Përshëndetje burri im,
Po të shkruaj anonimisht, jo se nuk kam guximin të ta them në sy, por sepse për momentin nuk kam mundësinë. Do të doja shumë mos të të kisha njohur kurrë. Ndoshta atëherë nuk do t’i kisha përjetuar të gjitha këto gjëra. Ose ndoshta po, sepse thonë që fati është i shkruar.
Po të mos ishte për djalin tonë me aftësi të kufizuara, do ta kisha thënë me kohë: mos të pafsha më kurrë sytë, as ty e as familjes tënde të prapambetur, që të ka lënë kaq shumë trauma.
Po unë, çfarë faji kam në gjithë këtë?
Çfarë faji kam që ata të kanë mësuar se rolet janë të ndara? Që ti nuk bën punët e shtëpisë, nuk kujdesesh për fëmijët, nuk lan, nuk mbështet?
Çfarë faji kam që ti mendon se qëndrimi im me muaj të tërë nëpër spitale ishte “detyra ime”, ndërsa ti nuk kishe pse të ishe aty?
Sakrifica ime për familjen tonë është shumë e madhe. Lashë gjithçka që kisha në Shqipëri. Sot jam thjesht një emigrante, pa të ardhura, pa rrugëdalje, që kujdeset 24 orë në ditë për një fëmijë me nevoja të veçanta. Jo sepse më mungojnë aftësitë, ti e di mirë që do të kisha shkëlqyer kudo, por sepse më mungon mundësia.
Çfarë faji kam që ti mendon se ke të drejtë të ngresh duart mbi mua, të ulërasësh pa arsye, të besosh se çdo gjë duhet të bëhet kur dhe si do ti?
Jam mirënjohëse vetëm për vajzën tonë. Por në të vërtetë, i jam mirënjohëse vetes time, që për 10 muaj bëra gjilpëra, që qëndrova 6 muaj nëpër spitale, që luftova fort që ajo të vinte në jetë e shëndetshme dhe jo si vëllai i saj.
Më dhemb pa fund kur mendoj për të, sepse e di që ajo po rritet duke e parë këtë sjellje si diçka normale; që një burrë të bërtasë, të ngrejë duart, të shfryjë pa arsye. Por unë do përpiqem me gjithë forcën që kam që kjo të mos ndodhë. Do ta rris me dashuri, me kujdes dhe do ta mësoj të vlerësojë veten. Dhe në momentin e parë që të kem mundësi…
Do të të them: ik e pirdhu.
Do të doja të të thosha edhe shumë më tepër, por për tani kaq mjafton. Edhe pse nuk mundem ta nxjerr gjithë të keqen nga shpirti dhe nga lëkura, jam e sigurt që një ditë do ia dal.
Po të shkruaj anonim, sepse për momentin nuk kam mundësi të ta them ballë për ballë.
Me shumë, shumë keqardhje për versionin tim të tanishëm.
Shpresoj që një ditë t’i dëgjosh këto përballë, jo në letër anonime.
Lutuni për mua.
– Shkruar për Anabel nga një grua anonime, për rubrikën “Untold Stories”