Nga Owen Matthews “Spectator”
Si do të përfundojë qëndrimi në pushtet i Vladimir Putinit? A do të tërhiqet ai në heshtje nën presionin e rivalëve të zemëruar në Kremlin dhe nga poshtërimi kombëtar që po pëson Rusia në Ukrainës, ashtu si Nikita Khrushchev pas dështimit në Krizën e Raketave Kubane?
I rrëzuar nga njerëzit e KGB-së më radikalë se vetë ai, siç ndodhi me Mikhail Gorbachev? Do të rrëzohet nga një revoltë popullore, si Car Nikolla II? Apo do të vdesë në shtratin e tij si një tiran i padiskutueshëm i një shteti policor si Stalini?
Parashikimi është bërë një biznes i rrezikshëm në Rusi, që kur Putini hoqi dorë nga përllogaritjet dhe sjellja zakonisht e kujdesshme dhe nisi një luftë të nxituar dhe në thelb të pafitueshme kundër Ukrainës.
Gjithsesi, ia vlen të analizohet se ku janë pikat më të dobëta të Putinit, dhe si kolapsi ekonomik i pritshëm në Rusi, izolimi ndërkombëtar dhe dështimi i mundshëm për të arritur synimin e tij, atë të rrëzimit të shpejtë të qeverisë në Ukrainë, mund ta minojnë pozicionin e tij dikur të padiskutueshëm.
Disa analistë dhe ekspertë në Perëndim, duket se besojnë se Putin mund të rrëzohet nga gjeneralët e lartë, të cilët e kuptojnë se planet e tij janë të destinuara të dështojnë,nëpërmjet një skenarit si“Operacioni Valkirie”,pra komploti i dështuar i Claus von Stauffenberg në korrikun e vitit 1944 për të vrarë Adolf Hitlerin.
Javën e kaluar, kreu i Zyrës së Jashtme britanike, James Cleverly, tha se krerët e ushtrisë ruse e dinë se Putini është gjithnjë e më i “izoluar” dhe më “i palogjikshëm”, teksa po përpiqet që të “rikrijojë një perandori ruse në mendjen e tij…ata janë në gjendje ta ndalojnë dhe ne u bëjmë thirrje atyre që ta bëjnë këtë”.
Duke lënë mënjanë etikën e dyshimtë të një zyrtari të lartë britanik që bën thirrje për një grusht shteti ushtarak në një vend të huaj, ka pak prova publike për të mbështetur një skenar të ngjashëm me Operacionin Valkirie.
Është e qartë se rrjedha e qëndrueshme e informacionit operacional shumë të detajuar mbi planet e luftës të Putinit, që është transmetuar publikisht nga Uashingtoni dhe Londra, ka ardhur nga një ose disa spiunë që janë shumë pranë drejtuesve të ushtrisë ruse.
Në fakt, një burim i niveleve të larta në shërbimin sekret britanik, konfirmon se një pjesë e strategjisë së SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në trumbetimin e informacionit të tyre të brendshëm mbi planet e Kremlinit në Ukrainë, ishte “t’i tregojë Putinit se ai po drejton një anije që fut ujë… dhe anijet që fusin ujin priren të fundosen”.
Por një personi i pakënaqur – apo edhe disa – atje në krye të makinerisë ushtarake të Putinit nuk përbëjnë një kërcënim të besueshëm për pushtetin e tij. Po sanksionet? Boris Johnson ka premtuar se paketa e fundit e masave ekonomike ndëshkimore të paprecedenta do ta “përjashtojë gradualisht Rusinë nga ekonomia globale”.
Por nuk është e qartë se si sanksionet do ta detyrojnë Putinin të ndryshojë mendje, dhe aq më pak ta rrëzojnë atë nga pushteti. Sanksionet janë ekuivalenti i botës moderne me një rrethim mesjetar, që synonte ta nënshtronte armikun duke e vdekur urie.
Ashpërsia e masave të fundit – të cilat kanë shkëputur Bankën Qendrore Ruse nga shumica e rezervave të saj në valutë të huaj prej 630 miliardë dollarësh, dhe kanë shkëputur 80 për qind të sektorit bankar të Rusisë nga sistemi financiar amerikan – kanë treguar një vendosmëri dhe unitet mbresëlënës midis komunitetit ndërkombëtar.
Ato kanë shkaktuar një zhvlerësim dramatik të rublës ruse dhe rënien e tregjeve financiare në Rusi. Por pikërisht këtu qëndron problemi. Të gjitha vendet diktatoriale, disa prej tyre të vendosura nën sanksione për dekada, tregojnë pak shenja të rënies apo të moderimit të sjelljes së tyre agresive.
Përkundrazi, historia e kohëve të fundit ka treguar se sanksionet tentojnë që të çimentojnë diktaturat në një vend dhe jo t’i shkatërrojnë ato. Siç shprehet ish-ministri i kabinetit Johnson, David Davis, sanksionet “nuk janë më një mjet pengues, ato janë një dënim”.
Krahas sanksioneve bankare, qeveria britanike ka vendosur shumë sanksione personale kundër Putinit, Ministrit të tij të Jashtëm Sergey Lavrov, dhe të ashtuquajturve oligarkë të ndryshëm që i ruajnë paratë e tyre në “Londongrad”.
Por a janë vërtetë paratë personale të Putinit – apo ato të miliarderëve rusë- pika e tij e dobët? Sot vetë termi “oligark” është një emërtim i gabuar. Në vitet 1990, eminenca gri i Kremlinit, Boris Berezovsky, pretendonte se 7 biznesmenë të pasur – oligarkët e vërtetë të Rusisë – drejtonin de fakto Kremlinin e varfër dhe të dobët të Boris Yeltsin.
Ndërkohë kur në pushtet u ngjit Putin, gjëja e parë që ai bëri ishte rrëzimi i oligarkëve si Berezovsky (që mërgoi jashtë vendit) dhe burgosja për një dekadë në Siberi e njeriut më të pasur të Rusisë, Mikhail Khodorkovsky. Miliarderë që mbetën të lirë duke mbajtur pasurinë e tyre, e bënë këtë vetëm me pëlqimin e Putinit.
Që nga ai spastrim, Rusia ka një oligarki të re dhe shumë të pasur. Por ata nuk janë biznesmenë, por burokratë. Shumica janë miq personalë të Putinit që nga koha kur punonte në KGB, dhe që njihen kolektivisht me termin“siloviki” (burra të pushtetit), për shkak të miliona njerëzve në personelin ushtarak dhe të sigurisë që kanë nën komandën e tyre.
Dhe shumica e rrethit të brendshëm të Putinit, kanë qenë nën sanksione personale që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014. Në fakt, në nivelet e larta të qeverisë ruse vendosja nën sanksione shihet si një simbol i besnikërisë.
Sipas zëdhënësit të tij Dmitry Peskov, Putin mund të jetë“indiferent” ndaj sanksioneve. Por për miliona rusë – sidomos pjesëtarët e shtresës së mesme, të cilët janë mësuar të pushojnë në vendet e huaja, makinat, rrobat dhe pajisjet perëndimore – ato parathonë katastrofën e pritshme.
Në vazhdën e rënies së vlerës sërublës me 30 për qind vetëm ditën e hënë, dhe një ndalimi nga ana e SHBA-së dhe BE-së të fluturimeve nga Rusia, çmimet e kompanisë “Turkish Airlines” për të udhëtuar drejt Stambollit – i vetmi aeroport evropian ende i disponueshëm për rusët – u rritën në 1700 euro për vetëm një biletë vajtjeje.
Ado të përkthehet kjo në një pakënaqësi masive që mund të shkundë fronin e Putinit, një rënie ekonomike e nxitur nga sanksionet, e parashikuar për ta reduktuar me të paktën 5 për qind PBB-në ruse vetëm gjatë këtij viti? Një gjë e tillë ka ndodhur më parë. Në pragun e revolucionit të shkurtit 1917, vitet e luftës dhe kaosi ekonomik çuan në një krizë ushqimore në Petrograd. Në vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik, u pakësuan apo u zhdukën fare nga qarkullimi produktet bazë. Por fjala kyçe është “vite”. Rusët janë të famshëm si stoikë. Si Yeltsin po ashtu edhe Putin e përballuan kolapsin e rublës në vitet 1992, 1998, 2008 dhe së fundmi në vitin 2014, kur monedha e humbi gjysmën e vlerës së saj pas sanksioneve të vendosura nga Perëndimi pas aneksimit të Krimesë.
Në kundërpërgjigje, Kremlini ndaloi importet e ushqimit nga BE, gjë që e detyroi Rusinë të bëhet e vetë-mjaftueshme sa i përket nevojave të saj me produkte bujqësore. Poshtërimi kombëtar në fushën e betejës është një çështje tjetër. Planet ruse të zbuluara nga Perëndimi në prag të sulmit, tregonin se Putini priste një fitore të shpejtë.
Shërbimet sekrete thanë se miliona ukrainas do t’i mirëprisnin krahëhapur pushtuesit e tyre. Asnjëra nuk është realizuar. Zhgënjimi i Putinit ishte i dukshëm në një fjalim plot nerv, ku ai njoftoi se forcat bërthamore të vendit do të vendoseshin në një “nivel të veçantë gatishmërie”, duke e paralajmëruar Perëndimin të mos e mbështeste Ukrainën me armë.
Megjithatë, kjo është pikërisht ajo që ka bërë Perëndimi. Dy javë më parë, disa avionë britanikë furnizuan Ukrainën me armë anti-tank. Tani, Gjermania ka dërguar raketat e saj. Rrjetet sociale ukrainase janë plot me pamje të tankeve, raketave dhe kamionëve të shkatërruar rusë.
Fuqia e madhe e zjarrit që zotëron ushtria ruse, ka të ngjarë që me kalimin e kohës ta mposhtë ushtrinë ukrainase. Por pushtimi i hapësirave të mëdha do të jetë shumë më i përgjakshëm se sa pritej, dhe rrëzimi i qeverisë aktuale dhe instalimi i një regjimi kukull duket i paarritshëm, për shkak të mbështetjes së madhe ndaj Volodymyr Zelensky që shkon deri në 90 për qind.
Lufta në Afganistan në vitet 1980e dëmtoi seriozisht legjitimitetin e udhëheqjes sovjetike, dhe e shkatërruan iluzionin e pathyeshmërisë dhe qëndrueshmërisë së Bashkimit Sovjetik. A mund të përsëritet historia me Ukrainën? Makina propagandistike e Putinit është e sofistikuar dhe efektive.
Po kështu është edhe aparati i tij i sigurisë, që shtypi me forcë protestat në rrugët e Moskës dhe Shën Petersburgut. Por në epokën e mediave sociale, lajmet e këqija nga fusha e betejës janë më të vështira për t’u fshehur. Nëse lufta shndërrohet në një“moçal të përgjakshëm”, disa vëzhgues të Rusisë kanë spekuluar se Putin mund të rrëzohet nga një grusht shteti në Kremlin. Maska e pathyeshmërisë së Putinit është plasaritur. Por fundi i lojës nuk do të jetë as i shpejtë dhe as pa dhimbje. /abcnews.al