5.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Loja e ndyrë e Qeverisë: Taksa e qarkullimit (që ndikon tek çmimi i naftës), nuk përdoret për mirëmbajtjen e rrugëve

    Shpenzimet për mirëmbajtjen e rrugëve arritën vitin e kaluar në 2,6 miliardë lekë, rreth 21 milionë euro.

    Kjo shumë ishte 10 herë më e ulët se fondet që u arkëtuan në buxhet nga taksa e qarkullimit rrugor në të njëjtin vit.

    Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, fondet për mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore vitin e kaluar arritën në 2.6 miliardë lekë. Kjo ishte vlera më e lartë së paku që nga viti 2014.

    Fondet për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë vitit 2021 ishin 134 për qind më të larta se në vitin 2020. Rritja e shpenzimeve në këtë zë me 2021 u nxit edhe nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Grafiku bashkëngjitur tregon se shpenzimet buxhetore për mirëmbajtjen e rrugëve pësojnë rritje të ndjeshmE në vitet elektorale.

    Por qeveria arkëton së paku një vlerë 10 herë më të lartë nga taksa e qarkullimit mbi karburantin, e cila është konceptuar për të paguar mirëmbajtjen e rrugëve nga përdoruesit e saj. Në vitin 2021 arkëtimet nga kjo taksë ishin rreth 160 milionë euro.

    Taksa e qarkullimit e cila vilet tek nafta ka si qëllim grumbullimin e fondeve për të investuar dhe mirëmbajtur infrastrukturën rrugore të vendit, po qeveria shqiptare historikisht ka investuar në mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore shumë më pak se arkëtimet.

    Taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin aktualisht është në masën 27.3 lekë/litër. Kjo taksë paguhet për sasinë e benzinës dhe të gazoilit të importuar apo të prodhuar në vend, me përjashtim të sasisë së benzinës dhe të gazoilit të prodhuar në vend, por të eksportuar jashtë territorit të Shqipërisë. Taksa paguhet nga qytetarët gjatë furnizimit me naftë ose benzinë në pikat e tregtisë me pakicë. Nga viti 2022, taksa indeksohet me inflacionit.

    Barra fiskale me destinacion mirëmbajtjen e rrugëve ishte e lartë, teksa qeveria po vjel taksa direkte në rrugët kombëtare, duke nisur me rrugën e Kombit dhe në plan janë dhe rrugë të tjera kombëtare.

    Shqipëria ka nivelin e taksimit më të lartë në rajon për naftën, për rrjedhojë vendi ka edhe e çmimin më të lartë të produktit në tregjet e pakicës. Të ardhurat nga taksa e qarkullimit zënë rreth 9% te të ardhurave tatimore.

    Nga ana tjetër mirëmbajtja rutinë e rrugëve në vend lë për të dëshiruar. Akset kryesore në vend, Rruga Thumanë-Kamëz është në gjendje të mjerueshme, me gropa dhe çarje që bëhen shkak edhe për aksidente. Ky aks vuan nga një trafik i lartë dhe është strategjik për qarkullimin Veri-Qendër.

    Në gjendje jo të mirë është edhe autostrada Tiranë-Durrës dhe aksi tjetër dytësor nga Ndroqi, Tiranë -Durrës. /B.Hoxha

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit