Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis pritet të jetë sot i pranishëm në Samitin e Procesit të Berlinit, pas disfatës që pësoi në raundin e dytë në zgjedhjet lokale në vend, ku partia e tij humbi bashkitë më të mëdha.
Sipas mediave greke, Mitsotakis pritet të sjellë në samitin e Tiranës dhe çështjen e Fredi Belerit, i cili ndodhet në burg, për blerje votash.
Mitsotakis do të kërkojë që Beleri të betohet si kryebashkiaku i Himarës, pasi ai ka përsëritur disa herë se vendet kandidate duhet të respektojnë parimet dhe vlerat europiane bazë.
“Kryeministri e ka bërë të qartë se rasti i Fredi Belerit do të ketë pasoja në marrëdhëniet greko-shqiptare dhe do të ndikojë në vendimet e Greqisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë”, shkruan gazeta Protothema.
Mitsotakis vjen në Tiranë një ditë pasi pësoi një humbje të rëndë në zgjedhjet vendore në Greqi.
Ai humbi Athinën dhe Selanikun, dy qytete të mëdha, ish-kryebashkiakët e të cilave erdhën dhe në Himarë për të protestuar për Belerin.
Por duke u marrë me Belerin, harruan të merren me punët e tyre dhe humbën.



