Policia e Tiranës ka reaguar pas denoncimeve të bëra nga 39-vjeçari Arsen Qose, i cili tha se efektivët e policisë e kanë dhunuar saqë i kanë thyer duart. Në një reagim zyrtar, policia sqaron se më datë 14 prill është thirru nga pronari i hotelit në rrugën e Dajtit, me inicialet A.H., i cili u ka kërkuar ndihmë pasi kishte konflikte me një person që kishte dalë i zhveshur nga dhoma e hotelit.
Policia shton se kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë kërkuar që ta shoqëronin, por 39-vjeçari ka kundërshtuar me dhunë dy punonjësit e Policisë, duke i ofenduar, goditur e duke iu shkaktuar fraktura në pjesë të ndryshme të trupit.
Policia shton se duke vlerësuar situatën dhe rrezikun për shkak të dhunës që po përdorte i riu, kanë kërkuar ndihmën e patrullave të tjera, të cilat kanë kaluar në ndihmë të kolegëve, për shkak të situatës së krijuar.
Pasi është bërë prangosja e tij dhe shoqërimi në ambientet e Komisariatit, duke marrë shkas nga sjellja shumë agresive dhe nga veprimet tepër të dhunshme, është njoftuar ambulanca dhe 39-vjeçari është dërguar në spital. Pasi ka marrë ndihmën mjekësore, bluzat e bardha sipas policisë kanë dalë në përfundimin se Qose ishte nën efektin e drogërave shumë të forta.
Sqarim i Policisë Tiranë
Në lidhje me pretendimet e shtetasit të arrestuar A. Q., 39 vjeç, banues në Tiranë, se Policia ka ushtruar dhunë ndaj tij, sqarojmë opinionin publik se: Më datë 14.04.2022, është bërë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Kundërshtimi i Punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, i shtetasit A. Q., 39 vjeç, banues në rrugën “Jordan Misja”, i dënuar më parë për vjedhje, informacion i dhënë dhe për mediat e publikun. Sqarojmë se me datë 13.04.2022, shtetasi A. H., pronar i një hoteli në rrugën e Dajtit, ka kërkuar ndihmën e shërbimeve të Policisë, sepse kishte konflikt me një shtetas, (klient në hotel), pasi ky i fundit kishte dalë i zhveshur nga dhoma e hotelit.
Shërbimet e Policisë, kanë kaluar menjëherë në adresën e dhënë, në ambientet e lokalit të hotelit, dhe pasi kanë marrë kontakt me palët e konfliktit, i kanë kërkuar shtetasit A. Q., që të identifikohej. Shtetasi A. Q., nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë për të treguar dokumentin e identifikimit dhe ka kundërshtuar me dhunë dy punonjësit e Policisë, duke i ofenduar, goditur e duke iu shkaktuar fraktura në pjesë të ndryshme të trupit. Në ato momente, shërbimet e Policisë, duke vlerësuar situatën dhe rrezikun për shkak të dhunës që po përdorte ky shtetas, kanë kërkuar ndihmën e patrullave të tjera, të cilat kanë kaluar në ndihmë të kolegëve, për shkak të situatës së krijuar nga dhuna që shtetasi A. Q. po përdorte.