Sot 54 vjeç dhe për pak javë, 30 vite jetë në Partinë Socialiste. Ky është kontributi prej tre dekadash i Erion Braçes në partinë më të madhe që qeverisë vendin prej katër mandatesh radhazi, nën drejtimin e Edi Ramës, si askush tjetër në Shqipërisë demokratike.
Deputeti socialist ka pranuar për herë të parë se marrëdhënia politike me Edi Ramën ka ndryshuar për shkak të qëndrimeve dhe mendimeve të kundërta, por ajo njerëzore mes tyre mbetet si në ditët e parë të njohjes së tyre.
I ftuar në emisionin “Top Story”, Erion Braçe ka thënë se beson se do të ketë proces për ambicien që ai ka shprehur për të qenë kandidat i PS për Bashkinë e Tiranës, pasi siç theksoi, i beson partisë ku ka lënë gjysmën e jetës.
Por edhe nëse nuk do e lejojnë, ai theksoi se do të luftojë që të ketë proces, sepse gara [për kryeqytetin nuk është një garë personale, por vullnet i socialistëve të terrenit që qëndrojnë pranë tij dhe e kanë bindur për këtë iniciativë.
Erion Braçe: Marrëdhënia njerëzore nuk ndryshon, marrëdhënia politike, po patjetër që ndryshon.
Lorenc Vangjeli: Ka ndryshuar?
Erion Braçe: Sa kohë që mendojmë ndryshe, patjetër që ka ndryshuar në këtë aspekt.
Lorenc Vangjeli: Në krah apo përballë?
Erion Braçe: Në krah për integrimin, përballë për gjëra të tjera që janë shumë të rëndësishme.
Grida Duma: Do të ketë proces? Parashikon që do të ketë proces me intuitën tënde politike?
Erion Braçe: Unë i besoj partisë ku kam lënë një pjesë të jetës.
Lorenc Vangjeli: Dhe nëse nuk ka proces?
Erion Braçe: Do luftojmë që të ketë. Ti e di që unë luftën e kam mënyrë jetese. Dhe jo luftë për vete. Nuk kam ambicie personale, por u jam bindur vullnetit të atyre njerëzve që ma kanë kërkuar me ngulm këtë gjë.



