Në një video të publikuar në rrjetet sociale nga gazetari Enrik Mehmeti, shfaqet mamaja e Mira Murati duke dhënë disa këshilla për të rinjtë dhe prindërit për sukseset në jetë.
Gjatë bisedës, gazetari e pyet se çfarë këshillash do t’u jepte të rinjve që duan të jenë të suksesshëm, si dhe prindërve që duhet të bëjnë me fëmijët e tyre.
Me qetësinë e saj, ajo thekson rëndësinë e përkushtimit ndaj dijes dhe këmbënguljes për të arritur ëndrrat. Ajo u bën thirrje të rinjve që të jenë më këmbëngulës në rrugën e dijes dhe të punojnë fort për realizimin e synimeve të tyre.
“Të rinjtë duhet të jenë më këmbëngulës në punën e tyre, në fushën e dijes me qëllim që të realizojnë ëndrrat e tyre. Ndërsa prindërit duhet t’i fusin në rrugën e punës. Rruga e punës është rruga e librit, e mësimit dhe e edukimit. Kjo është rruga e punës,” u shpreh ajo.
Gjithashtu ajo foli edhe për vajzën e saj, duke u shprehur se Mira Murati është një krenari e madhe për familjen dhe gjithë komunitetin.
“Natyrisht ajo është një krenari e madhe për fëmijën tim, për familjen dhe për të gjithë komunitetin ku jetojnë shqiptar. Vlora nxjerr fëmijë të suksesshëm, të mirë, të mençur dhe inteligjentë. Si mësuese, unë jam e bindur për këtë, sepse kam edukuar dhe nxjerrë shumë breza,” përfundoj ajo.



