23.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Letër nga fshati, analistit tim…

    I dashur F.!
    Dje u mërzita me të dashurën. Ajo tha se, ti, ose je fshatar i qytetit, që nuk do ta kujtosh më fshatin e lindjes, ose je qytetar i kryeqytetit, që nuk e pranon se në Shqipëri ka edhe fshatra joturistikë. Kjo m’u duk e qëllimtë, pasi ajo e di që unë të vlerësoj TY mbi të gjithë të tjerët që dalin në darkë në televizor.

    Doja ta shaja, por babai i saj mban armë në shtëpi, ndaj heshta me gojë, por jo me mendje.

    Mbrëmë u ktheva në mesnatë në shtëpi, pasi sajova një rrugë mes tokës për të hyrë autokombajna. U mërzita edhe më tepër kur më tha xha Selmani se është rritur çmimi i korrjes së grurit. Sot herët, çova qumështin e darkës në baxho, mbusha vjedhurazi në kanalet e tokës së Sadikut thesin me bar për lopën, spërkata hardhitë se u ka rënë vrugu, lexova dy mësime për provimin me zgjedhje dhe zbrita në qytet të shkruaj këtë letër për ty, me kompjuter, që të dish ç’bëhet konkretisht në fshat dhe ajo mos të bëjë më eksperimente me ty.

    Fshati im nuk është shumë larg qytetit, por asnjeri nuk ka kompjuter, as në shkollë nuk ka. Unë jam i vetmi që di të shkruaj me kompjuter, sepse vija të shtunave të këtij dimri në kurs, me lekët që më jepte Malua, se i pastroja ullinjtë. Tani nuk e vazhdoj më kursin, se Malua s’ka me lekë. Para një muaji ai bleu një makinë, se thoshte që një herë jeton njeriu. Mori dhe ca borxhe për të. “Kur po merr Kryeministri borxhe pa hesap për të bërë rrugë, pse të mos marr edhe unë për të kaluar në to?”- kështu tha ai, si me të qeshur dhe e bleu. Njerëzit i dhanë, se ai ka djalin në Greqi, por kur erdhi, Afrimi u zemërua keq se, përveç borxheve, ai i kishte prishur edhe lekët e kursimeve për shtëpinë e re. E dëgjova kur i tha të atit: “Na zbathe b…thën fare. Paguaji vetë, se unë s’shkel më në shtëpi”

    Gjyshja ime më thotë gjithmonë: “Bir, o bir! Yt atë në Greqi e ti në Shqipëri, njësoj. Vdekje që më harrove. Harxhoj edhe unë, o bir, djersën tuaj, me ilaçe e sëmundje. Pensioni s’më del që i daltë shkuma…” Mua më dhimbset dhimbja e saj.

    Nënën e shoh rrallë. Ajo bën të gjitha punët e tokës dhe të shtëpisë që prej 15 vjetësh. Është burrëruar tashmë dhe nuk ia kam më frikën po ika në shkollë të lartë.

    Fatimeja është e lumtur se fejoi Mirjanën në Greqi. Mirjana nuk e ka parë akoma burrin, por ka parë vjehrrin dhe vjehrrën. Merita lindi në shtëpi, sepse një çun i fshatit tjetër kërkoi shumë lekë që ta çonte me makinën e tij në spitalin e qytetit. Xha Lamja vdiq dhe ne e mbajtëm arkivolin e tij në krahë me shumë se 2 km, se rrugën e vjetër të varrezave e zuri Altini, kur u zemërua me kryeplakun, ngaqë ai nuk e vuri roje.

    Nusja e Agronit qan shumë, se i është paralizuar vjehrri dhe ajo e lan pa dorashka. Nga kjo, ajo është dobësuar shumë. Agimi humbi celularin kur po korrte jonxhën dhe Fatmiri ia gjeti duke i bërë zile. Jonxha dridhej nga kënga “Hopa-hopa” e Ponit.

    Para dy ditësh ra shi dhe rruga u bë llucë. Gomari i Petritit, i ngarkuar me 4 thasë patate rrëshqiti dhe Petriti e rrahu keq të shkretin. Vajta edhe unë me ca të tjerë e i mblodhëm patatet e llucuara.

    Valbona u sha keq me Gridën, se kjo i tha që vjen shumë erë djersë. Nuk kemi të gjithe puse… Sonila e Çeços, në dasmën e vëllait, vuri një buzëkuq që ia solli i fejuari nga Italia, por asaj iu frynë shumë buzët, se i bëri alergji. Ashtu duket më e bukur, ndaj, tani asaj i flasin Sonila e Meços. Klajdi na tregoi në telefon disa video që ia dërgoi nga Tirana kushëriri i tij. Ai tha se jeta e qytetarëve ka kuptim, kurse ne jetojmë kot.

    Në fshatin tonë erdhën të gjithë politikanët e mëdhenj të partive të vogla dhe një politikan i vogël i partive të mëdha. Unë doja të shkoja tek këta që kanë dalë si të rinj, por gjyshja tha: “Unë kam kaluar Zogun, italianin, gjermanin, Enverin me të pjellët dhe të gjithë na kanë lënë shurrën e lopës. Meqenëse je në vendin e tyt ati, do shkosh tek te gjithë”.

    Shkova i dëgjova në mbledhje. Të them të drejtën, u dëshpërova dhe u mërzita, se kuptova diçka: që ata na kujtojnë budallenj ne… Premtuan gjithçka, por këtu në fshat e dimë që njeriu nuk mund të bëjë gjithçka. Nejse. Po u bënë zgjedhje të reja në Himarë, babai do gënjejë sikur është grek që të vij me autobus falas në Shqipëri medemek për votime. Jam shumë i gëzuar që do vijë, se më duhen lekë për mbrëmjen e maturës. Kam vetëm një problem: nuk di në duhet ta marr diplomën me emrin shqiptar, Arjol, apo me emrin grek, Apostol, që ma ka ndërruar babai, kur shpresonte të na merrte në Greqi. Ti je mirë, se ca të flasin me mbiemër, nuk ta kërkon njeri emrin mbrapsht, por ç’të bëj unë?!

    E shtrydha ditën dhe veten për të të shkruar, por ti nëse ke kohë, lexoje letrën time, nëse s’ke kohë, lëre mënjanë, që ta lexosh kur të mundesh, Duke të parë ty në televizor teksa u jep alternativa politikanëve dhe bashkëkombësve se si të administrojnë atdheun, unë ngazëllehem dhe pres edhe me vite.

    Të dërgoj ty dhe shokëve të tu të punës, të fala nga fshati.

    Toli!

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit