18.5 C
Tirana
E enjte, 13 Nëntor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    La fshatin, për Parlamentin – Rrëfehet deputetja 24-vjeçare: Kisha punët e mia, nuk e mendoja se do më zgjidhnin…

    Dy vjet më parë emri i Marjana Koçekut do të lakohej në median shqiptare dhe atë botërore, mes tyre “Financial Times”, për faktin sesi një vajzë e sapodiplomuar jashtë Shqipërisë kishte zgjedhur të kthehej në rrënjët e saj.

    Agroturizëm “Neomalsore”, një bujtinë e vendosur buzë Liqenit të Komanit u kthye në një atraksion turistik, e bashkë me të, Marjana. Vajza e cila e kujton një fëmijëri plot ngjyra, aventura e ëndrra që lundrojnë mes Shkodrës, maleve e lumenjve të Dukagjinit, pasi preku nga afër jetën – tani nën detyrën e deputetes ka vendosur të çojë në parlament zërin e mijëra banorëve të zonës që besuan tek ajo.

    Në një intervistë për revistën Bordo, pa humbur asgjë nga thjeshtësia që e njohin të gjithë, Marjana rrëfen jetën e saj të re: me zgjimet e hershme, rrugën e përditshme nga Shkodra në Tiranë si e zgjedhur e Qarkut të Shkodrës, me një mision të ri: për t’i dhënë zë komunitetit që ajo përfaqëson.

    Marjana, je 24 vjeçe dhe deputete, a jeni ju deputetja më e re në parlament?

    Po, jam 24 vjeçe, jam deputetja më e re e parlamentit shqiptar, por jo vetëm, sepse mesa më kanë thënë miq dhe kolegët e mi dhe mesa kam parë, jam në mos më e reja e Bashkimit Evropian, po ashtu në parlament.

    A e kishe menduar një vit më parë që do të lije fshatin, bujtinën për të qenë në parlament?

    As se kisha menduar, as nuk e kisha imagjinuar realisht, sepse e kisha sistemuar deri diku atë jetën time si sipërmarrëse, si Marjana e maleve dhe agroturizmit, nuk e kisha menduar aspak përfshirjen në politikë kaq shpejt

    Në sa seanca ke marrë pjesë deri tani dhe çfarë përshtypje ke pasur?

    Deri tani kemi zhvilluar rreth pesë seanca. Përshtypjet kanë qenë të ndryshme, por deri tani ka qenë shumë surprizuese për mua si e përfshirë në politikë së fundmi, pasi kam pritur shumë gjëra ndryshe realisht dhe i kam gjetur ndryshe.

    Ke pasur mundësi të flasësh deri tani?

    Fatkeqësisht jo deri tani, sepse kur zhvillojmë debatet, në vend që të jenë konstruktive, për të mirën e njerëzve dhe komuniteteve të cilat përfaqësojmë, përfundojnë deri tani të paktën, në grindje dhe seancat kanë mbaruar më herët dhe nuk kam pasur mundësi për të folur.

    Cila është tema e parë për të cilën do të flisje në parlament?

    Dua shumë të flas për zonën që përfaqësoj, për gjithë qarkun e Shkodrës, specifikisht për vendin nga vij, Dukagjinin – pasi nevojat e kësaj zone janë jashtëzakonisht shumë të mëdha.

    Po në afatgjatë, cilat janë temat që do të doje të ngrije më shumë zërin?

    Janë shumë gjëra për të cilat Qarku Shkodër ka nevojë dhe nuk mund të kufizohem në pak tema, pasi nevojat e pasionet e mia në të njëjtën kohë, janë të shumta, që nga zhvillimi rural, turizmi, mundësia për të rritur sidomos ato të zonave rurale, por edhe integrimi në Bashkimin Evropian, pjesë e këtij komisioni ku jam si sekretare, por gjithashtu mbrojtja sociale të cilën besoj se është më kryesorja.

    Në këndvështrimin tënd, çfarë është parlamenti?

    Parlamenti vjen prej fjalës ‘parla’ që do të thotë për të folur – të ulemi, të flasim për një qëllim të përbashkët, të mirën e komunitetit dhe të mirën publike. E konsideroj vendin ku pavarësisht logove që përfaqësojmë ne, duhet të flasim për zhvillimin, për ligje dhe për mundësi të reja të vendit tonë që deri tani shumë pak kemi folur për diçka të tillë.

    Në këtë legjislaturë përse do të doje të mbaheshe mend më shumë?

    Për mua është shumë e rëndësishme pikë së pari, të ruaj vlerat njerëzore, duhet të jemi njerëz dhe më pas profesionistë, politikanë të mirë. Për mua është shumë e rëndësishme që të mbahem mend si vajza e njerëzve të thjeshtë që ruajti thjeshtësinë, por edhe që ju dha zgjidhje njerëzve.

    Cila është rutina jote tani që ke lënë bujtinën “Neomalsore”?

    Tani ka ndryshuar krejtësisht. Zgjohem pak më herët, sepse vij nga Shkodra për të qenë pjesë e seancave të parlamentit, komisioneve të grupeve parlamentare dhe njerëzit me të cilën rrethohem, temat që diskutoj e dëgjoj më së shumti gjatë ditës janë totalisht ndryshe, kështu që rutina ime ka ndryshuar bashkë me outfitin, e detyruar për të ndjekur protokollin, me xhaketa dhe veshje formale.

    Po në bujtinë a shkon dhe a je më aktive?

    Tani jam më pak aktive. Detyrohem të jem më pak aktive se “të gjithë këta kunguj nën një sqetull nuk mund të çohen”, siç thonë shkodranët.

    Të vjen keq që arsyeja përse u ktheve në Shqipëri doli jashtë planeve të tua apo fitorja për një karrierë personale, një zë të fortë të zonës suaj mund të jetë më e fortë se kurrë?

    Nuk më vjen keq sepse qëllimi dhe dëshira me të cilën i kam hyrë politikës dhe i kam thënë “Po” kësaj oferte, ka qenë pikërisht për komunitetin nga unë vij. Jam frymëzuar nga vendi nga vij, sepse besoj dhe mendoj që politika është e vetmja rrugë për t’iu dhënë zgjidhjeve problemeve të mëdha. Përfshirjen time e shoh si një mundësi për t’i dhënë zgjidhje dhe zë një komuniteti i cili nuk ka pasur përfaqësim, as zë në këto nivele deri sot.

    Marjana, në valixhen e ëndrrave të tua kur erdhe nga studimet çfarë kishe futur?

    Shumë pasion për jetën, kreativitet edhe shumë energji, por jo një plan konkret realisht.

    Cilën do të veçoje si eksperiencën më të bukur ose një mësim që ke marrë nga shtetet ku ke jetuar?

    Thjeshtësia e njerëzve që në vendet e perëndimit realisht më ka lënë shumë përshtypje. Thjeshtësia në mënyrën e jetesës, në veshje, në të folur, në sjellë si dhe të qenit njerëz pa komplekse, por mbi të gjitha disiplinat që ata kanë për punën.

    Sot kur kthen kokën pas, për çfarë të merr malli nga Stokholmi, Gjenova, Frankfurti?

    Merr malli për shumë gjëra. Kryesisht në Gjenova më merr malli për rininë studentore prej të gjithave vendeve të botës, për festat, udhëtimet që keni bërë, pra shkëmbime ndërkulturore shumë të bukura që kam pasur asokohe. Në Stokholm kam qëndruar shumë pak, por më merr malli ndonjëherë për të ftohtin e Stokholmit, që ka një të ftohtë pa lagështinë që mua më pëlqen dhe për mënyrën se si veshin njerëzit, kanë një modë totalisht minimaliste dhe me ngjyra të çelëta. Ndërsa nga Frankfurti realisht nuk merr malli për asgjë se ka vetëm shumë mjegull dhe njerëz që vetëm vrapojnë për të arritur në punë.

    Në punën tuaj në “Neomalsore” çfarë ke vënë re, përse të huajt janë të tërhequr e vijnë aty?

    Të huajt e vlerësojnë jashtëzakonisht shumë origjinalitetin, traditën, kulturën, identitetin tonë që ka mbetur i paprekur, por mbi të gjitha natyrën e jashtëzakonshme që na ka falur Zoti bashkë me gastronominë autentike të vendit tonë.

    Cila është pjata që atyre u pëlqen më shumë?

    Të huajt mbarojnë për kulaç, kollomoqi misri dhe groshë.

    Por, raporti me klientët shqiptarë si ka qenë? A i pëlqejnë vështirësitë, aventurat derisa të mbërrijnë në “Neomalsore”?

    Kemi pasur miq shqiptarë që kanë vizituar bujtinën tonë, kanë qenë të jashtëzakonshëm dhe i falënderoj, sepse janë bërë frymëzim i suksesit që kemi pasur dhe i rrugëtimit tim. Ndihem shumë mirë që e kanë vlerësuar dhe mbështetur maksimalisht nismën time dhe të familjes time.

    Pas 10 vitesh sheh një Marianë me një karrierë politike apo një Marianë që pasi ka provuar politikën drejton bujtinën dhe pret sërish turistët e huaj?

    Unë shoh një Marianë që njihet mirë me veten, që bën një jetë dinjitoze edhe që ndjek pasionin edhe ëndrrat e saj.

    Cila është përshtypja jote për parlamentin dhe çfarë pret nga vetja këto katër vite?

    Kam shumë përshtypje edhe zhgënjime realisht. Prisja një vend ku, kur të veshim xhaketën dhe të shkojmë aty, vëmendjen ta kemi për të folur, diskutuar, krijuar dhe t’iu japim zgjidhje gjithë atyre problemeve shumë të mëdha që vijnë ngakomunitetet që ne përfaqësojmë. Deri tani kam gjetur një mjedis krejt tjetër, ku më shumë ka ngatërresa e fyerje, sesa debat për atë çka duhet të jetë. Pres që t’u jepet hapësirë më shumë të rinjve sepse kemi shumë për me thënë, për të bërë edhe për të kallëzuar realisht, t’u jepet mundësia për të folur dhe ngritur zërin për shumë çështje të komunitetit që përfaqësojnë. Njerëzit kanë nevojë për të dëgjuar problemet e tyre në atë parlament, edhe për të na parë që realisht angazhohemi që t’iu japim zgjidhje. Prej këtij parlamentit pres rrugëzgjidhje të shumë problemeve të Shqipërisë, të qarkut Shkodër dhe qarqeve të tjera. Edhe prej Marianës, prej vendit tim që përveç se të jem Marjana e njerëzve të thjeshtë, Marjana e thjeshtë siç jam dhe e konsideroj veten, të jem edhe Marjana që jep zgjidhje problemeve të zonës që përfaqësoj.

    Si ka qenë fëmijëria jote dhe si ka ndikuar në këtë që je sot?

    Fëmijëria ime ka qenë e jashtëzakonshme. Kam jashtë masë nostalgji në çdo gjë që bëj. Gjithmonë kujtoj prindërit e mi dhe u jam mirënjohëse, sepse ata kanë ndërtuar vetëbesimin tim, sigurinë në vetvete dhe ëndrrat e mia, si baba ashtu edhe nëna. Duke qenë se kam jetuar një fëmijëri midis Shkodrës që është një qytet jashtëzakonisht i bukur dhe midis maleve e lumenjve të Dukagjinit, fëmijëria ime ka qenë plot ngjyra, aventura, por Fëmijëria ime ka qenë e jashtëzakonshme. Kam jashtë masë nostalgji në çdo gjë që bëj. Gjithmonë kujtoj prindërit e mi dhe u jam mirënjohëse, sepse ata kanë ndërtuar vetëbesimin tim, sigurinë në vetvete dhe ëndrrat e mia, si baba ashtu edhe nëna. Duke qenë se kam jetuar një fëmijëri midis Shkodrës që është një qytet jashtëzakonisht i bukur dhe midis maleve e lumenjve të Dukagjinit, fëmijëria ime ka qenë plot ngjyra, aventura, por edhe plot ëndrra të cilat vazhdoj t’i mbaj sot edhe si parlamentare.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit