Nga Ilir Demalia
Në Shqipëri vazhdohet të flitet me pompozitet për “elita intelektuale”, “vlera të mëdha letrare”, “art kombëtar”, sikur vendi ynë të ishte epiqendra e kulturës botërore. Ky lloj vetë-mitologjizimi, i trashëguar pjesërisht nga retorika e regjimit komunist, maskon një realitet të dhimbshëm: në vend që të jemi krijues të vlerave, shpesh jemi vetëm konsumatorë klisheje, duke jetuar brenda një flluske ku vetë–lëvdatat zëvendësojnë standardet.
Diktatura u rrëzua, por ajo çka u ngrit mbi rrënojat e saj ishte një tjetër formë kontrolli—më e sofistikuar në fasadë, por po aq primitive në përmbajtje. Një demokraci e deformuar, më e afërt me “demo(n)kracinë”, ku pushteti nuk funksionon si mekanizëm garancie për të drejtat, por si eshkë që ushqen logjikën klanore-katundare të sundimit. Nën këtë logjikë, shteti nuk ndërtohet si hapësirë qytetarie, por si katund i madh i pakulturës së organizuar, i zhveshur nga përgjegjësia dhe morali publik.
Përplasja historike: qytetaria kundër klanit
Që prej krijimit të shtetit shqiptar ka ekzistuar një përplasje e pandërprerë mes një bërthame qytetarie—e brishtë, por e orientuar drejt lirive, institucioneve dhe individualitetit—dhe shumicës dërrmuese të mentalitetit klanor, të ndërtuar mbi nënshtrim, servilizëm dhe dhunë simbolike. Kjo shumicë, shpesh mercenare në raport me pushtetin, nuk ka hezituar kurrë të shtypë çdo përpjekje për emancipim.
Ky mentalitet—“katundaria e organizuar” siç mund të quhet—ka triumfuar pothuajse gjithmonë: në politikë, në administratë, në media, madje edhe në jetën akademike. E gjithë kjo ka prodhuar një inversion të vlerave, ku mediokriteti ngrihet në piedestal, ndërsa qytetaria, meritokracia dhe profesionalizmi përjashtohen si kërcënime.
Cikli i mbrapshtë i klanit: nga pushteti te degradiimi social
Sot ky model është kthyer në një makth strukturor për të ardhmen e vendit. Kudo sundon një mendësi mizantropike gardhore, që ushtron dhunë etike ndaj qytetarit dhe që shfaqet në:
• arrogancën e klasës politike,
• vulgaritetin e komunikimit publik,
• kapjen e mediave,
• kriminalizimin e administratës,
• shkatërrimin e pasurisë publike e private,
• degradimin e natyrës,
• dhe zhdukjen e çdo standardi profesional.
Këta aktorë—shpesh shushunja të pasurisë publike—kanë uzurpuar hapësirat e lirisë dhe kanë reduktuar shoqërinë në një moçal ku gëlon banaliteti dhe vulgariteti, ndërsa integriteti përqeshet. Kemi krijuar një kulturë lakejsh, ku individi i nënshtruar bëhet “0” për të shërbyer “1”-ave të pushtetit, në një anarki morale që e ushqen vetveten.
Rrënjët kulturore: anadollizmi i vonuar
Një nga plagët më të thella mbetet kultura e allishverisheve, ryshfetit, pazareve të errëta dhe mentalitetit anadollak, që e ka mbërthyer mendësinë shqiptare për më shumë se një shekull. Pavarësisht aspiratave perëndimore, përsëri funksionojmë si një shoqëri ku normat janë të negociueshme, ligji është dekor, morali opsional, dhe interesi klanor qëndron mbi interesin publik.
Kjo na ka shndërruar në një shoqëri mercenare në shërbim të së keqes, ku vlerat qytetare jo vetëm nuk shërbejnë si orientim, por përqeshen si dobësi.
Përfundim: piramida e plehut që e kemi kthyer në monument
E gjithë kjo ndërtohet e rindërtohet përditë duke ngritur në majat më të larta të sistemit individë, logjika dhe struktura që nuk kanë lidhje me modernitetin, qytetarinë apo demokracinë. Është një pirg plehu institucional e kulturor, mbi të cilin vazhdojmë të vendosim dekorata nderi sikur të ishte ndonjë monument kombëtar.
Shqipëria nuk mund të ndërtojë institucione moderne, shtet të së drejtës apo demokraci funksionale pa një transformim rrënjësor kulturor; pa një përmbysje të logjikës klanore që është bërë themeli i pushtetit dhe armiku i qytetarisë.
Derisa ky model të mbetet i pandryshuar, çdo përpjekje reforme do të mbetet vetëm smalt mbi një strukturë të kalbur. Dhe e ardhmja do të vazhdojë të mbetet peng i batakut që vetë kemi ngritur dhe vazhdojmë ta ushqejmë me duart tona.




