Gjinekologia Mimoza Keta tha për A2 CNN se lyerja e flokëve nga ana e femrave me bojëra me amoniak ndikon në shtatzëni dhe këshilloi mospërdorimin e tyre.
“Ne nuk rekomandojmë edhe lyerjen e flokëve me bojërat të cilat kanë amoniak. Ajo do të jetë shumë e bukur, do të ketë thonj të bukur, do të ketë këmbë shumë të bukura, por të gjitha produktet duhet të jenë natyrale, duhet të përzgjedhë edhe estetikën që të jetë ajrosur. Kjo vlen për të gjitha gratë të cilat kërkojnë të konceptojnë një shtatzëni”, tha Keta.
Ajo shtoi se këshillimi parakoncepsional është vendimtar për të pasur një shtatzëni dhe një fëmijë të shëndetshëm.
“Infeksionet vaginale duhet patjetër të trajtohen përpara shtatzënisë, sepse në tremujorin e parë nuk rekomandohet marrja e medikamenteve. Analizat e koagulimit të gjakut janë jetike, sepse mpiksjet mikroskopike mund të bllokojnë enët që ushqejnë beben dhe të çojnë në abort. Edhe yndyrat e larta në gjak mund të pengojnë furnizimin e bebes dhe të ndërpresin shtatzëninë”, u shpreh ajo.
Ajo rekomandoi gjithashtu shmangien e ushqimeve të konservuara, pijeve të gazuara dhe sheqernat e tepërta, pasi ndikojnë negativisht në shtatzëni.



