Nisi sot kampionati “Vjosa River Volley”. Ky është viti i 3-të që Përmeti mirëpret këtë kampionat veror.
Pranë valëve dhe rërës së Vjosës, 8 skuadra me lojtarë përmetarë, sportistë amatorë dhe profesionistë, nga rajoni i Ballkanit, si edhe sportistë të kombëtares së volejboll-it, do të garojnë për 3 ditë rresht, deri më datën 11 gusht, duke premtuar një atmosferë sportive emocionuese.
Ky event lokal mbështet jo vetëm këtë sport por zhvillohet edhe në kuadër të mbrojtjes së Vjosës unike, tashmë Park Kombëtar.
Skuadrat, të formuara pa përkatësi gjinore e kombësie, garojnë për çmimin e madh, nën moton “Argëtohemi me Vjosën, mbrojmë Vjosën”.
Ndeshjet do të luhen te plazhi i Motorrit dhe bashkia i ka ftuar sportdashësit të mbështesin skuadrën e preferuar, e njëkohësisht të argëtohen e të freskohen buzë Vjosës.
Eventi organizohet nga bashkia Përmet, organizata “Albania S’ka Problem” dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar.