8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Lulzim Basha iku o të mjerë, mbani pasardhësit e klanit Kapo tani…

    Nga Namir Lapardhaja

    Basha iku dhe askush nuk vajtoi, gafrroi flokët, ngriti zërin, ngrysi ballin, përveshi llërët, lëshoi kushtrimin, mblodhi krahinën, fisin, fshatin…, organizoi turmat, çoroditi njerëzit, nisi mashtrimin, thuri manipulimin, hapi thesin, organizoi vesin…

    Basha iku dhe askush nuk nxori vrerin, hodhi helmin, shau shokun, kërcënoi mikun, linçoi “armikun”, sulmoi tjetrin, mahisi gjuhën, nxiti përçarjen, paralajmëroi hakmarrjen, çarjen, shpërbërjen…

    Basha iku dhe askush nuk u përbetua: “O Basha në Parti, o PD-ja shkrumb e hi!”… Askush nuk thirri: “Rroftë Basha!… Përpara me Lulin!… Me Lulzim Bashën deri në vdekje!”…

    Basha iku dhe asnjë nga oligarkët e mëdhenj nuk u shqetësua, asnjë nga pronarët e televizioneve nuk u shokua, asnjë nga të fortët nuk u hidhërua, asnjë nga banditët nuk u tradhëtua, asnjë nga horrat nuk u zotua…

    Basha iku dhe asnjë nga protagonistët e “Katovicës” nuk i doli në mbrojtje; asnjë politikanë i dalë nga paradhoma e Ramiz Alisë nuk iu gjend pranë; asnjë nga ish-bashkëpunëtorët e regjimit nuk reagoi; asnjë nga pasardhësit e klanit Kapo nuk e përqafoi…

    Dhe këto janë arsye madhore që tregojnë se Basha duhet të ikte…

    Basha iku dhe asnjë nga badigardët e tij nuk kërcënoi, asnjë nga shoqëruesit e tij nuk shantazhoi deputetët, asnjë nga bashkëpunëtorët nuk trokëlliu, asnjë nga mbështetësit nuk oshëtiu…

    Dhe që asnjë nga ish-rojet e tij nuk u përzje në punë të pista, nuk u akuzua për lidhje të ndyta, nuk u përfol për bashkëpunim me krimin për të mbrojtur padronin në krye të partisë, është arsye madhore që tregon se Basha e vonoi shumë ikjen…

    Basha bëri mirë që iku, sepse ai për asnjë ditë nuk u ul në tryezë me banditët, ai mbajti larg vulgun, nuk i mbushi listat me spiunë për të pasur mundësi t’i shantazhonte, nuk iu vardis të fortëve të fshatrave dhe të qyteteve për t’iu ofruar garanci dhe mbarojtje…

    Dhe këto janë arsye të mëdha se pse Basha e kishte të kotë qëndrimin…Ai duhet me domosdo të ikte…

    Basha iku dhe me ikjen e tij parimorët që fshehtas flisnin tryezave për Parimet, u shfaqën duke na folur haptazi për “Perimet”…

    Basha iku dhe me ikjen e tij çliroi PD-në nga pengmarrja…

    Basha iku dhe me ikjen e tij erdhi lyra, pushteti, e mira…

    Basha iku dhe me ikjen e tij iku kriza dhe erdhi zgjidhja…

    Basha iku dhe me ikjen e tij u qetësuan militantët, u bashkuan demokratët, u rikthyen të larguarit, u penduan të zhgënjyerit…

    Basha iku dhe ikja e tij riktheu garën, u vlerësua merita, u luftua nepotizmi, u zhduk servilizmi…

    Basha iku dhe me ikjen e tij PD-ja shpëtoi…, u ringrit, triumfoi, protestoi…

    Basha iku dhe me ikjen e tij demokratët po gatiten, Rama po lebetitet, qeveria po turfullon, kudo nëpër ministri ka mbirë pagjumësi…

    Basha iku dhe me ikjen e tij revolucioni trumfoi, sovranizmi mbretëroi, ndikimi rus u shpartallua, pengjet u çliruan….

    Basha iku dhe me ikjen e tij dielli ndriti më fortë, qielli kaltëroi më shumë, hëna ndriçoi më gjatë, hyjet u shfaqën më qartë…

    Basha iku dhe gjyqi në Tiranë u fitua, ai në Paris u shpresua, Sorosi në Amerikë u frikësua…

    Basha iku dhe me ikjen e tij na lehtësoi, ditët na i gëzoi, fitoret na i siguroi, qetësinë na e dhuroi…

    Qoftë edhe për të gjitha këto, Basha bëri mirë që iku…

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit