Mbrëmjen e djeshme Elbasani u trondit ka një tjetër ngjarje kriminale, pasi u vra me armë zjarri në mes të qytetit 33-vjeçari Madrit Ulqinaku.
Ai u qëllua nga një 20-vjeçar i identifikuar si Klajdi Shaholli, me dy plumba me silenciator teksa hipte në mjetin e tij.
Ulqinaku ishte konfliktuar më herët me 20-vjeçarin për motive të dobëta, në lagjen “Kongresi”.
Për të marrë “hakun”, i riu e ka ndjekur dhe e ka pritur deri në momentin që Ulqinaku ka qenë duke hipur në mjet. Në ato çaste, është afruar dhe e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend.
Viktima nuk rezulton të ketë qenë një person problematik, referuar burimeve policore. Ai jetonte mes Italisë ku punonte dhe qytetit të Elbasanit ku kishte familjen.
Mësohet se Madrit Ulqinaku, ishte baba i një vajze 8-vjeçare me autizëm. Gjithashtu, mësohet se kjo ishte tragjedia e dytë në familjen Ulqinaku, pasi në vititn e traziarve më 1997-tën, Madritin i kishin ekzekutuar një vëlla.
Policia ka sekuestruar kamerat në zonë, të cilat ndihmuan edhe në identifikimin e autorit, tashmë i shpallur në kërkim. Dyshohet se autori është ndihmuar nga persona të tjerë për tu larguar.
Ndërsa në Sarandë ka ndodhur një ngjarje edhe më e rëndë.
Një 41 vjeçar u vra për një vend parkimi.
Krimi u shënua në lagjen nr 1 dhe dy vëllezërit nga Laçi autorët e dyshuar u arrestuan mbrëmë pas disa orë kërkimesh.
Xhanel Tarja, 24 vjeç dhe Xhoi Tarja 18 vjeç të dy banues Laç ishin të punësuar përkohësisht në Sarandë
”Këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se mbrëmjen e djeshme, në rrugën “Lefter Kalo”, në lagjen nr.1, Sarandë, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, për një vend parkimi në afërsi të hotelit, ku ishin të punësuar vëllezërit, kanë goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin Klodian Blkia, 41 vjeç, banues në Tepelenë, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ndërroi jetë në spitalin e Sarandës” informoi sot polica.
Gjithashtu në pranga ra dhe administrator i hotelit ku ishin të punësuar 2 autorët e dyshuar, Genci Ahmeti, 41 vjeç pasi akuzohet se ka fshehur provat.