Ka përfunduar seanca paraprake gjyqësore për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-gruan e tij, Monika Kryemadhin, të cilët akuzohen për mosdeklarim pasurie dhe fshehje të ardhurash.
Burimet bëjnë me dije se ish-presidenti kërkon pushimin e çështjes së tij.
Të njëjtën gjë kërkoi dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi ndaj të cilës është caktuar detyrim paraqitje në lidhje me çështjen gjyqësore të nisur për aferën CEZ-DIA, lobimin në SHBA dhe hetime pasurore.
Pas paraqitjes së saj në SPAK, Kryemadhi në një prononcim për mediat u shpreh se ekspertiza e prokurorisë do të verifikojë mesazhet e saj, të cilat do të nxjerrin në pah të vërtetën e zgjedhjes së Erion Veliajit si kryebashkiak.
“Do i shohim të gjitha, ose si kemi zgjedhur Erion Veilajn kryetar bashkie, ja kemi futur Ilir Metës se donte Blendi Klosin, unë desha Erion Veliajn”, tha Kryemadhi jashtë SPAK.
Më 5 mars pritet që gjyqtarja Irena Gjoka të caktojë nëse çështja e ish-presdentit do të kalojë për gjykim apo jo.
Meta u arrestua më 21 tetor 2024, ndërsa ndodhej në automjetin e tij, pranë një qendre tregtare në afërsi të kthesës së Kamzës, gjatë kthimit të tij nga Kosova. Kujtojmë forca të armatosura të policisë ndërhynë duke e ndaluar automjetin dhe e shoqëruan Metën me makinë patrulle për ta çuar në drejtësi.
Sipas deklaratës së SPAK, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, “në bashkëpunim mes tyre, por edhe me funksionarë të tjerë publikë, janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale”.
Hetimet ndaj Metës nisën që në vitin 2019, në kuadër të çështjes së njohur si “ÇEZ-DIA”, e cila lidhet me procesin e privatizimit të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe mbledhjen e borxheve të pashlyera. Ndërkohë, në 2024 SPAK hapi një tjetër hetim lidhur me pagesa të padeklaruara në vlera mijëra euro për lobim në Shtetet e Bashkuara nga partia e drejtuar nga Meta. Të dy çështjet u bashkuan në një dosje të vetme në vitin 2024.



