1.5 C
Tirana
E premte, 27 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Lokalet dhe restorantet e Bllokut (ku shkojnë këta lekistët e Tiranës), ankohen se po falimentojnë

    Finalja e ndeshjes së Ligës së Konferencës që u zhvillua në Tiranë nuk solli përfitime ekonomike për lokalet dhe restorantet e ish-Bllokut dhe zonave të tjera në Tiranë, sipas përfaqësuesit së shoqatës të Bareve dhe Restoranteve Enri Jahaj.

    Konsumi në bare dhe restorante vijon tkurrjen. Përfaqësuesi i shoqatës pohoi për Monitor se situata është ndikuar nga ulja e të ardhurave të konsumatorit për shkak të rritjes së çmimeve të mallrave të shportës.

    “Kriza e rritjes së çmimeve dhe rënies së konsumit po ndihet nga të gjitha bizneset, por te baret dhe restorantet po ndihet më shumë.

    Xhiro në bare dhe restorante është në nivelin mediokër, pasi konsumatori nuk disponon shumë të ardhura pas rritjes së çmimeve të mallrave të shportës. Në shumicën e këtyre subjekteve xhiroja është e paqëndrueshme, çka do të thotë që një ditë mund të kenë xhiro të kënaqshme, dy ditë të tjera është me rënie.

    Pra ritmi i aktivitetit nuk është normal. Gjithashtu baret dhe restorantet e zonës së ish Bllokut dhe përreth prisnin një përmirësim të xhiros nga mbajtja e ndeshjes së Konferencës së Ligës, por nuk ndodhi asgjë. Xhiroja nuk u rrit, pasi numri i tifozëve që erdhën nga jashtë nuk ishte aq i lartë sa u deklarua. Pjesëmarrja e tyre u fry mediatikisht. Përveç kësaj itinerari i lëvizjes së tifozëve u përcaktua nga forcat e policisë, me skenar të saktë për çdo lëvizje”.

    Federata Shqiptare e Futbollit deklaroi më herët se llogaritet që përfitimet ekonomike nga mbajtja e ndeshjes të arrijnë deri në 140 mln euro.

    Për baret dhe restorantet në bregdet, z. Jahaj thotë ka përmirësim të xhiros nga sezoni i turizmit. Në këto struktura sipas tij pritet të shtrenjtohen çmimet e shërbimeve, pasi bizneset po vuajnë mungesën e fuqisë punëtore.

    “Për strukturat në bregdet pritet të rritet numri i turistëve për fundjavë. Në Durrës ka pasur fluks turistësh që në muajin maj, dhe kjo është pozitive për sektorin e turizmit, por edhe për baret dhe restorantet. Në këtë sektor është problem është gjetja e fuqisë punëtore.

    Shumë drejtues të bareve dhe restoranteve po marrin fuqi punëtore nga jashtë, ku edhe kostoja është e dyfishtë, pasi u paguhet edhe qëndrimi, ushqimi dhe paga. Parashikohet që vitin e ardhshëm shërbimi turistik të shtrenjtohet, sepse mungon fuqia punëtore”, nënvizon z. Jahaj.

    Rënia e konsumit në këto sipërmarrje filloi të reflektohet që në muajt shkurt-mars kur pati rritje të çmimeve të produkteve të shportës, por edhe të lëndëve të para nga importi. Ndërsa rritja e çmimeve të ushqimeve rriti presion për shtrenjtim të çmimeve në bare dhe restorante. Konsumi pati zvogëlim edhe vitin e kaluar për shkak të pandemisë.

    Përfaqësuesit e Shoqatës të Bareve dhe Restoranteve nënvizuan se Covid-19 për baret dhe restorantet për vitin 2021 krijoi një model të ri të sjelljes së klientit, pasi shumica prej tyre u mësuan të konsumojnë kafene dhe vaktin kryesor në zyra dhe shtëpi dhe për këtë arsye konsumi ra ndjeshëm.

    Në vend ka rreth 15 mijë bare e restorante, duke na bërë ndër të parët në botë për numrin e lokaleve në raport me popullsinë. Ky segment ka dhe nivelin më të lartë të vetëpunësimit në vend, me rreth 37% të totalit.

    Vetëm në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka 18% të të punësuarve në biznesin e vogël.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit