Në një kohë kur Shqipëria është duke “vluar” nga zgjedhjet e 11 Majit, ku Partia Demokratike shënoi një tjetër humbje historike, “strategu” i Sali Berishës, ai që ishte parashikuar se do të ishte “arkitekti” i fitores të së djathtëve në vendin tonë, mesa duket i është rikthyer politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pasi “mbushi xhepat” mirë, Chris LaCivita u mjaftua vetëm me një postim në rrjetet sociale, pak pasi kishte filluar numërimi i votave në Shqipëri dhe socialistët ishin duke prirë fuqishëm.
Në llogarinë e tij në platformën “X”, LaCivita publikoi një video të kapur nga demokratët ku zbuluan atë që u cilësua si “zyra e patronazhistëve” në Tiranë, krah së cilës shkruajti: “Ja si duket vjedhja e votave në Shqipëri… me mirësjellje të qeverisë së drogës të Edi Ramës”.
Ndërkohë që së fundmi ka ardhur me një tjetër reagim, por kësaj here për politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai ka publikuar kopertinën e një prej librave më të rinj që pritet të publikohet në Amerikë lidhur me Joe Biden dhe mundësinë që përflitej për një karrige me rrota nëse ai do të rizgjidhej në krye të SHBA-së.
“Asgjë për të parë këtu….Ndihmësit e Biden diskutuan për nevojën e një karrigeje me rrota nëse rizgjidhet: libër i ri”, shkruan LaCivita.