Leka Bungo, kreu i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, i ka shkruar një letër të hapur drejtuesit Enkel Joti. Ai zbardh debatet që kanë ndodhur brenda transmetuesit publik dhe akuzon drejtorin për emërime klienteliste, në disa drejtori e madje deri te përgjegjësja e pastrimit.
“Qe nga dita e emërimit tuaj janë bere dhjetëra emërime te reja ne R.T.SH. Nuk është fjala për punonjësit e thjeshte por për anëtaret me te rëndësishëm qe përbejnë Stafin e Drejtorisë se Përgjithshme. Qe ne krye te heres kam dyshuar se pjesa me e madhe e tyre eshte emeruar ne menyre klienteliste…”, shkruan Bungo.
Më tej, kreu i Këshillit Drejtues në RTSH nxjerr të gjithë drejtuesit e emëruar nga Enkel Joti dhe vijnë nga Qendra Spitalore, ku drejtori i sotëm i RTSH ka qenë drejtues.
“Drejtoresha e kabinetit, Drejtoresha juridike, Drejtori sektorit ekonomik- financiar, Drejtori i administratës, Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit, Asistente e Drejtorit te Përgjithshëm, Shefi i sektorit te kontabilitetit, Përgjegjësja e pastrueseve…. Te gjithë këta, (përfshi edhe juve) kane ardhur ne Radio Televizionin Shqiptar nga Qendra spitalore e Tiranës, ku ju keni qene Drejtor”, vijon Leka Bungo.
Po ashtu, ai akuzon drejtuesin aktual të Radio Televizionit Shqiptar se në krye të Departamentit të Prodhimit ka emëruar një inxhinier. Rregullorja, thotë Leka Bungo, kërkon që zv.drejtori të ketë qenë patjetër punonjës i Medias dhe të ketë jo më pak se 5 vite eksperiencë në media.
“Ndërkohë ai është emëruar (me komande) Drejtor i Prodhimit, e cila ka ne organiken e saj ka rreth njëqind e shtatëdhjetë punonjës, ku pjesa me e madhe janë Regjisore, operatore, Montazhiere, Skenografe, Piktore , me fjale te tjera ARTISTE. Dhe te gjithe keta udhëhiqen nga një INXHINJER! Po ky INXHINJER është emëruar Drejtor i Festivalit te Këngës ne R.T.SH”, vijon Leka Bungo.