17.5 C
Tirana
E premte, 24 Tetor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Mbrëmjet tona televizive

    Nga Fatos Tarifa

    Nuk është hera e parë që shkruaj mbi këtë subjekt. Këtë herë shkak u bënë disa “xhevahire” apo “perla” semantike të dëgjuara brenda pak ditëve në emisionet e mbrëmjes në disa studio televizive.

    “Perla” e parë: Moderatorja e një emisioni televiziv, duke dashur të tregojë se sa e lexuar është, përmendi emrin e shkrimtarit rus DoKstojevski. Pa dashur, ajo zbuloi se nuk ka lexuar kurrë as edhe një faqe prej tij.

    E dyta: Një “opinionist”, në një tjetër studio televizive, edhe ky i zellshëm për të treguar erudicionin e ti, përmendi si shembull “Faustin” e Balzakut. Çdo nxënës gjimnazi e di se asnjë nga të 90 romanet dhe novelat e Balzakut dhe asnjë nga ato rreth 140 vepra letrare që shkroi dhe botoi ai nuk titullohet “Fausti”, as nuk e ka emrin Faust në titullin e saj. Kristopher Marlow shkroi Historinë tragjike të Doktor Faustit; Lesingu shkroi një variant filozofik të Faustit pa arritur ta përfundonte; Gëte shkroi kryeveprën të tij që e titulloi Fausti; i frymëzuar prej tij, Berliozi kompozoi “Mallkimin e Faustit”, një legjendë dramatike, pjesërisht kantatë, pjesërisht opera, pjesërisht simfoni; Sharl Guno kompozoi “Faustin”, versioni operistik më i famshëm për të; Pushkini e intrepretoi Faustin e Gëtes në dialogjet e tij në vargje, titulluar Skenë nga Fausti; Franc Listi, edhe ky i frymëzuar nga Gëte, kompozoi “Simfoninë Faust”; Fernando Pesoa botoi Tragjedinë subjektive të Faustit dhe Pol Valeri shkroi Fausti im, një poemë dramatike që u botua pas vdekjes së tij. Balzaku kurrë nuk shkori ndonjë Faust, pa çka se një “opinionist” nga ata të emisioneve të mbrëmjes ka një “opinion” tjetër, ose ndoshta ka zbuluar ndonjë dorëshkrim deri më sot të panjohur të Balzakut. Edhe Mujo Prenga apo Çelo Vreshta mund të kishte shkruar nje “Faust”, por Balzaku jo, nuk e shkroi një të tillë. Të paktën opinionisti në fjalë emrin Balzak nuk e shqiptoi BalKzak.

    E treta: Një gazetar, nga ata që s’lënë studio pa u shfaqur çdo mbrëmje, e nisi narracionin e tij me këto fjalë: “Në sensin më të vogël të fjalës…” (!), ndërsa një tjetër, edhe ky “gazetar”, tha në një tjetër studio, po atë javë, se “përqindja më e madhe e numrave…(!). Nuk ishin as nxënës, as infermierë, as bujq, por gazetarë! Pra, gazetarë që kanë studiuar për gazetari që të bëheshin gazetarë. Dhe ja absurditetet semantikë të tyre.

    Dhe një tjetër, këtë herë një eksperte e bankave, në një emision mbërmjeje në një tjetër television, shpjegoi për ata që e ndiqnin para ekranit dy gjëra të rëndësishme: e para, se “rezultatet e të gjithë efórtit…” (për ndonjë që nuk e di, fjala shqip “efort” vjen nga anglishtja “effort”, që do të thotë “përpjekje” dhe, e dyta, “përqindja e lartë e përdorimit keshles” (në këtë rast, fjala shqip “keshles”, edhe kjo nga anglishtja, do të thotë “pa para në dorë”, ose “pa para fizike”.

    Oh, ka shumë zhevahire të tilla çdo mbrëmje në studiot e televizioneve tona nëse ke durim t’i shohës e të dëgjosh ç’thuhet në to. Më shumë se emisione informativë dhe studio debati, disa prej tyre janë shfaqje argëtuese. Por një argëtim i këtij lloji nuk është rekreativ por irritues.

    ***

    Njoh shumë gazetarë dhe analistë që shkruajnë, botojnë dhe flasin në televizionet tona. Disa ndër më të mirët i kam miq dhe i çmoj. Janë intelektualë në kuptimin real të fjalës (jo në sensin më të vogël të fjalës); lexojnë, shkruajnë, botojnë dhe flasin për publikun me kompetencë, me kulturë dhe me një gjuhë mjaft mirë të kultivuar. Këta e dinë se fjalën e kam për ta dhe për to.

    Por këta, fatkeqësisht, nuk janë më të shumtët. Një pjesë e madhe janë gazetarucë, ose gazetarë vetëm me diplomë, por pa stofin, pa imagjinatën dhe pa talentin e gazetarit—gazetarë që flasin keq dhe nuk shkruajnë e nuk botojne kurrë një radhë. Më të shumtë janë “analistë” (çfarëdo që të kuptoni me këtë fjalë), një pjesë janë “ekspertë” të çertifikuar e të paçertifikuar për ndonjë ekspertizë të caktuar dhe një pjesë e madhe janë thjesht “opinionistë”, si kushdo nga ne dhe kushdo nga ju që i lexon këto radhë. Sepse kushdo ka një opinion të vetin për diçka, ose për shumëçka.

    Dallimi mes nesh dhe “opinionistëve” studiologë të mbrëmjeve është se, ndërsa ne nuk dimë gjithçka dhe nuk jemi të sigurt për çdo gjë, ata janë të gjithëditur dhe të sigurt në gjithçka që thonë. Pas më shumë se 40 vitesh që jap mësim në disa universitete, brenda dhe jashtë vendit, pohoj se kurrë nuk i kam mësuar askujt asgjë të sigurt, veç dyshimit. Mësimi i vetëm që u kam dhënë dhe u jap studentëve të mi është se dyshimi është fillimi i çdo mendimi.

    Ndryshe janë “opinionistët” dhe “analistët e orëve të fundit të ditës. Ata jo vetëm dinë gjithçka për çdo gjë, por edhe janë absolutisht të sigurt në ato që dinë. I keni parë se sa serbes flasin dhe s’kanë as pyetje as dyshime për asgjë? Por, nëse nuk ke pyetje dhe nuk dyshon në asgjë, ajo që ndodh me ty është se bëhesh dembel dhe mendja trashet, pasi pyetjet janë ato që e mbajnë mendimin gjallë dhe në lëvizje. Dhe nëse s’ke mëdyshje për asgjë dhe kurrë nuk pyet, si do mund të të gjykojnë njerëzit për ato që thua se di. Volteri thoshte se njerëzit duhen gjykuar jo nga përgjigjet që japin, por nga pyetjet që bëjnë.

    ***

    Shumë nga këtë “analistë” dhe “opinionistë”, të cilët dikur i kam quajtur “brahmanë metafizikë të medias” e që sot mund t’i quaj “rapsodë analfabetë të medias”, nuk kanë as etikën minimale në “debatet” që bëjnë. Në emër të bashkëbisedimit (dialogut, trialogut apo gjashtëlogut), ata e ndërpresin tjetrin krejt pa takt e pa respekt, shumë herë duke bërtitur. Ata nuk kuptojnë se heshtja e një njeriu të ditur peshon më shumë se sa një logoré e pafund fjalësh dhe të bërtiturat e një mijë njerëzve injorantë. Nëse do të flisnin më pak, këta të fundit do të gabonin më pak.

    Shumë prej tyre na kanë mbirë në sy. I kemi parë mbrëmë. Jam i sigurt se do i shohim përsëri sonte. Nesër gjithashtu. Janë po ata. Të njëjtët njerëz. A thua nuk kanë ç’bëjnë tjetër mbrëmjeve, s’kanë familje, s’kanë miq e shokë, s’kanë libra në shtëpi dhe asgjë tjetër me se të merren? Më thonë se disa prej tyre paguhen për këtë “punë”. Disa meritojnë të paguhen sepse janë gazetarë dhe analistë të zotë dhe i dëgjon me dëshirë. Gazetarinë dhe analizën i kanë ekspertizën dhe profesionin e tyre ndaj edhe e ushtrojnë.

    Por pjesa më e madhe, ata më të zellshmit, më “të diturit” e më zhurmëmëdhenjtë, janë për të mos qenë. Mos e dhëntë zoti ta kesh ndonjërin prej tyre pedagog; asgjë të re s’do mësonin studentët prej tij. Unë do të paguaja që të mos i shihja e t’i dëgjoja, por fatmirësisht ato para i kursej sepse e kam të lehtë të ndërroj kanalin. Ata që i paguajnë “analistë” dhe “opinionistë si këta e hedhin paranë dëm.

    ***

    Dy fjalë për moderatorët e emisioneve të mbrëmjes në  lidhje me “analistët” dhe “opinionistët” që ftojnë në studio. Shpesh herë, zhurma e tyre është kaq e madhe, sa moderatorëve do u duhej një bilbil (si ai i një arbitri futbolli në stadium) për të vendosur rendin dhe qetësinë në studio. Dhe pasi qetësia të jetë vendosur, i drejtojnë gishtin tregues (shpesh herë duke shtrirë krahun) njërit apo tjetrit “analist” për t’i dhënë fjalën.

    Ka edhe mjaft vanitet te disa moderatorë. Shumë prej tyre e kanë zaptuar ekranin për vite me radhë, në mos edhe për më shumë se një apo dy dhjetvjeçarë. Nuk është diçka e pazakontë, nëse flasim për figura të tilla të televizionit botëror si, David Dimbleby i “Question Time” në BBC, që e drejtoi këtë këtë emisioni nga viti 1994 deri më 2018, apo Tim Russert i “Meet the Press” në NBC (1991-2008), Barbara Wolter e emisionit “The View” in ABC News (1997-2014), apo Jim Lehrer, Dick Cavett, Christian Amanpour, Anderson Cooper, Jon Snow, Michel Drucker, Anne Sinclair, Enrico Mentana, Bruno Vespa, Lilly Gruber e shumë të tjerë.

    Por gazetarët tanë televizivë nuk janë si këta, edhe pse titujt e pothuajse të gjitha emsioneve të pasdites dhe të mbrëmjes janë në gjuhë të huaj, në anglisht, nga Open te Quo Vadis te Balkan Update te News Room te Top dhe Real Stories deri te RepolitixFrontline etj. As këta vetë, as ne nuk duhet të pretendojmë se mund të bëhen si ata gazetarë emblematikë që përmenda. Por mund të kërkojmë e të presim prej disave prej tyre, atyre që kanë më shumë talent dhe ekspertizë, që, nga koha në kohë, të sjellin diçka të re në formë dhe në përmbajtje për publikun shqiptar, jo vetëm të flasin për ngjarjet kriminale dhe ato politike të ditës, por të sjellin edhe më shumë kulturë në studiot e tyre, më shumë debat për probleme të mëdha shoqërore dhe, domosdo, njerëz më të ditur e më inteligjentë, që të mos mbajnë telefona celularë në dorë apo mbi tryezën e debatit dhe të lexojnë tekste e mesazhe gjatë gjithë kohës, njerëz të talentuar të gjitha moshave e nga të gjitha prurjet e jetës, të cilët Shqipërisë as i kanë munguar, as i mungojnë.

    Shpesh kam përshtyjen se halli më i madh për disa moderatorë është jo cilësia dhe dobia e debatit, por audienca që i ndjek emisionet e tyre. Dikush edhe nuk mungon të thotë, në mes të emisionit: “audienca është rritur”. Një lajm i mirë? Po, nëse debati në studio është i informuar dhe shoqërisht dobishëm. Një lajm i keq—dhe shumë i keq—nëse është rritur audienca e atyre që një emision e pëlqejnë nëse në studio ka zhurmë, të shara e fyerje dhe jo debat të qetë e të qytetëruar.

    Vetëm pak ditë më parë, kreu i SPAK-ut, z. Altin Dumani, për të cilin ushqej një respekt të veçantë, pohoi në mbledhjen e një komisioni parlamentar se ai nuk synon të rikandidojë për vendin e prokurorit në atë institucion pasi të përfundojë mandatin 9-vjeçar. Po atë mbrëmje dhe gjatë këtyre tri ditëve, dhjetra “gazetarë”, “analistë” dhe “opinionistë” nisën të vrasin mendjen, të debatojnë e të shpjegojnë—në emisionet e mëngjesit, të paradites e të pasdites, në ato të mbrëmje e të mesnatës—se pse, pse tani, pse deputetëve, për ç’motive, i shtyrë nga kush etj., etj., etj. e tha z. Dumani atë që tha. U hodhën të gjithë në lumë të gjejnë motivin dhe shkakun.

    Në Mesjetë subjekti kryesor i debateve ishte se sa engjëjt mund të qëndronin mbi majën e një gjilpëre dhe priftërinjtë grindeshin për ngjyrat që kishin krahët e engjëjve, ndërkohë që uria dhe murtaja shfarosnin miliona jetë. Kështu janë edhe shumë nga diskutimet skolastike të “analistëve” dhe “opinionistëve” tanë të paradites, të pasdites dhe sidomos atyre të orëve të vona të mbrëmjes.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit