Nga Adriatik Doçi
Kanë kaluar tre-katër ditë që kur doli lajmi se Zambaku hakёroi SPAK-un dhe që kur mallisti me portal nxjerrë si diarre pjesë të një dokumenti të Ols Dados dhe Altin Dumanit që e quan ‘PËRGJIMET’. Dolën përgjimet, përgjimet, përgjimet… bombat, përgjimi dita kaq, ora aq, ai i tha asaj t’i thotë atij, i thuaj fort; presing, t’a pastrojë ose ai i tha asaj që Ulsiu është “qelbësirë” dhe do ta mbysë me thonj!!!!
Pra, të gjitha ‘PËRGJIMET’ janë në vetën e tretë. Asnjë përgjim për be. Asnjë përgjim real, i transkriptuar origjinal. Një karagjozllëk që do e shpjegoj pak më poshtë.
Më vjen të plas që nuk kam emrin aty, që mallisti s’më gjeti dot as me emër apo iniciale. Do të doja të isha emri më i lakuar në përgjime.
Unë kam qenë, jam dhe do të jem një nga mbështetësit realë të SPAK. Kam çuar në SPAK edhe kallëzime, të cilat janë kthyer në çështje penale. Mediat e lakuara në përgjime, Top Channel, Report Tv, gazeta Tema, gazeta Dita, janë aleatët e vërtetë të SPAK. Mero Baze dhe Carlo Bollino janë ndoshta mbështetësit më epikë të SPAK dhe Reformës në Drejtësi në Shqipëri.
Megjitjatë, disa lajme “antiSPAK” për çështjen Veliaj, i kam shkruar vetë me emër e mbiemër, pa marrë ndonjë telefonatë nga burgu i Durrësit. Pa reklama, leje, licenca apo tendera. Pse duhet konsideruar anomali apo sëmundje për të mbajtur qëndrime që nuk reflektojnë interesa materiale?!
U denigrua prokurori – thonë fuksat e mediave, thotë mallisti, thotë tarallakja që nuk i pëlqen as emri i vet e jo më gruaja e Veliajt, thotë sorra e kronikës së zezë e kështu me radhë disa të tjerë e të tjera, që u erdhi dita t’i vendosin me shpatulla pas murit moral gazetarët dhe mediat e rënda televizive.
Madje, njëra që ka marrë para nga bashkia dhe qeveria me tre kompani dhe që u bë gazetare pasi doli në vitin 2014 nga zyra e një ministri, arriti parmbrëmë tek një emision të na kërkojë “dorëheqjen” nga gazetaria.
Po pse u denigrua prokurori? I hynë te notat, në familje, etj. etj., thonë fuksat dhe fukset. Se për tjetrin (Dumanin) thonë që “nuk e përmendin se kanë frikë”.
Asnjë lajm ose fakt për Ols Dadon nuk ka pasur përgënjeshtrim nga askush. Si u denigrua atëherë? Duke i thënë: urdhëro CV-në, urdhëro shkollimin me katër muaj pauzë filozofike në Athinë, urdhëro emërimin e paligjshëm prokuror, urdhëro ligjin, urdhëro emërimin e paligjshëm në KLP, urdhëro mbledhjen e KLP-së, urdhëro lejen dhe pallatin në mes të Tiranës, urdhëro yt bir me Range Rover të kuq si bir politikani, që e di gjithë Durrësi në një kohë kur fëmijët durrsakë s’kanë bukë të hanë dhe i hipin gomoneve për Angli, urdhëro Prokuroren bjonde me emër mbiemër, protektoren e karrierës tende, urdhëro si flet në sallë t’gjyqit sikur je n’majhane dhe pa respekt. A nuk meritojnë pak respekt ata që do t’i fusësh në burg? A ka ndonjë gënjeshtër në dokumentet publike zyrtare o fuksa?
Nuk publikova shumë fakte mbi moralin para dhe pas martesës, ngacmimet e magjistrateve, as vendimin e divorcit. “Qejfliu Dado ka një tjetër shoqe edhe te AKSHI” më shkruante një burim, me emër e mbiemër. Nuk e publikova mesazhin e gjatë, vetëm nëse do vërtetoja se kjo grua e martuar mbahet në punë me ndikim të paligjshëm dhe me presion nga ky prokuror i SPAK.
Po a duhet të ketë moral të pastër një prokuror i SPAK, apo s’ka problem se njerëz janë edhe ata, qejflinj si të gjithë burrat…
Nga Altin Dumani paskemi frikë! Pse? Ç’do na bëjë Dumani, do na arrestojë për krim të organizuar mediatik?!
Altin Dumani, i verifikuar me shkollim normal, karrierë normale si OPGJ, me pasuri të ligjshme, më pas si prokuror, i padëgjuar për “dashuriҫka” nga kolegët e tij. Ç’t’i shpikim, dashnore me zor?! T’i shpikim pallate e hotele, kur nuk i ka?
Njolla e vetme e karrierës së tij është Ols Dado, propozimi dhe emërimi në KLP, më pas shoqërimi i Dados në dosjen Veliaj. Le ta mbajë e t’i bëjë mirë.
Megjithëse më i matur në sallën e gjyqit sesa i shkrehuri Dado, përsëri nuk e frenoi dot emocionin ndaj kryebashkiakut kur iu dëgjua zëri në audion e papastruar: “Gënjeshtar patologjik.”
Për Altin Dumanin ka folur Sali Berisha sa është ngopur, kur asnjë nga fuksat e medias së lirë nuk u habit si i hyri n’shpi e n’fotografi të gruas.
Pse s’folët, fuksa? Berisha e ka denigruar Altin Dumanin sa është kënaqur, pasi ia nxori shtëpitë, gruan, kushëririn e gruas, e akuzoi pa fre një vit nga ballkoni. A po i falet Berishës?
Më 13 dhjetor 2024 Berisha publikoi një video të animuar, për Dumanin si “Tomi dhe Xherri”, duke e përshkruar si një “qen të lidhur me litar për qafe nga Edi Rama”. A ka më keq? A ka më turp se sa kaq? Ishte dita kur filloi hetimi intensiv ndaj Erion Veliajt. Data kur u thirr dëshmitarja e parë kundër Veliajt. Koinçidencë?!
Berisha e quajti Dumanin “qen” dhe askush nuk foli. Berisha e quajti Dumanin, Altin “Lala”, kreun e një organizate kriminale e lloj-lloj epitetesh, askush nuk u merakos nga fuksat e medias. Berisha shkoi dhe shkarraviti letrën e hetuesit të BKH-së në mes të SPAK-ut dhe nuk e pati problem, as ai as fuksat e tij meditikë. Berisha del e pëllet me mikrofon poshtë zyrës së Dumanit dhe… e gjitha është POLITIKË!
Por le të kthehemi te PËRGJIMET.
Mallisti me portal, sapo mori një mesazh në WhatsApp nga Zambak Gjoni, kur ky i dërgoi tre dosje hetimi, në vend që të takonte burimin, të bënte verifikime, të publikonte scoop-in e madh, mori në telefon SPAK-un. Alo jam Vesho Mallisti! Fuksi në gjak e në profesion u bë merak për dosjet e rrjedhura, dorëzoi numrin e telefonit të Zambakut. Ky u arrestua menjëherë dhe ky “operacion” u mbajt larg syve të medias për një muaj. Shpërblimi i fuksit nuk ishte 80 lekë si dikur në kohë të xhaxhit.
Fuksi u shpërblye me ANKIMIN që Dado me Dumanin kishin paraqitur në Apel të GJKKO-së, te gjyqtari Engert Pёllumbi për të frenuar ndryshimin e masës së sigurisë për Erjon Veliajn.
Ky ANKIM varet në hunjtë mediatikë berishistë sikur janë PËRGJIME. Nuk janë përgjime, jo, por interpretimet e prokurorëve mbi transkriptet e përgjimeve. Ai i tha, t`i thotё asaj, thuji atij, atyre, redaktorit etj… Jo! Përgjime quhen transkripte reale mbi to, si ato që nxorën kur deshën për gazetarët Artan Hoxha dhe Qyno, nga Encro Chat.
Pra, përgjime transkripti jo komente përgjimesh.
Altin Dumani dhe Ols Dado kanë lodhur sekretaret t’i kthejnë përgjimet reale të transkriptuara në vetën e tretë, duke i nënvizuar me “bold” dhe duke i dhënë veshjen e duhur me komentet që u interesojnë për të “bindur” gjyqtarin Pёllumbi.
Si nuk janë lodhur me aq nënvizime, shihini me kujdes! Kjo është e vërteta.
Përgjimi, transkriptimi origjinal nga përgjimi në vetvete, mënyra e të folurit me fjalë, fjalia, pauza, pasthirrma, sharja, etj., në një bisedë familjare merr konotacion të ndryshëm nga një dëgjues në tjetrin. Mbytja me thonj, porositë për goditje mediatike, etj., nuk ka nevojë të na komentohen nga Dado, ato i bëjmë vetë, po t’i dëgjojmë apo lexojmë origjinal.
P.sh. në një “përgjim” del që Ajola Xoxa ka folur në telefon me Ambasadën Amerikane. Nga pasazhi i marrë nga përgjimi original, duket sikur është përgjuar edhe telefonata e Ambasadës me Ajolën, pra vetë numri i ambasadës së SHBA.
Nëse ka ndodhur kjo, që sipas pasazhit duket qartë që ka ndodhur, ky do përbënte një superskandal diplomatik: Ols Dado me Altin Dumanin kanë përgjuar Ambasadën Amerikane?!
A lejohet të përgjohet ambasada, telefonatat e saj me këdo që ajo komunikon? P.sh. kur u thirrën deputetët në 2016 për të votuar Reformën në Drejtësi, a mund të përgjohej telefonata e ambasadës si në këtë rast? Këtë përgjigje do na e japë vetë Ambasada pasi t’ia kërkojë fillimisht Mallistit ose Violinistit, PËRGJIMET. Pastaj të pyesë SPAK: A na keni përgjuar kur folëm me Ajola Xoxën?
Kjo çështja e PËRGJIMEVE nga burgu i Veliaj u hodh si shashkë tymuese për të fshur historinë e “Zambakut”. Kush i nxorri dosjet e SPAK nga brenda në SPAK? Kjo është pyetja që duhet të mbytet me mall dhe PËRGJIME KALLP.
Në fund një pyetje publike për prokurorët që komentuan dhe nënvizuan përgjimet. Pyetja vlen dhe për gjyqtarin Engert Pёllumbi: Kush ia dha ANKIMIN Vesho Mallistit, atë dokument që ai e paraqet si PËRGJIMET?
Me sa e pyeta me telefonin e burgut Erjon Veliajn, ai më tha që nuk ia ka dhënë ai apo avokatët e tij, s’ka se si. Erjoni s’më dha asnjë porosi për t’i rënë SPAK-ut, por po i bie vetë, meqë ai po fle gjumë…
Si do nënvizohej me “bold” nga përgjimet e reja kjo telefonata ime me burgun e Durrësit? AD e mori Veliajn, por ky nuk foli vetëm heshti. Me heshtje, u nënkuptua “vazhdo më fort”. Titulli te hunjtë mediatikë berishistë: Bomba e radhës, Veliaj godet SPAK me heshtje!