19.5 C
Tirana
E diel, 9 Mars, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Largimet më të bujshme të banorëve nga “Big Brother VIP”

    Ajo që na ka mësuar ky edicion i katërt i “Big Brother VIP Albania” është se ndonjëherë, për të mos thënë gjithmonë, largimet janë më të zhurmshme sesa hyrjet brenda kësaj shtëpie.

    Nëse ju është dukur sikur është tepruar me këto largimet me zarf të zi dhe jo vetëm këtë edicion, na lejoni t’ju rikujtojmë se janë traditë e ndjekur nga edicionet e mëparshme, thjesht këtë vit është liruar më shumë dora. Ja disa nga daljet më dramatike të banorëve në historinë e “Big Brother VIP Albania”:

    1. Fifi

    Ishte pikërisht Fifi ajo që nisi kalvarin e kërcënimeve të befta për të lënë shtëpinë në mes të prime-ve. Rënia e të fikëtit fill pas kësaj, për të cilën Fifi u akuzua nga publiku se po shtirej, mbetet gjithsesi unike deri më tani.

    Ndonëse atë mbrëmje Arbana arriti t’ia mbushte mendjen të qetësohej dhe të mos merrte vendime të nxituara, të nesërmen Fifi doli përpara banorëve duke iu komunikuar vendimin e saj për të lënë përfundimisht shtëpinë, me qëllimin “për të punuar më shumë me veten”.

    2. Big Mama

    Big Mama, po banore e “BBVA1”, deshi të na paralajmëronte për Antonelën, por nuk e morëm aq seriozisht asokohe. I bujshëm qe debati ku Antonela e akuzonte Big Mamën se e kishte sharë serbisht, me këtë të fundit që iu kthye se “nuk e kishte problem fare ta bënte dhe shqip”, për aq kohë sa ajo shpifte dhe thurte intriga në shtëpi. Me durimin e saj të pashoq në këtë program, Arbana u përpoq ta mbante brenda shtëpisë Big Mamën, por vendosmëria e kësaj të fundit qe më e fortë.

    3. Olta Gixhari

    Duke vepruar me zgjuarsi në kohën që e mori këtë vendim përgjatë lojës, Olta la me dëshirën e saj shtëpinë me arsyen se nuk mund të rrinte më shumë kohë larg djalit të saj. Siç i tha dhe Luizi, “nuk do i kishte më lezet loja pa të” dhe ashtu ndodhi. Largimi i Oltës pas 90 ditësh qëndrimi në shtëpi, ishte i papritur për publikun që në atë periudhë e urrente lojën e saj brenda shtëpisë me shumë pasion dhe qarkullonte ideja se fitorja ishte e garantuar për të në atë edicion.

    4. Egla Ceno

    Me zarf të zi, vendoset skualifikimi i Eglës nga gara e “BBVA3” prej veprimeve të saj të dhunshme karshi Meritonit. Vendimi tronditi publikun dhe banorët si fillim, derisa produksoi tregoi asin nën mëngë për raste të tilla ku personazhe të rëndësishëm tregohen të pabindur: dhoma e bardhë.

    Prandaj dhe kur këtë vit një zarf tjetër i zi urdhëronte skualifikimin e Gertës, të gjithë e kuptuan se mospërdorimi i fjalës “eliminim”, tregonte se do ta shihnin atë sërish brenda shtëpisë.

    5. Amber

    Në serinë e banorëve të panumërt që kanë lënë shtëpinë për thyerje rregullash apo me dëshirën e tyre këtë edicion të “BBVA”, ishte Amber e para që e bëri “sefte” vendimin e saj. Ashtu siç edhe dukej, Amber shprehu më vonë se u pendua për veprimin e saj të nxituar, prandaj nuk e humbi shansin që iu dha për të rihyrë në shtëpi. Me pak fjalë, nuk zuri mend nga të marrit vendime të gabuara.

    6. Egli

    Largimi më i freskët dhe ndoshta më i bujshmi është ky i Eglit, me vendim të produksionit. Në zarfin e kuq shpjegohej se ky vendim ishte marrë në të mirë të gjendjes shëndetësore të Eglit, për të cilën ajo shkroi në Instagramin e saj duke nënkuptuar se i nevojitej një kohë “shërimi”, të cilën patjetër ia urojmë të gjithë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit