12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Letër e hapur Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, nga një socialist

    Nga Fatos Tarifa

    E them qysh në fillim se këto radhë i shkruaj dashamirësisht për Partinë Socialiste, partinë në të cilën aderuan deri ditën e fundit të jetës së tyre prindërit e mi dhe për të cilën janë simpatitë e mia politike.

    Deri më sot, në zgjedhje të përgjithshme dhe në ato vendore kam votuar për kandidatët e kësaj partie, edhe nëse ata jo gjithnjë kanë qenë kandidatët më të pëlqyer për mua. Sidoqoftë, kanë qenë më të mirë sesa ata që kanë propozuar partitë opozitare.

    Por, në gjendjen që është sot, Partia Socialiste rrezikon – madje realisht – që të tkurret, të atrofizohet e të regjimentohet edhe më tej.

    Kjo më shqetëson pasi, në konstelacionin politik të shoqërisë shqiptare, unë i shoh fatet e vendit të lidhura më shumë me fatet e kësaj partie, sesa me fatet e partive të tjera politike, të cilat, edhe ato, nuk dëshiroj t’i shoh në gjendjen që janë sot, por dëshiroj të jenë një opozitë e shëndoshë dhe vitale, progresiste dhe vizionare. Një opozitë e shëndoshë e vitale është kusht për një demokraci të shëndoshë e vitale.

    Partia Socialiste, e cila, në këto më shumë se tri dekada të fundit, ka qenë dhe mbetet partia politike më e madhe e vendit, gjendet sot para një nevoje të domosdoshme dhe imediate për ndryshim. Kjo parti e ka drejtuar Shqipërinë për 18 vite, pra për më të shumtën e kohës dhe s’mund të mohohet se qeveritë e dala nga fitoret elektorale të kësaj partie kanë bërë shumë për ta transformuar dhe modernizuar këtë vend, shumë më tepër sesa partia kundërshtare e saj, Partia Demokratike, siç e kemi njohur atë deri dje.

    Në fakt, pavarësisht, kritikave që mund t’u bëhen socialistëve kur kanë qeverisur vendin, arritjet e derisotme në Shqipëri, në çdo sferë të jetës e të aktivitetit ekonomik e shoqëror, në nivel kombëtar e lokal, nuk do të kishin qenë të mundura pa kontributet e gjithanshme të qeverive socialiste.

    Partia Socialite mund të vazhdojë – dhe me çdo gjasë do të vazhdojë – të qeverisë edhe pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025, këtë herë jo aq për meritat e saj, sesa për mëkatet dhe dobësitë e një opozite të përçarë. Por, që Partia Socialiste të mbetet forca politike kryesore e vendit dhe të vazhdojë edhe më tej ta orientojë progresin ekonomik e shoqëror të tij dhe t’i ndihmojë këtij progresi, ajo duhet të hapet, të hapet realisht dhe të demokratizohet. Hapja dhe demokratizimi i saj janë një imparativ i kohës.

    Hapje e PS-së do të thotë, në radhë të parë, tërheqje e pjesës më të madhe të rinisë së arsimuar dhe të shtresës së mesme të profesionistëve për t’u dhënë mundësi këtyre shtresave të gjera të popullsisë së vendit të përfaqësohen në organet drejtuese të partisë dhe të ndihen pjesëmarrës dhe aktorë realë në lëvizjen historike për modernizimin dhe europianizimin e shoqërisë shqiptare, jo të tjetërsuar nga politika dhe nga qeverisja.

    Potencialet intelektuale dhe vullneti i këtyre shtresave për t’i shërbyer progresit të mëtejshëm të vendit janë, ndoshta, asetet më të mëdha që kemi, nëse dimë t’i mobilizojmë rreth kauzave të mëdha dhe t’i bëjmë pjesëmarrëse aktive për realizimin e këtyre kauzave.

    Demokratizimi i PS-së është po aq i domosdoshëm për të sotmen dhe për të ardhmen e kësaj partie dhe të mbarë vendit. Fatkeqësisht, në gjykimin tim, PS ka ardhur duke u çdemokratizuar, jo duke u bërë më demokratike; ajo ka ardhur duke u çideologjizuar, jo duke iu përmbajtur principeve të socialdemokracisë; ajo është shndërruar në një parti elektorale dhe, ipso facto, në një parti kryesisht parlamentare, por nuk është më një parti e shtresave të mesme dhe të varfra të shoqërisë shqiptare.

    Nëse deri më sot pjesa më e madhe e këtyre shtresave kanë votuar për Partinë Socialiste, kjo ka ndodhur sepse partitë opozitare nuk kanë qenë dhe nuk janë një alternativë më e mirë. Por kjo rrethanë mund të ndryshoje për tri arsye kryesore:

    Së pari, ndryshimet demografike në shoqërinë tonë po i ndryshojnë dhe do i ndryshojnë edhe më tej strukturën, fizionominë, pritshmëritë dhe pëlqimet e elektoratit shqiptar.

    Së dyti, zhgënjimet nga pritshmëritë e parealizuara e dekurajojnë elektoratin dhe mund të bëjnë që një pjese e elektoratit të ri (më pak e atij tradicional) të ndryshojë sjelljen e vet duke votuar për ndryshimin e kuajve në pushtet, edhe nëse rezultati i kësaj sjelljeje elektorale mbetet i panjohur.

    Së treti, zbulimi i rasteve të shumta të korrupsionit në nivele të larta të qeverisjes qendrore dhe vendore e kanë tronditur besimin e qytetarëve (në radhë të parë të votuesve socialistë) te cilësia e qeverisjes dhe te drejtuesit e saj.

    Tronditjen e besimit vetëm një hap e ndan nga humbja e tij. Dhe humbja e besimit të qytetarëve te institucionet shtetërore dhe tek ata që i drejtojnë këto institucione çon mē humbjen e besimit në kredon politike të asaj partie që i drejton këto institucione.

    Kjo, nga ana e vet, mund të çojë në çmobilizimin e një pjese të mirë të votuesve tradicionalë dhe atyre potencialë të PS-së. Të mos ju duket çudi. Ka ndodhur gjetiu, mund të ndodhë edhe këtu.

    Qëndrimi për një kohë të gjatë në pushtet i konsumon kredon politike dhe energjitë krijuese e realizuese të një partie politike, e bën më të mundshëm korrupsionin në çdo nivel të qeverisjes, siç i bën më pak atraktive e të besueshme për elektoratin edhe premtimet e saj. Demokracitë më të shëndetshme kanë qenë dhe janë ato, në të cilat, në kushtet e një zhvillimi normal, asnjë parti politike nuk ka mundur të qendrojë në pushtet për një periudhë kohe të gjatë.

    Elektorati shqiptar gradualisht – por realisht – po depolarizohet, duke u bërë më pak emocional dhe më shumë racional. Ekstremet në të dy krahët e tij po rrallohen në numër dhe po çmobilizohen. Vetë partitë politike, bashkë me besimin e qytetarëve po humbasin terren në fushën e luftës politike.

    Nëse Partia Socialiste vazhdon të marrë më shumë vota, kjo, siç vura në dukje më sipër, jo domosdo ndodh për meritë të saj, por në një masë gjithnjë e më të madhe ndodh për shkak të shkërrmoqjes së partisë opozitare më të madhe dhe gabimeve të përsëritura e fatale të saj.

    Paradoksalisht – dhe për fatin e keq të saj – aleati më i madh i Partisë Socialiste sot janë jo qytetarët shqiptarë, por Partia Demokratike, e përçarë dhe e shpartalluar nga një “luftë civile” brenda saj. PS është në lojë me një konkurrent të dobët, por kjo rrethanë e ka dobësuar dhe po e dobëson edhe më tej vet këtë parti.

    Ku nuk ka garë, nuk ka arritje, ose arritjet nuk janë të mëdha. Ku nuk ka opozitë të vërtetë, rreziku që partia në pushtet të bjerë në vetkënaqësi dhe në letargji është real. Kur nuk të konteston në zgjedhje një opozitë e fortë, vetë fitorja në zgjedhje të duket një sukses i madh dhe i merituar. Gjithçka fillon me atë fitore elektorale, mbetet tek ajo fitore dhe mbaron me të.

    Partia Socialiste mund të fitojë edhe një mandat të katërt për të drejtuar vendin, por një mandat më shumë duhet të ketë si premisë jo thjesht një opozitë të dobët, por arritje më të mëdha të qeverisë socialiste në këtë mandat të tretë të saj.

    Vetë Partia Socialiste lipset të bëhet më shumë socialiste nëse, me Edi Ramën në krye të saj, kësaj partie, veç emrit, i ka mbetur gjë tjetër që mund të quhej vërtet socialiste. Unë kam përshtypjen se leximi që z. Rama u ka bërë fitoreve elektorale të PS-së është jo tërësisht i saktë.

    Socialistët shqiptarë dhe ata qindra mijë qytetarë të këtij vendi që kanë votuar për kandidatët e Partisë Socialiste kanë votuar jo për Edi Ramën, por për Partinë Socialiste. Ata kanë votuar për Partinë Socialiste edhe kur në krye të saj nuk ka qenë z. Rama. Në fakt, për shkak të mungesës së demokracisë së brendshme në PS, z. Rama nuk është më i sigurt nëse ai vetë gëzon ende përkrahjen e shumicës së anëtarëve të kësaj partie, ose të organeve drejtuese të saj.

    Unë e shoh jo pa shqetësim qëndrimin e z. Rama kaq gjatë (18 vite) në krye të Partisë Socialiste. Kaq gjatë, 18 vite, qëndroi në krye të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik Leonid Brexhniev. Jian Zeming qëndroi në krye të Partisë Koministe të Kinës më pak (14 vite) sesa z. Rama në krye të PS-së.

    Në zgjedhjet legjislative të vitit 2025, z. Rama do të jetë në krye të Partisë Socialiste për plot 20 vite, aq gjatë sa ç’kanë qendruar në krye të Partisë Komuniste të Kinës dy liderët e fundit të asaj partie, Hu Jintao (10 vite) dhe Xi Jinping (10 vite deri më sot).

    Kjo nuk më duket noramale në një vend demokratik. Në një vend demokratik, sidomos kur demokracia është ende e brishtë, shkalla e demoracisë në mënyrën e qeverisjes mund të vlerësohet e matet me shkallën e demokracisë brenda partive politike, sidomos të partisë që ka shumicën në parlament dhe, për këtë arsye, drejton pushtetin ekzekutiv.

    E di që ka socialistë, madje edhe miq e shokë të mi, që do të më kritikojnë për këto mendime që i shpreh këtu hapur dhe dashamirësisht. E kanë bërë edhe herë tjetër, duke menduar se me këtë qëndrim kritik që mbaj ndaj drejtuesit të PS-së i bëj një shërbim të vyer Berishës. Kjo, sigurisht, është gjëja më e pavërtetë. Berisha vetë është epitoma më e keqe e uzurpatorit të partisë së vet, të cilën, edhe pas dorëheqjes dhjetë vite më parë, kërkon ta marrë sërish në duart e tij.

    Kritikat konstruktive e dashamirëse që unë bëj nuk kanë tjetër qëllim veç të evidentojnë një realitet të caktuar dhe të ndihmojnë, në mos z. Rama dhe drejtuesit më të lartë të PS-së, publikun e interesuar për të kuptuar rreziqet që sjell qendrimi i gjatë i të njëjtëve njerëz të krye të një partie politike dhe në krye të një qeverie.

    Një praktikë e tillë rrezikon të çojë në personalizimin e partisë e të qeverisjes dhe në krijimin e një “despotizmi kryeministror”.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit