16.5 C
Tirana
E hënë, 13 Tetor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    “Marrëdhënie intime me përkthyesen e vet” – Si u përhap “skandali” i rremë i një vëzhguesi të ONM

    Një vëzhgues i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit u sulmua në rrjetet sociale dhe bëri xhiron e mediave me aludimin se “ishte kapur në intimitet”, pavarësisht se fotot e publikuara nuk kishin asnjë lidhje me të.

    Nga Vladimir Karaj

    Statusi në Facebook i avokatit Arben Llangozi, që akuzonte një vëzhgues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, për shkelje të etikës, duke pretenduar se ishte “kapur në intimitet” me një përkthyese të institucionit, u bë menjëherë viral të dielën. Statusi u publikua në orën 14:21 dhe dy orë më vonë ishte ripublikuar dhjetëra herë.

    Faqe online të njohura, përfshi ato të televizioneve Ora News dhe Syri TV, e ripostuan statusin e gjatë të avokatit shoqëruar me tituj “bombastikë” dhe me foton e dy personave duke biseduar në det. Një video u publikua gjithashtu nga mediat, e cila tregonte një grua duke marrë rreze në çadër, asgjë që nuk mund ta shohësh normalisht në plazh.

    Por ka një problem. Në foto e pretenduar nuk është vëzhguesi Ciardi dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme.

    Vëzhguesi italian i ONM-së, përpos se i pranishëm në dhjetra seanca të hapura rivlerësimi me prani të medias, ka profile në rrjetet sociale shoqëruar me foto. Ndryshe nga personazhi në postimet virale që nuk ka flokë dhe është i rruar, Ciardi është me flokë dhe mjekër.

    Nga ana tjetër, askush nuk mund të thotë, përfshi postuesin Llangozi, se kush janë në të vërtetë personazhet në “skandalin e pretenduar” dhe nëse kanë ndonjë lidhje me procesin e vetingut.

    I pyetur nga BIRN, avokati Llangozi e pranoi se nuk e dinte nëse burri që shfaqej në foton e postuar prej tij ishte Ciardi.

    “Unë personalisht nuk e njoh, as si person dhe as si figurë publike. Mua ma përcollën si informacion dhe vura re që nuk kishte as foto në internet,” tha ai.

    Kur iu bë me dije se në foto nuk është vëzhguesi italian, Llangozi tha se do t’ia hiqte emrin nga postimi i tij në Facebook.

    “Ndoshta situata nuk është ashtu siç m’u tha. Po ia heq emrin,” tha Llangozi dhe editoi postimin që tani nuk e ka emrin e vëzhguesit, por ku vijon të pretendohet që bëhet fjalë për një vëzhgues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

    Kjo nuk është hera e parë që vëzhguesit e ONM-së targetohen nga fushata dezinformimi në media dhe në rrjetet sociale me akuza që tentojnë t’i lidhin ata me skandale seksuale, shoqëruar po ashtu me foto spekulative apo të rreme.

    Ndërkohë, në procesin e rivlerësimit të ish-prokurores Elizabeta Imeraj, përfaqësuesi i ONM-së akuzoi se ish-kolegu i tij u përgjua. Imeraj i mohoi akuzat.

    ONM nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN mbi lajmin e rremë deri në publikimin e këtij shkrimi.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit