4.5 C
Tirana
E hënë, 20 Janar, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Mashtrimi me djalin e ministrit, Berisha manipuloi dosjen e prokurorisë italiane (reagimi dhe faksimile)

    Kreu i Foltores në PD, Sali Berisha, ka akuzuar djalin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, se është arrestuar në Itali, për kontrabandë ilaçesh.

    Në një postim në FB, deputeti i shpallur non grata nga SHBA për korrupsion madhor ka publikuar disa dokumente, ku thotë se djali i ministrit të Brendshëm, Endi Çuçi bën pjesë në rrjetin e mjekëve nën hetim nga prokuroria italiane.

    Por Berisha i ka publikuar qëllimisht të paplota dokumentet, duke manipuluar faqet e dosjes.

    Ndaj djalit të ministrit të Brendshëm, nuk janë ngritur akuza dhe kjo saktësohet nga vetë hetuesit e vendit fqinj.

    Nga fashikulli i hetimit i drejtësisë italiane rezulton se as Endi Çuçi, as nëna e tj Zhaklina Peto nuk kanë probleme me këtë hetim në Itali.

    ‘Në shqyrtimin e fakteve që lidhet me paragrafin në fjalë, bëjmë me dije që në fillim se elementet që kemi në dispozicion na ndalojnë, aktualisht, që të përcaktojmë ndonjë veprim me rendësi penale, në ngarkim të disa prej personave të përmendur (SOTIRI ROMEO, PETO ZHAKLINA, XHABAFTI SOKOL dhe CUCI ENDI), duke qenë se nga aktet e hetimit nuk figuron asnjë element që t’i lërë vend ngritjes së akuzave në të ardhmen”- thuhet në dokumentet e drejtësisë italiane.

    Endi Çuçi gjithashtu punon që prej shtatorit 2021 për EPO në Mynih, Gjermani, ndryshe nga sa thotë Berisha, se punon në KLGJ.

    Disa drejtues pavionesh, roje e recepsionistë në Itali akuzohen se kanë mashtruar me medikamentet. Hetimi shtrihet midis provincës së Milanos dhe Shqipërisë. Sipas hetuesve, grupi i mjekëve të akuzuar lehtësonte hyrjen e paligjshme në territorin italian të shtetasve shqiptarë që kishin nevojë për kurim nga COVID.

    Më poshtë, faksimile nga dosja italiane dhe reagimi i znj.Peto:

    Me shqetësim shumë të madh dhe tepër e indinjuar dua të përgënjeshtroj të gjitha akuzat e pavërteta dhe të shëmtuara të cilat kanë dalë në media dhe që drejtohen ndaj meje personalisht dhe djalit tim Endi Çuçi.

    Që ne fillim dua t’ju sqaroj se as unë dhe as djali im nuk kemi probleme me drejtësinë italiane pavarësisht përmendjes në mënyrë rastësore në një hetim të drejtësisë italiane që s’ka të bëjë fare me ne. Kjo është e cilësuar fare qartë edhe në fashikullin e hetimit të cilin e keni bashkëlidhur dhe po e citoj:

    …“Në shqyrtimin e fakteve që lidhet me paragrafin në fjalë, bëjmë me dije që në fillim se elementet që kemi në dispozicion na ndalojnë, aktualisht, që të përcaktojmë ndonjë veprim me rendësi penale, në ngarkim të disa prej personave të përmendur (SOTIRI ROMEO, PETO ZHAKLINA, XHABAFTI SOKOL dhe CUCI ENDI), duke qenë se nga aktet e hetimit nuk figuron asnjë element që t’i lërë vend ngritjes së akuzave në të ardhmen”…

    Unë kam qenë në Itali për t’u kujdesur për nënën time të sëmurë gjatë vitit 2021, e cila fatkeqësisht ndërroi jetë në 3 maj 2021 në Itali. Në datën 4 maj 2021 im bir erdhi në Itali dhe së bashku u kthyem në Shqipëri për t’i bërë nënës nderimet e fundit.

    Askush nuk ka të drejtë që për qëllime tërësisht politike të na linçojë dhe dënojë publikisht. Unë iu kërkoj vetëm të mos hidhni baltë mbi djalin tim, një i ri i sapodiplomuar që sapo ka filluar të ecë në jetë dhe ndryshe nga çfarë shpifet nga puseta dixhitale, punon prej shtatorit 2021 për EPO në Mynih, Gjermani (The European Patent Office – Zyra Europiane e Markave dhe Patentave). Faleminderit!

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit