12.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Shtator, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Letër zonjushës Barbara Doda, të “zhgënjyerës” së radhës

    Nga Viktor Malaj

    “Për zemrën është mirë të jetë naive, por jo për mendjen”.

    Anatol Frans*

    Votimet më të fundit brenda strukturave të PD-së për të zgjedhur drejtuesin e Forumit Rinor të kësaj partie nxorën edhe një herë në dritë plagën e vjetër dhe të pashëruar me të cilën ka lindur kjo forcë politike. Manipulimet dhe dhunimet e proceseve zgjedhore politike, brenda ose jashtëpartiake, janë plagë që, ndryshe nga ato luftës apo aksidenteve të natyrave të ndryshme, krijohen me dashje për t’u përdorur për përfitime të padrejta.

    Si të tilla, këto plagë nuk mund të shërohen kurrë nga ata që i kanë krijuar dhe për aq kohë sa krijuesit e tyre të lejohen të marrin pjesë në procese të tilla. Siç thotë një fjalë e urtë jona, vesi del me shpirtin.

    Midis shumë kundërshtuesve të tjerë të këtij procesi zgjedhor brendapartiak, njëra nga kandidatet për drejtues të forumit rinor të PD-së, një vajzë e re me emrin Barbara Doda shkroi se:

    Shumë prej parimeve dhe standardeve (të votimit), të cilave u besova deri në fund, qoftë edhe naivisht, nuk u plotësuan… E kishim kuptuar pothuajse të gjithë lojën që po luanim, një lojë e padrejtë dhe e pandershme, pa rregulla dhe standarde… Kemi trokitur në çdo derë të PD-së dhe nuk na u dha zgjidhje… Që të ndryshojë vërtetë PD-ja ka nevojë për standarde të reja, ka nevojë për garë të vërtetë, ka nevojë të plotësojë ato standarde që, me të drejtë, i kërkojmë Edi Ramës sa herë dalim në zgjedhje përballë tij”.

    Reagimi i kësaj vajze të re sjell në vëmendje disa probleme sociale dhe politike të shoqërisë tonë. Që të triumfojë e reja, e reja si mendësi e moral dhe jo thjesht si moshë, nevojiten tri gjëra: E reja duhet ta njohë mirë të vjetrën; e reja duhet të mos pajtohet kurrsesi me të vjetrën e diskredituar dhe të mos i besojë asaj; e reja duhet të ketë guximin e duhur për ta luftuar të vjetrën dhe për ta mposhtur atë. Që djemtë dhe vajzat e reja të Shqipërisë të kenë lidhje “zemre” me PD-në, ashtu si me cilëndo forcë tjetër politike, nuk përbën mëkat, madje është kërkesë e dialektikës së zhvillimit dhe e nevojave të shoqërisë shqiptare.

    Por, që të rinjtë dhe të rejat shqiptare t’i besojnë me naivitet apo, akoma më keq, të pajtohen me të shkuarën e PD-së dhe udhëheqjes kryesore të saj, kjo përbën faj.

    Në rastin konkret, një vajzë e re shqiptare i beson një udhëheqjeje plotësisht të diskredituar partiake dhe, mbi të gjitha, i beson drejtuesit të asaj partie, në moshën e gjyshit të saj, i cili është larguar disa herë nga pushteti prej shqiptarëve si i padenjë dhe i padëshiruar dhe është i shpallur persona non- grata nga SHBA dhe Britania e Madhe për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë. Dhe, jo vetëm kaq, por gjithë historia mbi tridhjetë vjeçare e asaj partie është histori mashtrimesh, manipulimesh dhe dhunimesh të së drejtës së zgjedhjes, brendapartiake dhe ndërpartiake.

    Lindin pyetjet: Këta të rinj e të reja, si znj. Doda, a e njohin këtë histori, a pajtohen me të dhe pse vazhdojnë t’iu besojnë historikrijuesve? Nuk ka dyshim se shumica dërmuese e atyre burrave dhe grave shqiptare që iu bashkëngjiten “Foltores” dhe, kryesisht, Sali Berishës janë njerëz pa ideale të vërteta, njerëz që janë pajtuar dikur dhe miratojnë ende sot të gjitha veprimet antidemokratike, në pushtet dhe opozitë, të udhëheqjes berishiste, janë njerëz që, për hir të pushtetit dhe përfitimeve prej tij, kanë dhënë dikur kontributin e tyre në veprimet antidemokratike dhe kriminale të kupolës partiake dhe janë të gatshëm ta bëjnë sërish një gjë të tillë, nëse do ua lejonin rrethanat.

    A e di, për shembull, zonjusha në fjalë se kryetari i përjetshëm i PD-së, Sali Berisha është zgjedhur në vitin 1991 në krye të partisë pas manipulimit të procesit zgjedhor brenda partisë, duke imponuar një votim të dytë pasi i pari nuk e nxori kryetar partie? A e di ajo se kur Sali Berisha ishte President, apo sa herë kërkonte të rimerrte edhe de jure drejtimin e partisë, po aq herë i ka manipuluar proceset zgjedhore duke organizuar e drejtuar votime të parregullta, madje duke iu mohuar kandidatëve të tjerë (siç ishte rasti i P. Arbnorit) praninë e përfaqësuesve të vet në qendrat e votimit e të numërimit?

    A e di kjo politikane e re se edhe votimet për zgjedhjen e L. Bashës kryetar formal të PD-së kanë qenë të manipuluara (madje Xhelal Mziu qe incizuar në tryezë duke thënë pas votimit se “unë dhe disa të tjerë votuam nga katër herë…”)? A ka lexuar apo dëgjuar kandidatja për drejtuese e rinisë së PD-së se PD dhe Sali Berisha kanë qenë ideuesit dhe organizuesit e dhunimit të votimeve të 26 majit 1996, të votimeve të përgjithshme të vitit 2009 dhe atyre lokale të vitit 2011 për bashkinë e Tiranës?!

    A ka dijeni kjo zonjushë çfarë ka ndodhur në Shqipëri në shkurt-mars 1997 dhe në janar 2011?! Si mundet ajo, dhe të tjerë si ajo, të besojnë se “ujku” 80-vjeçar Sali Berisha dhe një tufë njerëzish pa dinjitet që e kanë shoqëruar, frymëzuar dhe ndihmuar përgjatë tridhjetë viteve të bëjë çfarë ka bërë, të ndryshojnë tani si me magji?!

    Zonjusha Doda pohon se të gjithë e kishin kuptuar “lojën e padrejtë dhe të pandershme që po luhej”, se  kishin trokitur në të gjitha dyert e PD-së dhe nuk kishin gjetur zgjidhje. “Në të gjitha dyert” do të thotë deri tek Sali Berisha, mirëpo ajo dhe të tjerët duhet të kuptojnë se janë pikërisht ato dyer që kanë ideuar e realizuar fenomene të tilla prej tre dhjetëvjeçarësh, duke përfshirë edhe këtë të fundit.

    Hipokrizinë me përmasa astronomike të gjyshit politik Sali Berisha ata duhet ta kuptojnë duke parë realitetin në sy. Ai nuk mund të zgjidh shqetësimet e rinisë së PD-së, sepse është ideator dhe regjisor i procesit të manipulimit dhe, nga ana tjetër, është ai që pohon se “Nëse Partia Socialiste e hoqi votimin brenda saj… ju garantoj se do i nxjerr jashtë ligjit. Në territorin e RSH nuk do të lejohen parti që nuk votojnë brenda tyre”.

    Politikania e re e djathtë konkludon se për të ndryshuar PD-ja “ka nevojë për standarde të reja, për garë të vërtetë”. Është e sigurt se as PD-ja dhe asnjë parti tjetër politike nuk ndryshon për më mirë për aq kohë sa drejtohet nga njerëzit që kanë krijuar “standardet” e korruptuara me  moral të molepsur.

    Vetë fakti që përveç “të vjetërve”, kryeplakut të Foltores, atit të sa e sa paligjshmërive iu bashkëngjitën edhe të rinj e të reja, tregon se ndjekësit e rinj, me gjithë problemet serioze të së kaluarës dhe qëndrimin e Perëndimit që e shpalli non-grata, fare pak ndryshojnë në mendësi nga të vjetrit. Rrjedhimisht janë fare të papërfillshme gjasat që ata ta ndryshojnë moralin e asaj partie.

    Standardet e reja i krijojnë dhe realizojnë njerëz që, jo vetëm nuk pajtohen me praktikat e vjetra, por as me drejtuesit që krijuan ato praktika (standarde), që i luftojnë dhe i largojnë nga skena politike standardvënësit.

    Nëse shkaktarët e problemeve të vjetra nuk largohen vullnetarisht, duhen larguar “forcërisht”, përndryshe duhen braktisur dhe duhet krijuar një forcë e re politike, me moral dhe sjellje demokratike. Për znj. Doda dhe të tjerë si ajo nuk kërkohet medoemos t’i largohen naivitetit të zemrës, siç thoshte Anatol Frans, por naivitetit të mendjes.

    Nëse e reja vazhdon të shfaqet pafundësisht naive përballë së vjetrës, e vjetra e ka të siguruar jetëgjatësinë. Nëse e reja pajtohet me të këqijat e së vjetrës, ajo do të ketë fatin dhe përgjegjësinë e kësaj të fundit. Shqipërisë i nevojitet dija, arsyeja, ndershmëria dhe guximi i të rinjve dhe kurrsesi naiviteti, pajtimi me të keqen. Përndryshe e ardhmja nuk do të jetë më e mirë se e sotmja.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit