Masakra e Peshkëpisë e 10 prillit 1994, ku një komando greke vrau dy ushtarakë shqiptarë, mbetet një nga ngjarjet më të ndjeshme në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi.
Fredi Beleri, i akuzuar i përfshirë në këtë incident, hodhi poshtë të gjitha akuzat gjatë një interviste në “Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV.
Ai deklaroi se në atë periudhë ndodhej në Qipro, duke studiuar për hidraulik dhe gjuhë, dhe sfidoi akuzuesit me prova dhe dëshmitarë që vërtetojnë vendndodhjen e tij larg kufirit shqiptar.
Lidhur me foton e famshme që qarkullon në media, ku pretendohet se ai shfaqet me armë, Beleri tha se personi në foto nuk është ai, pasi në vitin 1994 ai ishte fizikisht shumë më i dobët.
Ai e cilësoi rihapjen e kësaj dosjeje si një sulm politik të orkestruar për ta dëmtuar sa herë që ai kandidon për poste publike, duke këmbëngulur se drejtësia e ka thënë fjalën e saj duke e mbyllur çështjen për mungesë provash.
Beleri foli për origjinën e tij nga Progonati, duke u vetëdeklaruar si pjesë e minoritetit grek, por me shtetësi shqiptare dhe greke, duke shprehur dashuri për vendin ku lindi. Ai hodhi poshtë akuzat për ‘helenizimin’ e Himarës përmes parave, duke i quajtur ato përralla mediatike.
Beleri foli dhe për çështjen çame. I pyetur nëse mendon se kjo çështje do të zgjidhet ndonjëherë, veçanërisht aspekti i pronave dhe njohja e gjenocidit, Beleri mbajti një qëndrim që reflekton linjën e ashpër të nacionalizmit grek, duke mohuar termin ‘masakër’ ndaj civilëve të pafajshëm dhe duke e justifikuar dëbimin me akuzën e kolaboracionizmit.
“Kanë bashkëpunuar me okupatorët nazistë. Kush ka bashkëpunuar, është e padiskutueshme”, deklaroi Beleri.
Ai bëri një paralelizëm me dëbimin e gjermanëve nga Polonia apo Çekosllovakia pas Luftës së Dytë Botërore, duke e inkuadruar dëbimin e çamëve si pjesë të spastrimeve të pasluftës ndaj popullsive që konsideroheshin bashkëpunëtore të boshtit.
Kur gazetari Qafoku i kujtoi dëshmitë rrëqethëse të grave dhe fëmijëve të masakruar, apo figurën e Nuredin Dinos, Beleri insistoi se ka 2000 vendime gjykatash greke për krime lufte.
Lidhur me pronat, Beleri tha. “Çështja e pronës besoj se brenda BE-së do zgjidhet. Nëse gjykata greke i diskriminon, ata kanë Strasburgun’, tha ai.



