11.5 C
Tirana
E martë, 22 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Kush është Nuredin Dumani, dibrani që tronditi botën e krimit?

    Nuredin Dumani, një dibran emblemë e krimit vitet e fundit, është kryelajm këto ditë, pasi po “tregon shokët”.

    I arrestuar bujshëm pak javë më parë, me plumb në trup, pasi ishte shndërruar në legjendë e kërkimit policor, ai tashmë po rrëfen gjithçka ka bërë në vite, me pashpërtësinë e tij, pasi ka marrë shumë jetë me ftohtësinë e një krimineli.

    Prej tij po zbardhen me dhjetra vrasje të viteve të fundit, me personazhe të njohur dhe të panjohur, duke çuar pas hekurave shumë miq krimi.

    Por, kush është Nure Dumani, siç do thirrej në Dibrën e tij prej nga vjen?

    Siç raporton Euronews Albania, ai është i lindur në fshatin Selitshtë të Dibrës, një zonë që nuk njihet aspak për njerëz problematikë, ashtu siç Dumanët e Dibrës, fis me emër në rrethin verilindor të shpërndarë në disa zona, nuk kanë nxjerrë kurrë individë që të kenë shenjë krimi.

    Ai është 35-vjeç dhe me arsim 8-vjeçar, duke qenë fillimisht një hajdut, që siç raportohet u shndërrua në një “sipërmarrës” të vrasjeve me pagesë.

    Nga dëshmia e tij pas bashkëpunimit me drejtësinë janë zbardhur të paktën 12 ngjarje kriminale, vrasje dhe atentate të parealizuara.

    Ai ka treguar përpara prokurorëve të SPAK-ut se ka marrë porosi nga Ervis Martinaj për vrasjen e Endrit Dokles kundrejt 100 mijë eurove.

    Dumani ka rrëfyer autorët e ekzekutimit të Fatmira Dedës në vitin 2014, pasi ajo kërkonte drejtësi për vrasjen e djalit të saj Elvis Deda, në vitin 2013.

    Ai ka treguar me detaje se porositës i këtij krimi ishte Festim Qoli, i cili i kishte ofruar atij 40 mijë euro për këtë vrasje.

    Përpara hetuesve Dumani ka folur edhe për vrasjen e taksistit Bujar Çela, vëllait të armikut të tij Talo Çelës.

    Në vitin 2013, pas daljes së tij të parë nga burgu, në bazë të dëshmisë së tij ai tregtonte këpucë të përdorura, ndërsa 9 vite më vonë zbardhi një mori me ngjarje dhe ku SPAK pretendon se janë zbuluar 8 grupe kriminale.

    “Në vitin 2013 me sa mbaj mend më takon Talo Çela në një dyqan që unë kisha pas daljes nga burgu. Në këtë dyqan tregtoja këpucë të përdorura. Talo ishte së bashku me Gent Sharrën me një mjet tip Regina. Më tha se kishte një punë për të bërë por na duhen njerëz nga këtej duke nënkuptuar Durrësin”, është shprehur Dumani gjatë një rrëfimi për një nga grabitjet.

    Më herët, Dumani ka qenë i skeduar edhe për trafikimin e një vajze në Francë për shfrytëzim prostitucioni dhe i arrestuar për vjedhje.

    Gjithashtu, ai ka rrëfyer edhe 6 grabitje që ka kryer me Talo Çelën dhe persona të tjerë në periudhën kohore 2012-2017, shkruan Euronews Albania.

    Në media, vijon të dalin parreshtur detaje nga dosja e tij e rrëfimeve, duke “ia hapur zemrën” drejtësisë për të gjithë aktivitetin e tij të “pazemër”.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit