëvizjeve amorfe, largimin e kryetarëve të bashkive dhe të drejtuesve në institucione të tjera, lëvizje në Policinë e Shtetit, të cilën ata që e bënë armë politike, tani e quajnë tejet të politizuar; rigjallërimin e lëvizjeve militante, deri të armatosura si në vitin 1991, dhe më pas, kur të jenë dhënë garancitë për të gjitha këto, të hidhen zaret e lojës politike.

    A duhet të largohet Edi Rama dhe të hapë rrugën e një qeverie teknike, gjithëpërfshirëse, me të mundur, veçanërisht të ndëshkuar, me asnjanës, me ato që qëndrojnë në dy karrike njëherësh, me teknicienë, e ndoshta edhe me ndonjë përfaqësues të zgjedhur nga shumica qeverisëse? A do të mund të qetësohet vendi pas kësaj lëvizjeje, nëse Edi Rama bie dakord për këtë rrokadë politike?

    Shqipëria e ka një shembull domethënës me krijimin e qeverive të tilla hibride dhe ndodhitë e pas rënies së saj: Pas kërcënimeve të këtij lloji, por jo të këtyre përmasave, qeveria e pas marsit të vitit 1991, e një shumice të majtë, lejoi krijimin e një qeverie të përbashkët, e quajtur Qeveria e Stabilitetit. Me një mandat të caktuar deri në zgjedhjet e vitit 1992.

    Kërcënimet dhe bubullimat për krijimin e saj erdhën pikërisht nga ata që kërcënojnë sot me vdekje shefin e qeverisë, Edi Rama. Mbi të gjitha, nga ulërimat politike dhe keqndjellëse të Berishës.
    Pak muaj më pas, pikërisht kjo qeveri, përsëri nën kërcënimin e Berishës, u shkatërrua. Ishte një natë tragjike, në të cilën, një ministër i devotshëm, i deleguar nga demokratikasit, profetizoi se pas prishjes së qeverisë, ai sheh gjak. Qeveria u prish, Shqipëria hyri në rrugën e mjerimit paspluralist, i vetmi njeri që qeshi, fërkoi duart dhe “fitoi”, ishte Berisha. Dhe ustallarët e tij në Serbi.

    Pra, shembulli është. Një qeveri e hedhur në erë, kur nuk ka asnjë shkak për prishjen e saj, sjell kob.
    Edi Rama edhe mund të ketë idenë e një qeverie teknike, pavarësisht nga ajo që deklaroi. Në fund të fundit trysnia që do të rritet  mbi të mund të ketë ndikim, megjithëse personalisht nuk e besoj se do të ndodhë.

    Trysnia për ndryshime të rëndësishme në qeverisje nuk po bëhet vetëm nga nje pjesë e opozitës, por edhe nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare, sidomos ndryshime në fushën e ekonomisë dhe kundër autokracisë politike, të krijuar në shumicën qeverisëse.

    Nuk ka asnjë shkak që Edi Rama të tërhiqet dhe të lërë që rruga të vendosë mbi mendjen. Çdo gjë e ngritur nga opozita, duke pasur një fillesë të vërtetë, është hiperbolizuar; e vërteta me shtrembërimet në fushën e ekonomisë është hiperbolizuar; të dhënat jo të sakta të largimeve nga vendi janë shumëfishuar; shpenzimet qeveritare janë rritur nga media dhe pjesë të opozitës, për të shkuar drejt synimit të shkatërrimit të zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm, ku opozita ende nuk e di se si do të garojë, me cilët aleatë dhe pa bërë bashkë spektrin e saj politik.

    Mishmashi i krijuar me dhunues të lirisë që mbiquhen mbrojtës të saj, bashibozukë të afruar në kërkim të pushtetit, që kanë humbur prej dhjetë viteve, është i bindur se në këtë gjendje nuk mund të fitojë dhe duhet alibia e rrëzimit të qeverisë, përmes kokës së Edi Ramës.

    Sipas një anketimi nga institucione jashtë Shqipërisë, që prej vitesh monitorojnë këtë vend, rreth 46 për qind e banorëve kanë ruajtur besimin ndaj qeverisjes së tanishme; besimi ndaj Edi Ramës është rreth 42 për qind, kundrejt 27 për qind të Berishës dhe 6 për qind ndaj Ilir Metaj; shumica e majtë në qeverisje mendohet se do të fitojë në 65 për qind të bashkive, duke ruajtur Tiranën; ata do të ruajnë vazhdimin e qeverisjes në Durrës, Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Berat, Fier.

    Rama, si shef i qeverisë, është mandatuar nga PS dhe kjo e fundit është votuar në shumicë dërmuese nga ai që quhet sovrani, por që përmes emrit të tij tallen të gjithë, si po ndodh në dyshen e sapokrijuar Metaj-Berisha.
    Si shef i qeverisë ai mund të tërhiqet, por nuk mund të tërheqë pas vetes të majtën sepse nuk është as e drejta e tij dhe as forca e tij për ta bërë këtë.

    Nëse ai lë vendin e tij si shefi i qeverisë, atëherë duhet të lërë edhe vendin si lider i socialistëve, të cilët mbijetojnë edhe pa të, por ai nuk bën dot pa to. Në bilancin e qeverisjes së tij të deritashme, Edi Rama, veç asaj që ka bërë mirë, ka lënë edhe shenja që nuk duheshin lënë, sidomos ndaj premtimit të tij kryesor: ndëshkimin e krimit dhe të zullumeve berishiane.

    Më shumë se për gropat e krijuara financiare, sidomos me PPP-të e frikshme dhe borxhin e rritur publik, njerëzit e zakonshëm do e ndëshkojnë politikën e tanishme pikërisht për mosndëshkimin e së keqes, ku tashmë janë bërë pjesë edhe vetë ato.

    Opozita, përmes kërcënimeve të pazakonta për nga intensiteti, kërkon me çdo kusht rënien e qeverisë dhe e shikon këtë vetëm përmes rrugës dhe jo përmes votës. Përmes dhunës dhe jo mendimit. E zënë me përleshjet brenda vetes, nëse nuk gjen rrugën e saj, humbja do të jetë më e ndjeshme sesa parashikimet e deritanishme, gjë që e di edhe vetë dyshja Berisha-Metaj, ndaj që tani, mendojnë dhe kërcënojnë me bllokimin e godinave të pushtetit, si një akt i dhunshëm mekanik, por që nuk sjell zgjidhje politike.

    Kërcënimi ndaj shefit të qeverisë është fillesa e djallit që kërkon të dalë jashtë shishes. Largimi i Ramës do të ishte hapja e kësaj shisheje dhe fajtore nuk do të jetë vetëm opozita, por edhe ai.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit