9.5 C
Tirana
E shtunë, 14 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Letër “Aleancës së Tallavaistëve”!

    Nga Robert Aliaj

    Në një epokë ku muzika shqiptare mund të kishte qenë përshkuese e trashëgimisë sonë të pasur kulturore, ne akoma po vihemi përballë një cirku mediokriteti “tallavaist”. Këta të ashtuquajtur artistë, në një festival të vetëshpallur tempull të këtij zhanri, identiteti muzikor i të cilit ngjason më shumë me një miks motivesh sufllaqi, që fatkeqësisht vazhdon të dominojnë tregun.

    Shqipëria vazhdon të mbetet e bllokuar në një ngërç kulturor të orkestruar. Në këtë shpërthim të fundit të tallavasë u shfaq një risi, “Aleanca Ndërkombëtare e Tallavaistëve”, që po shkatërron shijet e publikut, duke sulmuar shpirtin e vërtetë të muzikës shqiptare. Tallavaja u bë ungjilli i shpirtit modern shqiptar në çdo aspekt politiko-shoqëror. Nuk po konsideroj fare estradën e vlerësimit të njëri-tjetrit në bazë të interesave. Ky shkatërrim kulturor ka implikime më të thella sesa thjesht një shije e keqe që i ofrohet publikut.

    Muzika e vërtetë supozohet të jetë një katalizator i mendimit dhe një orientim drejt bukurisë poetike, por ajo që na ofrohet është një parodi groteske mbeturinash ritmike.

    “Tallavaja”, ky xhihad mbi ndjeshmërinë e vërtetë artistike.

    Thelbi i problemit nuk është vetëm muzika, është etika pas saj. Çfarë mund të themi për një shoqëri kur përfaqësuesve të saj shpirtërorë u mungon mbi të gjitha integriteti artistik. Akoma më e keqe është bashkëfajësia e mundësuesve të tyre: sponsorëve, producentëve si dhe audiencës. Duke toleruar dhe konsumuar këtë saleté, ne kemi lejuar që mediokriteti të bëhet standard. Ky nuk është vetëm një dështim artistik, është mbi të gjitha moral. Ne po i servirim produkte kulturore të skaduara një publiku, që meriton më shumë në këmbim të disa momenteve kalimtare argëtimi të zbrazët.

    Ajo që është vërtet zhgënjyese është mundësia e humbur. Shqipëria ka një trashëgimi të jashtëzakonshme muzikore. Por në vend që të inspirohemi nga këto tradita dhe t’i lartësojmë ato, ne i kemi këmbyer me këto spektakle vulgare “Tallavadoide”, ku mungon jo vetëm arti, por edhe respekti për audiencën që pretendon të argëtojë.

    Pra, le ta themi me zë të lartë: “Poshtë tallavaja”! Mjaft me këtë paradë të servirur si kulturë!

    Respekto veten Shqipëri!

    Ndalo së shituri shpirtin për pëlqime! Potenciali ynë është i madh, por do të mbetet i parealizuar, nëse vazhdojmë t’i lëmë këta kllounë të rrëmbejnë narrativën. Muzika është një mision, jo një meme. Arti ka për qëllim të frymëzojë dhe të edukojë, jo të bëhet produkt konsumi me datë skadence në raftet e supermarketeve.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit