Zëri i Mira Konçit ka lënë gjurmë të paharrueshme në historinë e muzikës moderne shqiptare. Dy herë fituese e Festivalit të Këngës në RTSH – në 1994 me “Të sotmen jeto” dhe në 2002 me “Brenda vetes më merr” – ajo mbetet një nga figurat më të dashura të publikut shqiptar. Megjithatë, pas zhvendosjes në SHBA, jeta e saj ka qenë larg syrit të fansave.
E ftuar në emisionin “Mes’dritë” në Vizion Plus, Mira rrëfeu episode të veçanta nga jeta personale, duke ndarë një nga momentet më të ndjera: 10 vitet kur babai i saj qëndroi në koma.
“Ka qenë njeriu më nobël që mund të ekzistojë. Më i butë, më tolerant, më i bukur në shpirt. Çdo herë që vija në shtëpi, më trokisnin duart dhe thoshte: ‘Artistja e babit’. Edhe kur më shihte të shqetësuar, më pyeste: ‘Çfarë ke?’ Ishte jashtëzakonisht i ndjeshëm. Dashuria e tij ndihej pa shumë fjalë,” tregoi këngëtarja.
Mira përshkroi kujdesin e përditshëm që familja i kushtoi babait gjatë dhjetë viteve të koma-s: “Ishte si të kishim një foshnje të vogël në inkubator. Mami ishte pranë tij 24 orë, u kthye në infermiere, doktoreshë, gjithçka.
Ne tre fëmijët ishim gjithmonë aty. Kujdesi ishte maksimal, deri në detaje që edhe mjekët çuditeshin. Muzika nuk mungonte asnjëherë – i vendosnim këngë italiane, por edhe këngët e mia. Babai për mua ka qenë shok, mbështetje, mrekulli.”
Sa i përket rikthimit në Shqipëri, Mira nuk e mohoi mundësinë: “E kemi menduar rikthimin në Shqipëri. Mund të ndodhë, është në planet e mia,” tha ajo.
Më shumë se një këngëtare, Mira Konçi është një rrëfimtar i ndjeshëm, duke treguar se pas çdo zëri të famshëm, ka histori të thella dhe emocione që e bëjnë jetën e saj të paharrueshme për publikun.



