Një përplasje ka ndodhur në Kuvend mes ministrit Besfort Lamallari dhe deputetit të PD-së, Klevis Balliu, në lidhje me emërimin e Skënder Hitajt si drejtor i Policisë së Shtetit.
Ishte Lamallari që në mënyrë ironike tha se që kur Balliut iu drejtuan me fjalën “bukurosh”, ai sulmon çdokënd në Kuvend. Ministri shtoi gjithashtu se Balliu e sulmon Hitajn vetëm për arsye politike.
“Deputeti në fjalë, që kur u thirr “bukurosh”, është bërë obsesion dhe tani sulmon çdokënd. Ai përdor emrin e drejtorit të Policisë për politikë bajate dhe ordinere, ndërkohë që ai vetëm duhet të urojmë suksese në misionin e shenjtë për garantimin e rendit dhe sigurisë, qoftë edhe gjatë protestave që organizoni, ku hidhni përtokë edhe flamurin kombëtar.”, deklaroi Lamallari.
Ndërsa në replikë, deputeti Klevis Balliu hodhi akuza ndaj Lamallarit, duke thënë se merr vetëm urdhra dhe “nuk di as nga lidhet gomari”.
“Në qoftë se nuk e kuptove, unë e dija që para tre ditësh atë që ndodhi sot. Ti nuk je ninistri i Brendshëm aty; ti je vetëm mbajtësi i një karrigie, sepse ti as nuk ‘di nga lidhet gomari’. Për sa i përket dhunës së Policisë, deputeti Mziu është goditur nga përfaqësues të kartelëve me uniformë, siç nuk ka ndodhur asnjëherë në 35 vite, dhe ti duhet të ishe i pari që të flisje. Por ti ha kur të thonë, flet kur të thonë dhe ikën kur të thonë. Ti nuk je aty me mendjen tënde dhe duhet të rrish, të mbyllësh gojën dhe vetëm të dëgjosh”, tha Balliu.



