Në afatin e shkurtër, shpëtimi i vetëm, që energjia të mos kthehet në një mine me sahat për ekonominë, është të lutemi që të bjerë sa më shumë shi…
Europa pritet të kalojë një dimër të vështirë, për shkak të shtrenjtimit të gazit dhe energjisë në rekorde të papara ndonjëherë. Në fund të muajit gusht, çmimet e energjisë arritën në 708.9 euro/MWh në bazë dhe në pik, 750 euro/MWh në Bursën e Hungarisë, nivele këto që ishte parashikuar të arriheshin në tetor.
Për Shqipërinë, që në varësi të rezervave hidrike dekadën e fundit ka importuar nga 20-50% të nevojave të saj energjetike, dimri pritet të jetë edhe më i ashpër, për shkak të varësisë së lartë që kanë kompanitë shtetërore të energjisë nga buxheti për garantimin e të ardhurave për blerjen e energjisë dhe faturës gati të papërballueshme, e cila pritet të arrijë deri në fund të vitit. P.sh., për tremujorin e parë të vitit 2022, sipas INSTAT, nga importi (bruto) u sigurua 30% e energjisë në dispozicion, nga 4% që ishte kjo peshë në të njëjtën periudhë të vitit 2021!
Për periudhën janar – gusht, kompanitë energjetike kanë shpenzuar gati 300 milionë euro për të blerë energji nga importi, e ndikuar si nga sasia e lartë për shkak të nivelit të ulët të prodhimit vendas nga mungesa e reshjeve, ashtu dhe shtrenjtimi i çmimeve në bursa. Për pothuajse të njëjtën periudhë të një viti më parë (janar-korrik) u shpenzuan 7 milionë euro, ndërsa për gjithë vitin 2021, fatura shkoi 285 milionë euro, për shkak të situatës së vështirë që u shkaktua nga mungesa e reshjeve dhe nisi kriza globale e energjisë.
Si Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), ashtu dhe OSHEE Group, nuk kanë aftësi financiare për të përballuar blerje të mëdha të energjisë. Qarkullimi vjetor total i të dyjave në vitin 2021, sipas bilanceve zyrtare, ishte 82 miliardë lekë, 670 milionë euro, ndërsa OSHEE raportoi humbje prej 100 milionë eurosh. Është buxheti i shtetit ai që garanton pagesat e këtyre kompanive. Për vitin 2022 janë parashikuar në buxhet 28 miliardë lekë (230 milionë euro) për të garantuar furnizimin me energji, nga të cilat 20 miliardë lekë janë subvencione dhe 8 miliardë lekë, kredi.
Deri tani është shpenzuar gati 60% e kësaj shume. Me këto nivele importi dhe çmime të “çmendura” në bursa, parashikohet që qeverisë t’i mbarojnë shumë shpejt fondet që ka vënë në dispozicion për mbulimin e nevojave të energjisë. Këtu do të fillonte kriza e vërtetë. Buxhetit do t’i duhej që të rishikonte prioritetet dhe të shkurtonte shpenzimet në sektorë të tjerë, në mënyrë që të mos e lërë vendin në errësirë. Vështirësia në sigurimin e energjisë është një tjetër problem, krahas çmimit të lartë.
Ndërsa në muajt e parë të vitit, financat iu “gëzuan” një rritje të lartë të të ardhurave, për shkak të shtrenjtimit të të gjithë produkteve, tashmë situata ka ndryshuar. Ashtu siç pritej, çmimet e larta kanë frenuar konsumin në vend (e konfirmuar nga tkurrja e importeve në sasi), duke u reflektuar në të hyrat buxhetore. Në korrik, të ardhurat nominale u rritën me vetëm 0.3% me bazë vjetore, nga 19% që kishte qenë zgjerimi për 6-mujorin. Duke e indeksuar për inflacionin, që në korrik arriti nivelin më të lartë në 20 vjet, në 7.5%, rritja reale e të ardhurave në korrik ishte negative. Nëse kjo tendencë vazhdon, presioni mbi buxhetin për të garantuar energjinë në muajt në vijim do të jetë mjaft i lartë.
Koston nuk do ta mbajë vetëm buxheti, por edhe individët e bizneset. Që nga fillimi i vitit, rreth 7500 kompani që ishin të lidhura në tensionin e mesëm dolën në tregun e lirë, që nënkupton se duhet ta siguronin vetë energjinë me çmime tregu. Qeveria i favorizoi deri diku, duke u vendosur një çmim fiks që ishte më i ulët sesa i tregut, por dy herë më i lartë, sesa kur e blinin me tarifë të rregulluar. Këtë kosto, bizneset e kaluan në pjesën më të madhe te çmimet që ata u faturojnë konsumatorëve (p.sh., energjia është një nga arsyet e shtrenjtimit të bulmetrave).
Sinjalet janë që ky favorizim nuk do të zgjasë dhe shumë, duke i detyruar kompanitë të blejnë energji me çmime tregu, që aktualisht janë 4 herë më të larta se më parë. Edhe për konsumatorët është paralajmëruar shtrenjtimi për fashën mbi 800 kvh, që i korrespondon një fature më të lartë se 7,600 lekë në muaj (kufi që në muajt e dimrit kalohet lehtësisht nga shumë familje). Mbi këtë fashë, familjet do të paguajnë me çmime tregu që mesatarisht është 30-36 lekë kvh nga 9.5 që është sot, por mund të shkojë shumë më tepër nëse energjia në bursa shtrenjtohet më tej në tetor.
Në afatin e gjatë, zgjidhja është te diversifikimi i burimeve të energjisë. Diversifikimi, që duhet të kishte ndodhur prej kohësh, teksa interesi i bizneseve, sidomos për atë diellore, është i lartë, por për shkak të burokracive dhe rregullimet ligjore për netimin e energjisë, po zvarriten dhe kërkesat e sipërmarrjes nuk po plotësohen. Ndërsa në afatin e shkurtër, shpëtimi i vetëm, që energjia të mos kthehet në një mine me sahat për ekonominë, është të lutemi që të bjerë sa më shumë shi…