E ftuar në emisionin “Ftesë në 5”, Monika Kryemadhi u pyet nëse beson ende te dashuria pas divorcit. Pyetja u bë nga Bieta Sulo, dhe përgjigjja nuk ishte as e shkurtër, as diplomatike, por dukshëm e menduar.
Në përgjigjen e saj, Kryemadhi u shpreh se beson te dashuria, por jo domosdoshmërisht si një kapitull i ri në këtë fazë të jetës. Ajo la të kuptohet se ndonëse një marrëdhënie mund të përfundojë, ndjenjat nuk zhduken domosdoshmërisht në të njëjtën mënyrë.
“Unë nuk mendoj se jam në fazën që mund të dashurohem. Unë e kam dashurinë time, sepse dashuria ime me ish-bashkëshortin normalisht ka kaluar në shumë ulje-ngritje, sfida dhe edhe kur vjen një moment që mbaron dashuria, nuk do të thotë që mbaron dashuria nga ana tjetër,” u shpreh ajo.
Në moshën dhe me prioritetet që ka sot, një dashuri e re nuk është në listën e saj të gjërave emergjente. Dhe këtu, Kryemadhi nuk e fshehu faktin që historia e saj personale dhe ajo politike janë të ndërthurura ngushtë me një emër të vetëm: Ilir Meta.
“Për fatin tim të keq ndoshta, por edhe të mirë, Ilir Meta ka qenë dashuria e parë dhe e fundit, mund ta them. Megjithatë shumë njerëz thonë ‘kurrë mos thuaj kurrë’. Por pse e them këtë? E para, mendoj se e gjithë jeta ime politike ka filluar me Ilir Metën në krah. Politika na bashkoi dhe prapë politika na ndau,” tha ajo.
Kryemadhi pranoi gjithashtu se ndoshta ka dashur më shumë sesa është dashur dhe ndoshta arsyeja pse ajo thotë se nuk ndjen nevojën për një dashuri tjetër.
“Kur ti e do dikë më shumë seç të do ai, je akoma e ngopur me dashurinë që ke dhënë,” tha ajo sepse siç duket për të, lodhja emocionale nuk vjen nga mungesa e dashurisë, por nga teprica e saj.
Ilir Meta konfirmoi më 20 qershor 2024 se ai dhe Monika Kryemadhi kanë nisur procedurat e divorcit. Ata ka qenë martuar që prej tetorit të vitit 1998 dhe kanë 2 vajza dhe një djalë.



