Shkrimet e publikuara së fundmi në gazetën Dita mbi procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) formojnë një bllok investigativ dhe juridik të detajuar.
Por kjo seri shkrimesh e nisur dy muaj më parë dhe e pasuruar në tri ditët e fundit me dokumentacionin zyrtar nuk është një denoncim i thjeshtë mediatik. Ne nuk dëshirojmë që kjo dosje të dëmtojë integritetin e institucioneve të reja të drejtësisë (SPAK dhe KLP) por t’i bëjë ato sa më të pastra dhe të pashantazhueshme.
Çfarë ka ndodhur
Përmes dokumenteve (faksimileve) dëshmohet se ekziston një diskrepancë mes pikëzimit teknik dhe përzgjedhjes finale për kreun e BKH. Kandidati i përzgjedhur (z. Joni Keta) rezulton i renditur në fund të listës sipas vlerësimit të komisionit përzgjedhës, ndërsa kandidatët me pikë më të larta janë skualifikuar ose anashkaluar pa asnjë arsyetim transparent.
Përdorëm termin “matematikë e përmbysur” për të treguar se si kriteret objektive janë zëvendësuar me vullnete subjektive (apo politike).
Artikulli i fundit fokusohet te një dokument që dëshmon se edhe brenda Komisionit Përzgjedhës të SPAK ka patur kundërshti. Fakti që ky dokument bashkë me renditjen e përmbysur nuk u përfshinë në votimin në KLP ngre pikëpyetje të tjera të rënda.
E gjithë procedura e ndjekur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka pasur më së paku mungesë koherence me rekomandimet apo gjetjet e strukturës së SPAK-ut. Tentativa për të shmangur llogaridhënien përballë opinionit publik dhe partnerëve ndërkombëtarë që monitorojnë Reformën është gjithashtu e dukshme.
Në analizën juridike të ligjshmërisë folëm për bazën ligjore (Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve për të Luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar).
Analiza argumenton se KLP dhe SPAK i kanë tejkaluar kompetencat dhe kanë interpretuar ligjin në mënyrë të tillë që të favorizojnë një emër të paracaktuar.
Problemi më i madh i asaj që ka ndodhur është cënimi i besueshmërisë.
Nëse vetë kreu i organit që duhet të hetojë korrupsionin (BKH) zgjidhet përmes një procesi të dyshimtë, atëherë i gjithë morali i goditjes ndaj korrupsionit në Shqipëri vihet në pikëpyetje.
Vetë BKH duhet të kuptojë se është organi që duhet të garantojë ligjshmërinë e hetimeve të korrupsionit të lartë. Si mund të ketë besueshmëri si organ kur vetë “themeli” i tij (emërimi i kreut) goditet për korrupsion procedurial dhe mungesë meritokracie?
Nëse një hetues i BKH-së duhet të hetojë nesër një tender të korruptuar ku fituesi është paracaktuar pavarësisht renditjes, si do ta bëjë këtë, kur vetë shefi i tij është produkt i një procesi ku “oferta” më e mirë (pikët) u hodh në kosh?
Por ne nuk duam të krijojmë dyshime se Reforma ka dështuar. Nuk e mendojmë këtë. Vetë faksimilet dëshmojnë se brenda sistemit të ri procesi i përmbysjes së meritokracisë ka hasur rezistencë. Kjo është gjë e mirë.


Procesi në Gjykatë
Për më tepër pyetjet e ngritura në investigimin e gazetës Dita kanë kaluar tashmë nga rrafshi mediatik në atë juridik. Padia e z.Gentian Ndoi (konkurenti i renditur i pari) në Gjykatën Administrative është një “vulë” që i duhej këtij debati, duke e kthyer çështjen në një konflikt zyrtar interesi dhe ligjshmërie.
Gjykata po shqyrton pse emërimi i z.Joni Keta (i cili ishte i parafundit në listë) u bë në shkelje të parimit të meritokracisë dhe procedurës në 5 faza konkurimi që parashikon ligji.
Edhe sikur të mos ishin publikimet në DITA kjo padi e vendos Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) në një pozitë të vështirë. Ata duhet të argumentojnë para gjykatës se mbi ç’bazë e pranuan pa asnjë debat anashkalimin e renditjes sipas pikëve. Dhe pse nuk u vendos asfare në diskutim që një nga tre anëtarët e Komisionit Përzgjedhës e kundërshtoi kandidaturën.
Heshtja që bërtet: Çfarë i është premtuar Sali Berishës?
Në një mjedis politik ku çdo lëvizje e SPAK-ut apo e reformës në drejtësi anatemohet me fjalorin më të ashpër nga opozita, një heshtje e çuditshme ka mbuluar çështjen e BKH-së.
Madje edhe dje kur mediat raportuan së paku procesin gjyqësor në Administrative, mediat e opozitës heshtën.
Sali Berisha, zakonisht “shpatë e zhveshur” ndaj çdo emërimi, këtë herë ka zgjedhur të ulë armët pikërisht aty ku i kanë dhënë arsyen më të fortë për të bërtitur.
Po pse hesht njeriu që nuk lë detaj të sistemit pa goditur, që shan gjykatës e prokurorë me emra e mbiemra, që flet për “skape” dhe “pashallarë”? Çfarë mund t’i jetë premtuar atij që jeton me kauzën e “ndotjes” së sistemit, që ai të mos e përmendë një emërim kaq flagrant?
Vetëm “informacion i privilegjuar” që i shërben për të shantazhuar pjesën tjetër të sistemit? Apo shumë më tepër se kaq? Paprekshmëri?
Janë të njëjtët shkelës të meritokracisë në SPAK dhe KLP që kanë gjetur rrugën e komunikimit edhe me atë që supozohet të jetë denoncuesi i tyre më i madh? A janë po këta që e kanë kthyer drejtimin e BKH në një monedhë këmbimi në tregun e zi të influencave politike?
Është një heshtje po aq komprometuese sa votimi farsë në KLP.
Në çdo rast Gjykata Administrative duhet të dëshmojë se nuk është pjesë e kësaj. Thirrja e fundit për të shpëtuar atë që është më e rëndësishmja, moralin e BKH-së.
DITA



