Nëse dikush ka ende dyshime që mes Xhensila Myrtezajt dhe Ledri Vulës ka diçka më shumë sesa thjesht një marrëdhënie profesionale, postimi i fundit i Xhensilës mund t’i qartësojë më shumë gjërat për ju.
Në ditëlindjen e Ledrit, ajo postoi një video të shkurtër që duket si pjesë e një videoklipi të ri me reperin, me një përfundim shumë të afërt. Në mbishkrim, një “Gëzuar ditëlindjen” dhe një tag për Ledrin. Kaq. Asnjë shpjegim tjetër.
Por, nëse po mendoni “Po mirë, ç’ka këtu?”, kujtojmë se Xhensila nuk njihet si dikush që bën urime të tilla publike për çdo koleg. As për miq të ngushtë në industri. E ndërsa fansat filluan të komentojnë të entuziasmuar, kujtojmë dhe një herë gjithë shenjat që na ka dhënë dyshja për të besuar se janë vërtet në një lidhje:
Vetëm pak ditë më parë, Anabel siguroi ekskluzivisht foto të Ledrit dhe Xhensilës në Ibiza, të shoqëruar nga një grup i vogël miqsh. Në njërën prej tyre, çifti shihet shumë pranë njëri-tjetrit. Xhensila e mbulon fytyrën me një erashkë, por tatuazhi në dorë e nxjerr zbuluar.
Në një deklaratë të mëparshme, pasi u aludua për romancë mes tyre që pas bashkëpunimit me këngën “Ma kthe”, Ledri tha:
“Jo, nuk shkon kështu… Duhet të ekzistojë kimi, dashuri. Nuk mund të lidhem me dikë vetëm për fansat. Pa pasur diçka nuk mundet të ndodhë, nuk jemi kukulla.”
Dhe, nëse do ndalemi pak, nëse kjo video nuk është kimi, atëherë çfarë është?