18.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Qershor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Mallkimi i Edi Ramës me Vlorën

    Tonet jo aq të ulta dhe gjestikulacionet jo aq të këndshme të Edi Ramës me Ermal Dredhën dje në përvjetorin e 34-rt të Partisë Socialiste, në dukje kanë tërhequr vëmendjen e të gjithëve, ama në historikun e marrëdhënieve të kryeministrit me kryebashkiakët e Vlorës janë krejt të zakonshme.

    Diplomati që drejton bashkinë kryeqendër të jugut nuk po shijon më “magjinë” e marrëdhënies pranverore me Edi Ramën. Zjarret e papritura që djegin çdo fillimsezoni Vlorën, kanë bërë shkrumb raportet e Dredhës me Ramën. Një mallkim, saga e të cilit ka nisur një dekadë më parë.

    Shpëtim Gjika ishte drejtuesi veteran i Vlorës që përjetoi i pari “flakët” e përballjes me të parin e socialistëve. Pas tre mandatesh në detyrë, një fërkim me Edi Ramën i kushtoi jo vetëm vazhdimësinë politike, por edhe telashe jo fort të lehta me drejtësinë.

    Ai ishte ndër pesë kryebashkiakët e vjetër të Partisë Socialiste që Edi Rama menjëherë pas ardhjes në pushtet në 2013, u kërkoi që të tërhiqeshin. Shpëtim Gjika nuk u bind dhe muaj më pas nisën hallet me drejtësinë, të cilat e ndoqën për disa vite. Burime të afërta me të dy, atë periudhë, konfirmuan se Gjika dhe Rama patën një fërkim për arsye të paqarta që në fushatën e 2013.

    Mësuesi vlonjat që kishte fituar për më shumë se një dekadë zemrat e qytetarëve të vet u bë i dëbuari i parë nga Partia Socialiste. Në 2014 u shpall i pafajshëm për disa akuza, por të rejat që dolën në 2015 e çuan parpa hekurave për disa ditë dhe këtu ndodhi thyerja përfundimtare me PS.

    Edi Rama deklaroi publikisht se Shpëtim Gjika duhej të përballej i vetëm me akuzat dhe drejtësinë dhe prej atij momenti socialistët nuk kishin të bënin më me të, duke e larguar edhe nga të gjitha strukturat. Dritan Leli u dërgua me bujë nga Tirana në Vlorë, por shumë shpejt do të bëhej i dëbuari i dytë.

    Mandati i parë iku shpejt, kurse në të dytin Vlorës “i doli boja”. Dritan Leli pati po të njëjtin fat si Shpëtim Gjika, ashtu siç e kishin paralajmëruar dhe të vetët, fillimisht e shpallën “armik” të partisë dhe më pas e dëbuan fare, derisa askush nuk e pyeste më se çfarë bëhej në bashkinë e qytetit bregdetar.

    Ashtu si me kryebashkiakun e parë, krisja e marrëdhënieve me Edi Ramën ndodhi në prag të fushatës parlamentare. I pari i socialistëve i porpozoi të linte detyrën dhe të kandidonte për deputet, por Doktori i Shkencave që ishte graduar në “La Sapienza” të Romës nuk pranoi.

    Refuzimi solli dhe dëbimin e tij nga Partia Socialiste, e cila nëpërmjet deputetëve të qarkut Vlorë dhe anëtarëve të këshillit bashkiak kërkoi me insistim dorëheqjen dhe largimin e tij të parakohshëm nga detyra.

    “Armiku” i parë i Dritan Lelit në Vlorë ishte pikërisht Damian Gjiknuri, i cili nuk e honepsi asnjëherë dhe nuk pranoi të punonte me të. Ishte po Gjiknuri ai që i lexoi Asamblesë së Socialistëve mesazhin e Ramës, ku thuhej se Leli nuk “kishte më punë me ta”.

    Vlonjatët panë për muaj me radhë një gjyq që e konsideruan deri si ai i Kadri Azbiut. Anëtarët e Këshilit Bashkiak u mblodhën disa herë për t’i kërkuar llogari për qeverisjen e Vlorës, në teatrin “Petro Marko” të qytetit, por Dritan Leli i shpëtoi gjyqit popullor duke u mbyllur derën për t’i pritur online.

    Ermal Dredha ka gjasa të jetë i treti. Diplomati që Edi Rama e solli nga Emiratet e Bashkuara për të drejtuar bashkinë kryeqendër të jugut dhe për të vazhduar projektet e mëdha të qeverisë qëndrore në buzën e Jonit, është “i shkrumbuari” i parë i zjarreve që kanë përfshirë Vlorën.

    Reagimi i tij pas debatit të djeshëm me Edi Ramën në përvjetorin e Partisë Socialiste, pritet të jetë përcaktues për fatin e Ermal Dredhës. A do të mundet ai të ngrihet sërish në nivelin e diplomatit për të qetësuar kryeministrin?! Kjo mbetet për t’u parë…

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit