Nga Edison Ypi
O i ftuari në studio. Mos e vrit mendjen. Edhe kurgjë të mos dish, edhe kurrkushi të jesh, përderisa dikujt i vajti mendja të ftojë në studio, ti të gjitha i di, për gjithçka mundesh, hatanë mund të bësh, patjetër duhet të shkosh.
Por disa gjëra duhet ti kesh parasysh.
Së pari se televizioni nuk është i yti. As i atij me të cilin do kuvëndosh. Madje as i pronarit. Televizioni është i publikut.
Gjatë menderbisedës, edhe pse je tyç, që të dukesh sa më interesant, sa më i ditur, hidhu degë më degë, hallakate sa më tepër muhabetin.
Duart tregoji në atë mënyrë dhe mbaji në atë pozicion që publiku të shohi se thonjtë i ke prerë, duart nuk i ke të përgjakura, kthetrat nuk i ke zgjatur për të vjedhur.
Mos thuaj kurrë “Kjo pyetje më pëlqen”, “Kjo pyetje s’më pëlqen”, “Kjo është pyetje e mirë” etj. Pyetja nuk është e jotja. Pyetja është e tjetrit tyç, atij që po të pyet, e Tul Tangulit që po të interviston. Tanguli mban vet përgjegjësi për pyetjen. Përgjigja është e jotja. Për përgjigjen kujdesu. Nëse pyetjen nuk do ta bëjë Tul Tanguli por Tub Tarrasi, mendohu pak para se të përgjigjesh. Por pyetjen mos ja paragjyko. Se derrat e divanit që po të ndjekin duke gromësitur, kaq gjë e dinë, këto gjëra i kapin. Sado të thuash ti; “Hë mo se televizioni është sipërfaqsor, përtyp e pështy si çumçakizi është”, dembelave mbi divan nuk ua hedh dot, janë të paisur nga Zoti me ca ndjeshmëri të pagabueshme.
Jazëk se nis të përgjigjesh duke thënë; “Së pari do desha të….”. Së pari e së treti e së pesti shko shiti tjetërkundi. Tanguli, Taplasi, Tafuti, Taqiti, apo të tjerë nuk mund të jenë më tepër të interesuar për broçkullat e tua se për përdredhjet e veta.
Për ndonjë gjë që nuk e di, thuaj nuk e di, se s’bëhet qameti.
Në fund të fundit të squtët e dinë sa budallej janë tuhafët, budallenjtë e dinë sa bosh dhe kot janë të squtët. Po fole edhe për ato që nuk i di, i ke të mbyllura shtigjet e lavdisë të cilën aq shumë e do e aq tepër lodhesh.
Mos mbaj letra përpara, demek sikur në banak ke ardhur i paisur, i armatosur. Po mbajte letra përpara, teleshikuesi do të harrojë ty, do ua mbërthejë sytë letrave të tua, do i turbullohet mendja se mund t’i duken letra dashurie, apo dhe më keq, letra anonime.
Mund të ndodhi që në ndonjë moment të ndjehesh ngushtë, të mos dish nga t’ja mbash. Bëj kujdes. Jepi rëndësinë e duhur kësaj situate. Ata të divanit mbajnë gjithë kohën në dorë një bombë që quhet telekomandë. Po të ngecësh ti, ikin, të harrojnë, ndërrojnë kanal.
Po deshe të më futësh në dhe’ të gjallë thuaj, “Për mendimin tim” dhe “Të them të drejtën”. Po the këto, del sikur deri në atë çast për hesapin tënd ka shprehur mendimin e vet një tjetër, dhe ti deri në atë moment nuk ke thënë të drejtën, por ke gënjyer.
Sakën se thua “Faleminderit” në fund të bisedës. Kurrë dhe askujt. As Tafutit, as Taqitit, dhe askujt tjetër nga korifejtë e banaqeve. Po falenderove, do e bësh lëmsh. Falendero njëri, falendero tjetri, nuk do merret vesh cili ishte nderi, kush dhe kujt ja bëri, ç’kuptim pati, pse i duhet kallaballëkut pshurrja mediatike që sapo rrodhi, kë mori malli për kakën televizive që sapo ndoti.