Nga Viktor Malaj
Të dashur demokratë e demokrate, bij dhe bija të revolucionit tonë permanent, mishërues, bartës dhe luftëtarë të idealizmit të pashoq shqiptar! Sot, pas më shumë se 32 vjet nga revolucioni demokratik i vitit 1990, unë gjendem sërish në krye të luftës për liri e demokraci, në luftë kundër sistemit aktual monist, duke u sakrifikue për pluralizëm, liri të fjalës e të shtypit dhe për zgjedhje të lira e të ndershme, siç jua pata premtue në dhjetor 1990 dhe realizue më vonë, sido mos në maj 1996, në 2009 apo 2011. Ne vërtetë jemi sot shumë më pak se në dhjetor 1990, por ne përbëjmë pjesën më idealiste të shoqërisë shqiptare dhe, siç e dini, revolucionet i bëjnë pakicat idealiste dhe i firmosin shumicat pragmatiste. Që të bësh revolucion duhet të jesh idealist dhe i vendosur, ashtu siç kam qenë unë gjatë gjithë jetës time. Më lejoni t’ju kujtoj se ndjenjat e mija idealiste dhe demokratike më shtynë mue në vitin 1968, kur sapo kisha mbushur 24 vjeç, të kërkoj dhe bëhem anëtar i PPSH dhe, madje, të këmbëngul që tesera e anëtarit të partisë, si komunist besnik e idealist, të më jepej në datën 8 nëntor 1968, në përvjetorin e krijimit të PKSH-së. Do të thoni ju, se çfarë më shtyu mue të kërkoj anëtarësimin në atë parti komuniste.
Po, ja, siç e kam shpjegue disa herë, ishte Lufta Nacionalçlirimtare që ajo parti kishte udhëhequr që më nxiti t’i bashkohem lavdisë së saj. Pastaj sulmi i pabesë sovjetik kundër Çekosllovakisë e ndezi flakë revoltën time dhe ndjenjat e atdhetarizmit, ngaqë mendova se mund të na e bënin edhe ne të njëjtën gjë. Dhe, më në fund, kur dëgjova këngën italiane “O mami, mami blu” nuk u përmbajta dot dhe thashë: këtu ka fillue liberalizmi prandaj do t’i bashkohem kësaj partie legjendare për ta ndihmue në rrugën e saj të civilizimit. Mirëpo, çfarë ndodhi? Me kalimin e viteve, partia u plak dhe u vyshk dhe ata pleqtë e Byrosë Politike nuk po na hapnin rrugë mue dhe disa sekretarëve të tjerë partie rajonalë për të dalë në krye. E donin gjithë pushtetin për vete. Unë fillova me u idhnue dhe po mendoja si ta përmbysja atë regjim dhe diktatorin Hoxha.
Ballë për ballë nuk matesha dot me ta, prandaj nisa t’iu afrohem e lajkatohem derisa më pranuen si mjek të udhëheqjes. Aty unë u njoha me të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, dhe këtë mund ta vërtetoj me numrin e pafund të fotografive që kam bërë me ta. Madje, arrita të depërtoj deri në shtëpinë e diktatorit, të kaloj disa net i ulur në shiltet e shtëpisë së të birit dhe gjatë verës t’i vozis fëmijët e tij në ujërat e Liqenit të Pogradecit. Gjithë kohën mendoja si t’i eleminoj, me helm, me armë apo duke iu përmbysur varkën që vozisja në liqen. Po t’i shihni me kujdes dhe paanësi fotografitë që kam bërë me ta, do të vëreni pakënaqësinë dhe urrejtjen time ndaj tyre. Tashmë, unë isha bërë disident dhe, nga dita në ditë nuk mendoja gjë tjetër veçse rrëzimin e tyre dhe realizimin e revolucionit demokratik. Nuk mund ta duroja faktin që më mungonte liria e shprehjes së medimit, sepse gjë tjetër nuk më mungonte, mirëpo ajo mjaftonte të ndihesha pa dinjitet. Pra, unë vendosa të luftoj për dinjitetin tim vetjak, por edhe për çdo shqiptar. Unë i due fort shqiptarët dhe kam qenë i gatshëm qysh atëherë të sakrifikohem për ta.
Në gusht të vitit 1990, ish-diktatori tjetër Ramiz Alia na mblodhi ne intelektualëve në Tiranë dhe, me dhelpëri e hile, na pyeti se çfarë mendonim për pluralizmin politik. Unë u ngrita e thashë se duhej lejue pluralizmi i mendimit ndërsa pluralizmi politik ndoshta ishte i parakohshëm në Shqipëri. Kështu u shprehën të gjithë, përveç nipit të diktatorit Hoxha, profesor Luan Omarit, i cili, megjithëse daja ia kishte pushkatue të atin si kolaboracionist, pohoi pa droje se edhe Marksi nuk e përjashtonte ekzistencën e më shumë se një partie. Në dhjetor 1990, siç e dini, disa studentë dolën në protesta tek Qyteti Studenti dhe, fillimisht, kërkuan plotësimin e kushteve ekonomike dhe shkarkimin e pjesës më të madhe të udhëheqjes së atrofizuar komuniste. Mendova se më erdhi rasti për revolucion pasi, siç ka thënë Pindari, “rasti është mbreti i botës”. I zënë ngushtë, diktatori Alia më thirri mue në orën një të natës tek shtëpia e tij. Më kërkoi të shkoja tek Qyteti Studenti për t’u marrë vesh dhe qetësuar studentët protestues.
Vura re se ata nuk po më përfillnin pasi nuk ishin në gjendje t’i diktonin ndjenjat e mija demokratike të fshehura thellë në ndërgjegjen prej disidenti të fjetur. U ktheva dhe i raportova diktatorit dhe i thashë se studentët kërkonin takim me të pasi s’i besonin askujt tjetër. Ndërsa unë prisja që gjatë takimit studentët ta ekzekutonin diktatorin, siç kishin bërë me Çausheskun në Rumani, ndodhi ajo që s’pritej as mendohej: Studentët u morën vesh me të për mrekulli dhe, pasi ai iu premtoi lejimin e pluralizmit politik dhe miratimin e partisë që do të krijonin, u ndanë me buzëqeshje dhe ata i thanë atij: “Ju duam shumë, shoku Ramiz!”. Në këto kushte, s’kisha rrugë tjetër veçse të shkoja tek studentët, t’i përshëndesja ata dhe t’iu shprehja mirënjohjen time për diktatorin Alia si “udhëheqës i Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe i proceseve demokratike aktuale në Shqipëri”. Gjithë çështja ishte se çfarë duhej bërë me revolucionin dhe si të dilej në krye të tij. Fillimisht, unë vendosa të bëj revolucion në ndërgjegjen time dhe të shndërrohem si me magji nga idealist i majtë, që mbron dhe lufton për interesat e shtresave të mesme e të varfra, në idealist i djathtë që mendjen dhe shpirtin i ka tek pasanikët, biznesi dhe oligarkia.
T’ju them të vërtetën, nuk e pata fare të vështirë, pasi unë isha dhe jam një idealistpragmatist. Mirëpo, siç e dini, qëllimi i çdo revolucioni është marrja e pushtetit. I udhëhequr nga idealet e mija demokratike dhe atdhedashuria e pafund, iu priva të gjithë njerëzve të pakënaqur e të inatosur, sidomos atyre që kishin kaluar burgjet komuniste për krime ordinere, në djegien, shkatërrimin dhe bastisjen e të gjithë pro nës kolektive duke e shpallur atë “pronë e askujt” dhe duke i premtuar popullit se detet Adriatik, Jon dhe Mesdhe ishin mbushur me anije perëndimore që sillnin mallra për shqiptarët, me kushtin e vetëm që ata të votonin mue dhe partinë time që u krijue se, besoj ju kujtohet, diktatori u tha studenteve: “Për mendimin tim ju duhet të krijoni parti, jo shoqatë”. Dhe, ia arrita qëllimit pasi, siç ka pas thënë moralisti i famshëm Nikolla Makiaveli, qëllimi justifikon mjetet. Siç e shihni, gjithë jeta ime ka qenë dhe vazhdon të jetë revolucion, revolucion për idealet komuniste dhe revolucion për idealet antikomuniste. Unë s’jetoj dot pa revolucion. Për hir të idealeve dhe parimeve demokratike, unë nuk mund të lejoja që komunistët e pareformue, madje kriptokomunistët, të ma merrnin pushtetin, qoftë edhe me vota, prandaj në vitin 1996 ua mora me forcë duke mbushur kutitë e votimit me fletëvotime të gatshme për Partinë Demokratike, atë parti që përmbysi komunizmin, megjithëse u krijue pas dorëzimit të komunizmit dhe lejimit të plurlizmit.
Pasi kundërshtuen dhe protestuen në Sheshin Skënderbej, iu dhashë një dru të mirë që ta mbanin mend gjithë jetën dhe të mësonin një herë e mirë se nuk bëhej shaka me demokracinë dhe idealistët kapitalistë të udhëhequr prej një revolucionari të pamposhtur si unë. Fatkeqësisht, në vitin 1997 komunistët u kthyen në pushtet, me gjithë përpjekjet e mia demokratike, idealiste dhe atdhetare për t’i mposhtur protestuesit me ushtarë rezervistë të armatosur të dërguar nga Veriu në Jug të Shqipërisë. Mirëpo, a mund të pajtohej një revolucionar 24 karatësh si unë me një disfatë të tillë? Unë e kisha të qartë se kisha qeverisur në mënyrën më të mirë dhe më demokratike të mundshme, por ai ishte një komplot ndërkombëtar i udhëhequr, siç e pohoi qartë i ndjeri dhe i përndershmi Kryetar i SHIK-ut tim z. Bashkim Gazidede, nga CIA amerikane dhe zbulimet e vendeve fqinje. Kjo ishte arsyeja që në shtator 1998 i sulmova me armë të gjitha institucionet qendrore shtetërore dhe i mora, por vendet antidemokratike të Perëndimit, të udhëhequra nga SHBA dhe BE dhanë urdhër të tërhiqeshim pasi nuk do të njihnin asnjë qeveri të ardhur në pushtet me dhunë. Këta të mjerë nuk kuptonin se përdorimi i mitralozave, tankeve dhe flakëhedhësve nuk mund të konsiderohej dhunë. E kisha të qartë se kisha humbur vetëm një betejë të revolucionit, por jo revolucionin, pasi ai vazhdoi dhe ende vazhdon sa të jem unë gjallë dhe disa revolucionarë të tjerë që nuk më ndahen prej tri dekadash dhe që ndajnë me mua të njëjtat vlera morale dhe parime demokratike.
Pasi u riktheva me sukses në pushtet në vitin 2005, edhe me ndihmën e idealistëve të majtë të udhëhequr nga z. Ilir Meta, me të cilin kemi kimi të përbashkët dhe, siç e ka pohuar edhe ai vetë, ka lindur për revolucione dhe përmbysje, në vitin 2011 përballova një komplot tjetër kundërrevolucionar, të udhëhequr nga Bijtë e Etërve dhe në bashkëpunim me një Horr Bulevardi që e kisha bërë President dhe me një Lavire Bulevardi që e kisha bërë Prokurore të Përgjithshme. I vrava nja katër protestues dhe plagosa disa të tjerë, dhe pastaj kërkova një snajper sepse besoja se katër snajperë që ruanin zyrat e mia nuk ishin të mjaftueshëm, nevojitej edhe mbështetja dhe zelli im për mbrojtjen e demokracisë dhe të fruteve të revolucionit, siç ishte një aferë korrupsioni me zë e figurë ku personazh kryesor ishte zëvendësi im në Qeveri. Të dashur demokratë dhe idealistë të palëkundur! Nga viti 2013 e këtej ne demokratët dhe revolucionarët e vetëm të Shqipërisë jemi pa pushtet dhe duket si i pamundur rikthimi ynë i shpejtë atje ku ka qenë ëndrra jonë e përhershme dhe etja jonë e pashuar. Megjithëse thuajse 80 vjeç, unë vij sot përpara jush më i fuqishëm se kurrë, më i fuqishëm sesa atëherë kur isha 24 vjeç dhe iu bashkova revolucionit komunist. Pa diskutim, më i fuqishëm se në vitin 1990 kur iu bashkova revolucionit antikomunist.
Kam kalue shumë beteja unike në historinë time politike. Kundër meje tashmë janë sulur mafia qeveritare, më e rrezikshmja në Evropë, mafia e Edi Ramës, në bashkëpunim me besëprerin Lul Basha që e nxora nga gjiri im, të udhëhequr nga mafia më e rrezikshme ndërkombëtare. Kjo e fundit, e udhëhequr nga qeveritë e korruptueme amerikane e angleze, nën ndikimin dhe lobimin e ish-mikut tim personal Xhorxh Soros që na pat ndihmue me ardhë në pushtet në vitin 1992, më ka shpallur mue non-grata. Dhe cilin do të thoni ju? Shqiptarin më antikomunist që njeh historia, disidentin më të vjetër të regjimit komunist dhe revolucionarin e pamposhtur në idealet e tij demokratike. Mirëpo, unë bëra një zgjedhje epike, ashtu si heronjtë e baladave dhe legjendave tona, si Muji e Halili. Nuk u mposhta dhe as mposhtem. Vendosa të qëndroj. A isha unë prej shkëmbi? Jo! Por, më të forta se shkëmbi janë idealet që unë besoj dhe që i kam manifestuar prej gati 6 dekadash, si komunist dhe antikomunist. Nuk u përkula, qëndrova burrërisht para kërcënimeve, madje edhe nga një grusht që më dha në fytyrë mu në bulevard një i marrë, i frymëzuar nga ma fia dhe Edi Rama.
Prandaj, me modesti, ju them se kjo provë e madhe më faktoi mue se isha dhe jam njeri i pamposhtur në idealet e mia. Unë betejat s’i kam bërë as nuk i bëj kurrë për vete. I bëj për Shqipërinë dhe sh qiptarët. Besoj se e keni vënë re se gjatë gjithë jetës time politike revolucionare, kur ka ardhur puna për të vënë në peshore interesat e Shqipërisë dhe interesat e mija politike prej demokrati, unë kam zgjedhur të parat. Kurrë ndonjëherë nuk kam sakrifikuar më shumë për shoqërinë tonë sesa në këtë udhëtim timin. Sot jemi në një etapë të re të betejave tona revolucionare. Ju të gjithë e dini se Edi Rama ka rekrutue kryezbuluesin e vendit të madh, me një akt antiamerikan. Kjo tregon se kemi të bëjmë me një njeri dhe me një forcë politike antiperëndimore. Siç ju pati porositur, me të drejtë, besëpreri Lulzim Basha në vitin 2017, mos e quani më kryeministër Edi Ramën. Ai ka rënë. Në mos iktë vetë, do ta largojmë ne. Do ta hedhim në Lanë ose do t’i shkojmë tek shtëpia e tij në Surrel dhe do ta djegim si miun. Jemi demokratë dhe revolucionarë. Me ne nuk bëhet shaka.
Pse, kot i mbaj unë nga pas disa intelektualë dhe idealistë nga Bushati, Mamurrasi dhe Bathorja? Unë këtë revolucion nuk e bëj për vete, por për Shqipërinë dhe për Amerikën. A mund të pranoj dhe lejoj unë që kjo shumicë antiperëndimore të cenojë interesat dhe sigurinë kombëtare të SHBA-së, mikes time të përjetshme, me dashurinë ndaj së cilës dhe Kuvajtit më pati edukue babai im qysh kur isha fëmijë? Për Amerikën dhe për Shqipërinë jam gati të drejtoj çdo revolucion dhe të sakrifikohem në çdo moment. Nuk jam si Enver Hoxha unë, i cili, pas Zervës, ka qenë armiku më i egër i pop ullsisë çame sepse, për 45 vjet, çamët, shkodranët dhe ata minoritarët grekë i kishte në qendër të kasaphanës së luftës së klasave, kështu që çdo çam duhet të mendojë kur afrohet me nipin e Spiro Kolekës dhe djalin e Kristaq Ramës, ashtu siç mendoja unë dikur kur iu afrohesha anëtarëve të PPSH-së dhe vetë diktatorit. Vota e tyre duhet të shkojë për kandidaturën tonë të përbashkët me Partinë e Lekut në Himarë, zotin Fredi Beleri, një patriot i flaktë shqiptar i cili në fushatë do të paraqitet me flamurin e Vorio Epirit, duke shprehur dhe mbrojtur kështu interesat shqiptare. Unë jam revolucionar dhe ithtar i shtetit ligjor, i pavarësisë së organeve të drejtësisë prandaj nëse Gjykata e Apelit do të legjitimojë Alibashën si kryetar të PD-së në 3 mars, ne do ta djegim fare, do të hyjmë për 3 minuta në Parlament dhe do të sulmojmë institucionet me revolucion demokratik. PD është partia dhe prona ime. Unë kam 3 marsin, ashtu si z. Meta ka “popullin e 2 marsit”. Siç e shihni, pra, revolucioni vazhdon e marshon dhe do të triumfojë pasi udhëhiqet nga njerëz idealistë e atdhetarë. Bashkojuni revolucionit tonë dhe të jeni të sigurt se historia do ju kujtojë për mirë, si luftëtarë të Kauzës Non-Grata. Rroftë revolucioni!