Kryetari i Partisë së Lirisë është i vendosur, kur flet për ‘marrëdhënie te shkëlqyera me SHBA’.
“Përpjekjet e Edi Ramës, miqve të tij për të krijuar idenë e Ilir Metës si një njeri që është një problem në marrëdhëniet me Amerikën janë vetëm si rezultat i korrupsionit të tij të jashtëzakonshëm. Marrëdhënia ime me SHBA ka qenë, është dhe do të jetë e shkëlqyer”, u shpreh zoti Meta për emisionin “Pa Censurë”.
Ai iu përgjigj gazetares Elona Meço edhe për marrëdhënien e tij me Berishën dhe nëse ka apo jo kontakte me Edi Ramën dhe Erion Veliaj, sipas rregullit se kontaktet me kundërshtarin nuk ndërpriten kurrë.
Pjesë nga intervista
Elona Meço: Sa të vështirë e keni të qëndroni në marrëdhënien tuaj institucionale mes SHBA dhe zotit Berisha, i shpallur non grata nga SHBA?
Ilir Meta: Marrëdhënia ime me SHBA ka qenë, është dhe do të jetë e shkëlqyer. Debatet dhe përplasjet që kam patur nuk janë bërë nga Ilir Meta, në çdo pozicion të mbajtur. Janë bërë për të mbrojtur interesat strategjike edhe të SHBA, edhe të NATO-s, edhe në rajon. Qëndrimet e mia kanë qenë të sinqerta, të hapura për të parandaluar gjithçka që keqpërdor besimin që kanë shqiptarët tek SHBA.
Përpjekjet e Edi Ramës, miqve të tij për të krijuar idenë e Ilir Metës është një njeri që është një problem në marrëdhëniet me Amerikën janë vetëm si rezultat i korrupsionit të tij të jashtëzakonshëm dhe i financimit të tij të onturazhit që ka përkrahur, që as nuk ka patur, as nuk ka një sukses të tillë. Nuk mund të themi që nuk e ka keqpërdorur shpesh SHBA, të mos harrojmë skandalet me Bilalin.
Elona Meço: Jeni ju një urë komunikimi mes SHBA dhe Berishës?
Ilir Meta: Më pyete për raportin tim mes SHBA dhe Berishës. Janë dy gjëra të ndryshme. Raporti im me demokracinë, pluralizmin, Kushtetutën dhe integrimin europian është i shenjtë. Kjo duhet të jetë e para. Zoti Berisha është i zgjedhur nga PD përmes një procesi shumë transparent që e kanë parë të gjithë qytetarët shqiptarët. Ai gëzon respektin tim si lideri i zgjedhur nga anëtarët e PD.
Zoti Berisha dhe PD kanë një qëndrim shumë të qartë për integrimin e Shqipërisë në BE dhe ne kemi punuar me të për liberalizimin e vizave, për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, për përmbushjen e detyrimeve që vijnë si vend anëtar i NATO-s dhe të mos harrojmë që zoti Berisha ka një kontribut dhe rol të veçantë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Tani për raportin e zotit Berisha me SHBA. Unë kam qenë në koalicion me zotin Berisha në periudhën 2009-2013.
Dhe për një çështje që kishte të bënte me sigurinë kombëtare, një ligj që cënonte një detyrim ndaj NATO-s, në rast se ligji nuk kthehej, pra të mos miratohej, që të jepja dorëheqjen dhe të dilnim nga koalicioni me PD, se nuk donim të cënonim marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe NATO-s. Bëhej fjalë për ligjin për SHISH. Ai dhe PD u treguan mirëkuptues, pasi kuptuan se pavarësisht se mund të kishin një të drejtë në çështjen në fjalë, interesi për marrëdhënien me NATO-n ishte më lart. Pra, unë di të harmonizoj, të bashkëjetoj me të gjithë aktorët, në intresin më të mirë të vendit. Ajo që më intreson është interesi afatgjatë i vendit.
Elona Meço: Thuhet se kontaktet në politikë nuk duhet të ndërpriten kurrë me kundërshtarin. A keni ndonjë komunikim me zotin Rama? Të çfarëdolloji?
Ilir Meta: Zoti Rama është bërë kundërshtar i çdo qytetari. Për interesin e vendit nuk kam asnjë problem, as të kontaktoj me zotin Rama, por sigurisht e kam përjashtuar mundësinë e takimeve informale, sepse dihet që ai është një diversionist dhe spekulant i jashtëzakonshëm. Nuk kam asnjë problem, përkundrazi, t’u kërkoj deputetëve të Partisë së Lirisë të votojnë gjithçka që i shërben integrimit europian.
Elona Meço: Pra po thoni që keni kontakte apo jo?
Ilir Meta: Jo, nuk kam asnjë lloj kontakti.
Elona Meço: As me zotin Veliaj? Edhe ai është një pol i rëndësishëm pushteti.
Ilir Meta: Nuk kam asnjë lloj kontakti dhe interesi personal tek Bashkia e Tiranës, as sot dhe as në të ardhmen ndonjëherë.