Ka mjaftuar kjo fotografi e mësipërme nga një llogari anonime që pretendon se vepron si “media outlet” në Portugali, që shumë prej mediave dhe televizioneve kombëtare në Tiranë të “plasin lajmin e bujshëm”.
Siç shihet, llogaria “Submundo Criminal” në platformën “X” (ish-Twitter) thotë se është arrestuar në Portugali një shtetas shqiptar i lidhur me mafian, me emrin Arben Kaçorri. Madje, aq e sigurt është për këtë raportim sa pretendon se ka gjetur dhe fotografinë e “mafiozit”.
Por, personi që pretendohet se është kunati i biznesmenit të kumarit Ervis Martinaj në fakt nuk është as më shumë e as më pak Presidenti i ekipit të Partizanit. Është e paqartë sesi ka përfunduar fotografia e Gaz Demit në këtë llogaria anonime dhe pretendohet për më tepër sikur ai është Arben Kaçorri.

“Submundo Criminal” nuk është një media dhe as nuk ka një uebsajt, por vepron si një llogari (faqe) në platformën “X” duke shpërndarë përmbajtje, që nëse televizionet shqiptare do ta lexonin mirë para se të raportonin për të, thotë qartë se nuk kërkon falje dhe nuk mban përgjegjësi për postimet e saj.
Është një gafë që tregon shumë për raportimin dhe cilësinë e mediave në Shqipëri, të cilat nuk arrijnë të identifikojnë një figurë publike si Presidenti i ekipit të futbollit Partizani, sipërmarrësi Gaz Demi, i cili është pothuajse i përjavshëm në median shqiptare, për shkak të angazhimit shumëvjeçar në aktivitete sportive.
“Është publikuar fotoja e dy mafiozëve të arrestuar javën e kaluar në Lisbonë. Shqiptari Arben Kaçorri, i cili është kunati i mafiozit shqiptar Ervis Martinaj, jetonte prej 11 vitesh në një pallat luksoz në lagjen Parque das Nações.
Fqinji i tij ishte portugez-braziliani Ícaro Leddy, i cili ka lidhje me mafian Mocro, i arrestuar gjithashtu javën e kaluar”, shkruan llogaria në fjalë, duke e shoqëruar postimin dhe me fotografinë e bujshme të “Arben Kaçorrit”, i cili rezulton se është Gaz Demi.