Nga Sebastian Zonja:
Lajtmotivi i rremë “Berisha ik!”
Ka rreth një vit që në Serbi protestohet përditë kundër regjimit, siç e cilësojnë ata. Faktikisht, nëse lexon raportet e zgjedhjeve të organizatave ndërkombëtare, atje ka thjesht votime. Mbushen kutitë, njëjtë siç tregojnë se u mbushën në vitin 1996. Po të dëgjosh disa gazetarë serbë që flasin nëpër medie ndërkombëtare, kupton se zgjedhje ka vetëm në Beograd. Edhe në Beograd, ka vetëm në zonën e qendrës, se përreth, nëpër zonat rurale, vendos i forti apo partia e Vuçiqit.
Kanë kaq kohë që ata pak gazetarë, opozitarë apo protestues dërgojnë letra në Bruksel dhe Uashington për shkeljen e të drejtave – arrestime, përgjime, rrahje, ndalime – si dhe shtypjen e dhunshme të protestave, uljen e rrogave të pedagogëve, përçarjen e opozitës e të tjerë.
Evropa dhe Uashingtoni as që e vë ujin në zjarr. Jo se nuk duan, por stabiliteti në këto kohë të turbullta është më i çmuar se demokracia.
Tani, le të vijmë pak në Shqipëri. Përditë, s’ka analist që të mos thotë se “fajin e ka Saliu”. Siç thonë disa mendjendritur: mjafton të ikë ai, se zgjidhet situata!
Faktikisht, edhe nëse ikën Berisha, pushteti i Edi Ramës sot është kapilar. Mund të bëjmë protesta për një vit rresht dhe as lëviz fare nga istikami. Ja, opozita në Serbi, si e përçarë, si e bashkuar, as që i bën dot ndonjë gjë pushtetit të Vuçiqit. Ai thjesht ndryshon ministra sa herë ka ndonjë presion nga jashtë apo protestë të madhe. Ulu hoxhë, ngrihu prift, themi ne këtej.
E njëjta gjë do ndodhë edhe këtej. Asnjë prej këtyre që mbajnë iso “të ikë Berisha!” s’ka për t’ja dhënë votën ndonjëherë Partisë Demokratike. Madje, 80 % e tyre nuk i dhanë votën as Adriatik Lapajt, Endri Shabanit, Agron Shehajt, Enkelejd Alibeajt, Dash Shehut apo Arlind Qorit. Sërish, refren kanë “të zhduket PD-ja, pastaj shohim e bëjmë”.
Për të legjitimuar tezën, na dalin nëpër televizore dhe emisione edhe disa nga këta të ndriturit e diasporës.
Të gjithë e dinë se asnjë qytetar shqiptar nuk projekton të ardhmen e vet politike tek Partia Demokratike në këtë gjendje që është, përveç disa njerëzve të afërt në kryesi dhe në biznes me familjen Berisha. Logjika me “gogolin Berisha dhe Meta” mbahet gjallë nga disa merhumë që po na çojnë në faliment si shtet.
Situata është më rëndë nga ç’e imagjinojmë!