Në një intervistë për emisionin Intervista e Ditës në DritareTV, avokati Idajet Beqiri bëri deklarata të forta lidhur me pasurinë e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe arsyet e vërteta pas betejës së tij me SPAK-un.
Beqiri pretendoi se pasuria e Berishës është kolosale, duke përmendur shifra deri në 14 miliardë dollarë, dhe argumentoi se kjo fuqi financiare është arsyeja kryesore pse ai është shpallur ‘non-grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.
Sipas avokatit, partnerët ndërkombëtarë kanë informacion të detajuar mbi burimet e këtyre financave dhe rrezikun që ato paraqesin jo vetëm për demokracinë në Shqipëri, por edhe për stabilitetin rajonal.
Beqiri argumentoi se sulmet e Berishës ndaj Altin Dumanit dhe prokurorëve të tjerë të SPAK nuk janë politike, por personale dhe të diktuara nga paniku. Avokati theksoi se Berisha po përdor çdo mjet, përfshirë mediat dhe militantët e tij, për të intimiduar drejtësinë, por se kjo strategji tashmë ka dështuar pasi dosjet janë të kopsitura me prova të pakundërshtueshme.



