11.5 C
Tirana
E martë, 22 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Letër pastorale, një fisniku të vërtetë! Akili i shkruan Saliut…

    Nga Viktor Malaj

    Më lejoni t’i uroj Doktorit jetë të gjatë dhe sa më aktive në politikë… Plagët, në çfarëdolloj moshe e fisnikërojnë më shumë burrin… Një familje e harruar, e tjetërsuar, e lënë në harresë për mbi 30 vite tranzicion në Shqipëri është atentat që i bëhet jetës… Një burrë shteti si Berisha nuk ka më çfarë të humbi në jetën e vet. Besoj që njerëzit e së mirës, që besojnë tek disa vlera, duhet të bëhen bashkë, të qëndrojnë bashkë…”.

    Akil Pano – pastor

    I dashur z. Sali!

    Unë quhem Akil dhe kryej detyrën fetare dhe fisnike të pastorit. Prindërit e mi, duke qenë admirues të historisë së lashtë greke dhe, veçanërisht, të heroit kryesor të luftës së Trojës, Aklit të famshëm, më pagëzuan me këtë emër qysh në lindje. Ata i adhuronin luftëtarët e paepur dhe po kështu edhe unë.

    Duke qenë adhurues i heronjve legjendarë, unë kam parë tek ti një të tillë i cili, ashtu si Akili që vrau Hektorin, edhe ti me guxim dhe trimëri të rrallë vrave, pas vdekjes, heroin legjendar E. Hoxha dhe vazhdon ende të sfidosh cilindo kundërshtar që të del përpara në rrugën tënde të pafundme drejt pushtetit.

    Duke qenë edhe unë, ashtu si ju, për nga natyra luftarak e guximtar, ju kam adhuruar qysh në fillim dhe ju kam ndjekur me admirim në të gjitha betejat tuaja për pushtet, drejtësi e moral. Përveç këtij tipari të përbashkët, ti dhe unë, ashtu si Akili, kemi edhe një gjë tjetër të përbashkët, e cila përbën edhe Thembrën tonë Akiliane, ose pikën tonë të dobët, të cilën nuk kanë arritur ende armiqtë tuaj ta zbulojnë dhe t’ju godasin në të: Hipokrizinë, pasi propagandojmë të tjera gjëra dhe të tjera gjëra bëjmë në jetë. Kjo na ka siguruar suksesin deri tani dhe, besoj, edhe në të ardhmen.

    Meqë jemi këtu, ndoshta do të ishit kureshtar të dinit pse zgjodha zanatin që tashmë ushtroj prej shumë kohësh, atë të pastorit. Duke qenë një i krishterë i mirë, i drejtë dhe i ndershëm, unë vura re se qenia e popullit krejtësisht i shkolluar si dhe ekzistenca e kishave dhe priftërinjve aty-këtu nuk ishin të mjaftueshme për përhapjen e fesë dhe të Fjalës së Zotit, prandaj vendosa të kontribuoj edhe unë sa të mundem.

    Duke parë se sivëllezërit e mi në Perëndim janë bërë milionerë duke propaganduar Biblën dhe fenë e Krishterë, të cilat në thelb janë kundër pasurisë dhe zotëruesve të saj, edhe unë u frymëzova të ndjek rrugën e tyre.

    Siç e dini, regjimi juaj i parë politik i urryer i para 1990 nuk na lejonte të propagandonim fenë tonë, madje as të besonim dhe, rrjedhimisht, nuk kishim kurrfarë mundësishë për t’u pasuruar. Ishte lufta juaj e paepur për të sjellë sistemin e sotëm demokratik që na i krijoi këto kushte, prandaj e ndiej si detyrim moral dhe fetar t’ju shkruaj dhe t’ju falënderoj për kontributin tuaj në të kaluarën dhe t’ju shpreh gjithë mbështetjen time për të ardhmen shekullore.

    Siç mund ta dini, themeluesi i fesë time thoshte se “Pushteti im nuk i përket kësaj bote”, pasi është një pushtet shpirtëror dhe jo material, mirëpo ne “shërbëtorët” e tij, “barinj” të popullit jemi përvëluar vazhdimisht ndër shekuj për sadopak pushtet në këtë botë dhe kemi sunduar për një kohë të gjatë grigjën popull në shumë hapësira të banuara, sidomos në Perëndim.

    Krijuesi i fesë tonë ua prishi mallrat tregtarëve të cilët kishin bërë sakrilegj duke zaptuar tempujt dhe ua hodhi ato përjashta pasi, sipas tij, i kishin kthyer vendet e faljes në “strofka hajnash”, ndërsa ne i kemi shpallur tregtarët idhujt dhe shpëtimtarët tanë. Sigurisht që ju e kuptoni domethënien e faktit se objektet më luksoze e të shtrenjta sot në botë janë ato fetare ku propagandohet feja e Atij që i përçmonte më shumë dashnorët e parasë dhe gjahtarët e pasurive!

    Megjithëse feja “ime” është konsideruar gjithnjë si “feja e të varfërve” dhe mbrojtëse e tyre, ne, thuajse gjithmonë kemi lidhur aleancë me të pasurit dhe kemi mbajtur anën e tyre. Kritika dhe ndëshkimi ynë më i rreptë kundrejt të pasurve ka qenë e mbetet lutja për t’iu dhënë lëmoshë të varfërve. Ne jemi pikërisht si politikanët “e majtë” modernë që propagandojnë politikat dhe mbrojtjen e interesave të “shtresave në nevojë”, por aleancat e  “shenjta” i bëjnë me të pasurit dhe bëjnë çmos për të mbrojtur interesat e tyre sepse “ata krijojnë vende pune”.

    Bibla na mëson se “Nuk mund t’iu shërbesh njëkohësisht dy zotërinjve: edhe Zotit edhe pasurisë!” dhe se “Aq sa hyn deveja nëpër vrimë të gjilpërës, aq mund të shkojë i pasuri në parajsë!”. Ne pastorët, ashtu si edhe priftërinjtë, ua themi këto çdo javë grigjave tona, por ndërkaq mbajmë parasysh faktin se, sa më shumë vite dhe shekuj kalojnë nga vdekja e Krishtit dhe sa më moderne bëhet bota, aq më shumë ndryshojnë dhe “përsosen” parimet dhe kriteret e pranimit në Parajsë dhe të mbylljes në Ferr.

    A e keni vënë re sa lart është ngjitur sot kulti i parasë dhe pasurisë, adhurimi ynë për to dhe për zotëruesit e tyre, veçanërisht në vendet dhe tek popujt ku ushtrimi i fesë ka qenë vazhdimisht i lirë?!

    Duke pasur parasysh sa më sipër si dhe mësime të tjera të Biblës, të cilën unë propagandoj me devocion, kam qenë dhe jam adhuruesi dhe përkrahësi juaj pa kushte. Vërtetë njëri nga dhjetë Urdhërimet e Zotit thotë: Mos Vra! mirëpo ti ke vrarë me arsye sepse ke vrarë të pafetë të cilët, me duar në xhepa, siç e ke përsëritur disa herë, të sulmuan për të të marrë pushtetin.

    Vrasjet për marrjen apo mbajtjen e pushtetit edhe mund të justifikohen, veçanërisht nga njerëz si unë që jetoj, madje shumë mirë, me ligjëratat dhe shpjegimet e Biblës.

    Nga ana tjetër, në Bibël thuhet se nuk duhet shpifur dhe marrë nëpër gojë të tjerët, mirëpo ti e ke bërë këtë qindra herë kundrejt kundërshtarëve të tu politikë dhe je dënuar disa herë nga gjykata për shpifje. Këto fakte nuk i ulin vlerat tuaja dhe je i justifikuar pasi i ke bërë këto kundër të pafeve dhe atyre që të rrezikonin pushtetin e kësaj bote. Vërtetë feja “ime” na urdhëron të mos lakmojmë gjërat e huaja, ndërsa ju u bëtë përkrahësi kryesor i shtegtarëve që grabitën pronat e huaja pas vitit 1990, mirëpo ju e bëtë këtë nga dashuria për popullin dhe dhembshuria për të varfërit të cilët regjimi komunist i kishte lënë për shekuj të tërë nëpër male e gërxhe.

    Megjithëse Zoti më urdhëron të mos adhuroj tjetër përveç Tij, unë kam zgjedhur t’ju adhuroj ju këtu në tokë dhe t’ju uroj jetë të gjatë dhe aktive në politikë, të paktën deri nga fundi i këtij shekulli. Ju keni përballuar me sukses çdo goditje nga brenda dhe jashtë vendit, edhe kur gjermanët ju kanë shpallur “ordiner i rrezikshëm”, anglezët si “kreu i regjimit gangster”, ashtu edhe tani që anglo-amerikanët ju shpallën non-grata si minues i demokracisë dhe përkrahës i korrupsionit.

    Këto goditje dhe plagosje ju kanë bërë më fisnik dhe po kështu do të ndodh edhe në të ardhmen. Ju jeni i paepur dhe ashtu duhet të mbeteni, sepse, siç ka thënë politikani i madh Agim Nesho (alias Gimi i Puros), të cilit ju i patët burgosur dikur babain dhe gruan gjyqtare, “Qytetarët shqiptarë kërkojnë një lider të dedikuar dhe me karakter të fortë e me vizion. Populli kërkon që këta të drejtojnë një lëvizje opozitare që t’i numërohen votat (si në 1996, 2009 dhe 2011) dhe të njihet vullneti i popullit. Për opozitën këta, Berisha dhe Meta janë figurat e duhura“.

    Janë raste të rralla kur njerëzit, si z. Nesho, e vlerësojnë lart rolin riedukues të liderit dhe janë gati të sakrifikojnë edhe prindërit e familjen vetëm për hir të vizionit të liderit, për të mirën e popullit dhe, sigurisht, për ndonjë karrige të ardhshme pushteti për vete.

    U mahnita nga guximi dhe fisnikëria juaj dhe e z. Meta kur pashë videon ku ju shfaqeshit krenarë dhe të paepur në bulevard përpara godinës së Qeverisë, me vështrimin e përqendruar tek zyra kryeministrore, ndërsa “iu bashkoheshit” protestuesve kundër aksidentit detar të Himarës. Nuk ka dyshim se ajo zyrë është e denjë vetëm për njerëz fisnikë si ju. Historia njeh pak, ose aspak, guximtarë të tillë që shkojnë të protestojnë për vdekjen e një fëmije nga një aksident ujor, pikërisht në vendin ku 11 vjet më parë kanë vrarë katër qytetarë dhe lënë jetimë dhjetë fëmijë, sepse ata katër qafirë kërkonin t’iu merrnin pushtetin me pahir.

    Megjithëse dalja juaj në skenën politike shqiptare shënon edhe tatëpjetën e familjes shqiptare, unë shoh tek ju njeriun e duhur dhe të vetëm që mund të shërojë këtë plagë. Vetëm një burrë shteti si ti mund ta bëjë këtë. Ju vërtetë keni qenë në pushtet thuajse gjysmën e këtyre tridhjetë viteve kur ka ndodhur rrënimi i familjes shqiptare nëpërmjet divorceve, dhunës brendafamiljare dhe prostitucionit, por ju duhej të kishit qenë në pushtet pa ndërprerje këto tridhjetë vjet dhe treqind të tjera, në mënyrë që punët e Shqipërisë të shkojnë mbroth.

    Kjo është arsyeja që unë u ndjeva mirë dhe krenar kur më thirrët në diskutimin për të ardhmen e familjes shqiptare.

    Duke pasur parasysh këto dhe shumë të tjera, unë iu bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të bashkohen me ju, si njerëz të së mirës që besojnë tek disa vlera, si ato që ju tashmë i keni demonstruar pandërprerë këto 32 vjet. Për këtë arsye, edhe gjatë predikimeve të mija, në emër të Biblës dhe të Zotit, do iu bëj thirrje ndjekësve të mi, të bashkohen rreth teje si njeriu më fisnik dhe më i denjë për këtë popull, hallet e të cilit përpiqem përditë të ndreq.

    Gjithashtu, do i lutem Zotit që të mos dalë ndonjë Paris, si ai trojani i famshëm i lashtësisë që t’ju godasë në pikën tuaj, dhe timen, të dobët, në hipokrizinë që na karakterizon midis atyre që themi dhe atyre që bëjmë, se, përndryshe do ju vrasin përjetësisht dhe pastaj, vajmedet për Shqipërinë dhe shqiptarët!

    I juaji deri në amshim

    Akili

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit