29.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Gusht, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    “Me të e kam personale” – Berisha zbulon mesazhin për Hysenbelliun dhe familjen: Ja kush qëndron pas kërcënimit të tyre me jetë

    Sali Berisha akuzon drejtpërdrejt Edi Ramën për kërcënimin me jetë të botuesit Irfan Hysenbelliu dhe familjarëve të tij. Ai e konsideron ngjarjen një “akt terrorizmi shtetëror” dhe thotë se bastisja e godinave të “Focus Media Grup”, është bërë për shkak të materialeve kompromentuese të gazetarëve, për korrupsionin dhe lidhjet e qeveritarëve me kartelet e drogës.

    “Ky akt tipik terrorist shtetëror vjen pasi dyshja famëkeqe urdhëroi të plaçkiten kompjuterët, laptopët dhe desktopët e gazetarëve për shkak të dosjeve të mëdha të korrupsionit dhe lidhjeve me kartelet e drogës të Ramës, Lulushit dhe familjarëve më të afërt të tyre.

    Në të vërtetë, shkaku kryesor i pushtimit të ndërtesave të Fokus Media Grup dhe grabitjes mbrëmë të mjeteve personale të punës së gazetarëve janë pikërisht dosjet e tmerrshme të dy krerëve të organizatës kriminale, të cilat do të publikoheshin në shtator”, shkruan Berisha.

    Lideri i opozitës zbulon se Edi Rama është shprehur se “Me të e kam personale”, duke ju referuar përplasjes në distancë mes kryeministrit dhe botuesit Irfan Hysenbelliu, bizneset e të cilit vitet e fundit kanë qenë në qendër ndërhyrjeve shtetërore.

    “Kërcënimi me jetë i pronarit dhe botuesit të Fokus Media Grup, Irfan Hysenbelliu, dhe familjarëve të tij nga dyshja në krye të organizatës kriminale është një akt i mirëfilltë dhe tejet i rrezikshëm i terrorizmit shtetëror, pasi vjen pas deklaratës së Ramaduros në shpërthim urrejtjeje dhe hakmarrjeje primitive, kur tha: “Me të e kam personale.”

    Rikujtoj këtu se janë zhdukur pa nam e nishan nga dora e zezë e shtetit persona për të cilët Ramaduro ka shpallur se “Me të e kam personale.”

    Duke e dënuar me forcën më të madhe këtë akt terrorizmi shtetëror, paralajmëroj Ramaduron se për çdo përdorim të shtetit për akte terroriste ndaj pronarit dhe botuesit të Fokus Media Grup, Irfan Hysenbelliu, dhe familjarëve të tij, do të ndëshkohesh si hakmarrës i verbër dhe terrorist shtetëror”, vijoi Sali Berisha.

    Biznesmeni dhe botuesi i disa mediave, Irfan Hysenbelliu është kërcënuar me jetë. Televizioni informativ që ai drejton, bën me dije se Hysenbelliu dhe familjarët e tij janë kërcënuar me jetë, por nuk japin më tepër detaje.

    “Botuesi i News24 dhe Panorama Grup së bashku me familjarë të tij, janë kërcënuar me jetë nga një prej personazheve të denoncuar më herët për afera të dyshuara korruptive nga emisionet investigative në News24”, thotë reagimi.

    "Me të e kam personale", Sali Berisha zbulon MESAZHIN për

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit